Ramës nuk i del e keqja me liderët e Kosovës: “Dritë-shkurtër për dialogun me Serbinë”

443
Sigal

Ditën e sotme kryeministri Edi Rama, që ka vizituar Moskën si kryetari i OSBE-së në një intervistë për “Real Story” nuk la pa kritikuar liderët në Prishtinë, duke i quajur dritë-shkurtër, për dialogun Kosovë – Serbi duke thënë se po bëjnë një tragjedi strategjike.

Rama deklaroi se me Lavrovin ka prekur temat më  të nxehta, që kanë interes edhe për Shqipërinë, siç është Kosova.

“Biseda ka qenë shumë interesante. Patjetër që biseda në Moskë në pikëpamjen për të arritur rezultate hyn ndër gjërat më të vështira. Bëhet fjalë të jesh përkrah një personaliteti botëror të diplomacisë. Më vjen mirë që biseda ka zgjatur. Unë jam përpjekur që të preken pikat nevralgjike të një tërësie cështjesh. Nuk mund të presësh që në një takim, sado i suksesshëm të jetë, të ketë ndryshime të dukshme, por e rëndësishme është që palët të kenë sensibilizim. Ne jemi në një pozicion shumë delikat si shqiptar, se ne për shkak të disa dritë-shkurtër në Prishtinë, nuk po duam dialogun, kur ky dialogim na duhet”, tha Rama.

“Duhet të dialogojmë, sepse Serbia ka humbur luftën, ne kemi fituar. Është përgjegjësia e atyre në Prishtinë, që përdorin një retorikë, e cila e bën Serbinë si viktimë. Moska e ka parë gjithmonë Serbinë si viktimë, por në të vërtetë Serbia ka qenë agresore. Kjo është një tragjedi nga pikëpamja strategjike dhe unë shpresoj që kjo trajektore do të korrigjohet.  Ideja se shqiptarët mund të refuzojnë edhe idetë e aleatëve historikë, është vetëvrasëse”, tha Rama.