Ramën e “paguajmë” për kryeministër, ai punon si gazetar

572
Sigal

E mendoni Angela Merkel të ulet e shkuajë komente mbi komentet e gazetarëve? A e perceptoni dot zonjën e madhe të politikës gjermane të merret orë e çast me postime në rrjetet sociale? Mos shkojmë kaq larg, po as liderët e rajonit nuk i përngjanë hiç kryeministrit tonë.

Është votuar (kuptohet edhe me ndihmën e vyer të krimit), që të qeverisë vendin. E paguajmë shtrenjt me qeverisjen e tij vituale, po aq shtrenjt e paguajmë edhe në “bordero” me pagën mujore, por kryeministri de jure, është kthyer de facto si gazetar portalesh, televizionesh dhe gazetash.

Ai gjeti kohën e “çmuar” të linte punët e shtetit dhe ulej vënçe në një shkrim të gjatë, për të bërë një koment mbi komentin e Elez Biberajt, Drejtorit të Zërit të Amerikës.

Rama u shpreh i pezmatuar sesi një staturë ikonë e gazetarisë shkruan për të se: “Rama është bërë dukshëm më i korruptuar”! Kjo e ka “prekur thellë” kryeqeveritarin tonë që në shtjellimin e analizës së tij, gjykon se kjo është një padrejtësi e madhe që po i bëhet, një perceptim gazetersk, sidomos nga këta të Tiranës, që po kthehet në një fabul pa ngjyrë e thelb.

Ankohet Rama se media po i bie në qafë, përbetohet në shkrim se nuk ka dorë në sistemin e ri të drejtësisë, që nuk kontrollon gjykata e prokurori, që nuk i ka zaptuar institucionet e pavarura.

Po përse i djeg kaq shumë një shkrim analizë? Sepse Rama e di mirë se sado të thotë se edhe “Zeri i Amerikës” është një “media kazan”, edhe vetë e kupton se është klithja e fundit e një bote mediatike që ulëret për instalimin e autoritarizmit, korrupsionit, oligarkisë dhe lidhjes me botën e zezë të krimit, që për Ramën kjo e fundit është gjithnjë rozë.

Po ky kryeministër që të paktën shkrimi i ka kushtuar më shumë se një orë, nuk e përdori penën për të treguar fakte që të kundështojë autorin kritikues. A ka shifër Rama që të thotë se ka luftuar korrupsionin në qeverisje? A ka një shifër që të rrëzojë “perceptimin masiv” për kanabizimin e vendit? A di të tregojë me shembuj kompani ndërkombëtare që kanë investuar në Shqipëri?

A është i gatshëm të pohojë që 1/3 e Shqiptarëve nuk jetojnë në kufijtë e minimumit jetik (vetëm mbajnë frymën gjallë)?

Këto nuk kanë rëndësi. Për të e rëndësishme është që me penë e penel të “pikturojë” dhe transmetojë një Shqipëri vituale. Edhe pse gjithë institucionet në letra të pavarura janë nën hyqmin e tij, kryeministri “ulëret” se nuk është autoritar. Vetëm nuk e mohon që ka paksa arrogancë, por kjo i vjen nga padrejtësitë që thuhen për të!

Duhet pranuar, kryeministri është rrezik i madh për gazetarët. Nëse atij i jepet të drejtojë një media, është i gatshëm ta mbajë vetë të gjithë “fluksin e punës”. E kemi rival të madh. Është “drejtues” emisioni, kryeredaktor, “gazetar terreni”, spiker i programit “Rama dhe ministrat e tij”, por mbi të gjitha është autori i veprës: “Shqipëria në humnerë”.

(Boldnews.al)