Rama: Zona të kontaminuar nga parregullësitë, burg për inspektorët

411
Kryeministri Rama paralajmëroi sot se shteti do të jetë më vigjilent për kthimin në shina të tregut të barnave.
Duke i konsideruar si krim, si tregtimin e ilaçeve në kanale të pasigurta ashtu edhe ruajtjen e tyre në kushte të papërshtatshme, Rama shpehu bindjen se aksioni kundër informalitetit do të sjellë barna dhe materiale mjekësore më të sigurta.
Rama: “Shteti nuk mund të jetë në lartësinë e përgjegjësisë së tij nëse arka e shtetit vidhet përditë, duke devijuar paratë që i takojnë individëve si qytetarë në kanalet e hajdutërisë siç i thonë në shqip, informalitetit. Dhe pastaj deformimi i tregut, tregtimi në kanale të pasigurta të barnave mjekësore është edhe më shumë sesa hajdutëri, është krim. Sikundër është edhe më shumë sesa mungesë përgjegjësie në raport me shtetin, ruajtja e materialeve mjekësore në kushte të papërshtatshme. Kjo mungesë standartesh ka dhe një kosto ekstra përveçse një kosto financiare.
Synimi ynë është rritja e transparencës në marrëdhënien mes ofruesve të shërbimit dhe njerëzve në nevojë në shërbimin mjekësor. Kjo marrëdhënie shërbimi është dhe ekonomike.Qoftë fatura, qoftë kuponi tatimor, janë elementë thelbësor të kësaj marrëdhënie për të garantuar standarte. Janë një pamje, pjesët e së cilës nuk mund të qëndrojnë të shkëputura nga njëra-tjetra. Nëse kuponi tatimor përdoret gjërësisht në farmacitë e vendit, nuk mund ta themi këtë për shërbimin dentar, ekzaminimet laboratorike apo imazherike.
Lufta kundër informalitetit do të sjellë barna dhe materiale mjekësore më të sigurta qoftë për nga origjina, qoftë për nga procedurat e vendosjes në treg, qoftë për nga zinxhiri i shpërndarjes. Paralelisht me kërkesën për zbatimin e detyrimeve nga të gjithë ne do të angazhohemi me të gjitha forcat për të penguar që ata që e deformojnë tregun në rrugët e konkurencës së pandershme të dëmtojnë ata të cilët i nështrohen kuadrit ligjir në sferën e aktivitetit të tyre”.
Përgjegjës për informalitetin inspektorët
Gjatë një takimi për informalitetin me mjekët, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Shëndetësisë Beqja, Rama tha se përgjegjësinë kryesore për informalitetin e kanë inpektorët.
Fundi i tyre në çdo shkelje do të jetë burgu, deklaroi ai, duke shtuar se ndëshkimi i tyre nuk do të jetë vetëm në kushtet e flagrancës kur kapen me para në duar, por edhe nëse zona që mbulojnë rezulton problematike.
Rama: “Informaliteti nuk është vepër ekskluzive e aktorëve të tregut. Zinxhiri i informalitetit nuk fillon dhe nuk mbaron vetëm përmes hallkave të një malli që prodhohet, importohet, shpërndahet dhe në fund shitet. Pjesë jetike e këtij zinxhiri janë inspektorët, janë bashkëpunëtorë aktivë në mbajtjen lidhur të zinxhirit të hajdutërisë.
Për këtë arsye në paketën ligjore kundër informalitetit që do të kalojë në Kuvend në javët e ardhshme do të ndëshkojë të gjithë ata inspektorë që fshehin aktivitetin ekonomik apo tregtar që kanë për qëllim të kontrollojnë, apo bashkëpunojnë për të njëjtin qëllim në funksion të marrjes së ryshfetit do të ndëshkohen me heqje lirie.
Do ndëshkohen jo kur të kapen me para në dorë, por kur zona e veprimtarisë së tyre të gjendet e kontaminuar nga ky bashkëpunim. Se unë mund ta kuptoj një shitës në një fshat të largët që shet pa kupon, por nuk mund ta kuptoj dot një dyqan apo farmaci që nuk jep kupon mes qytetit. Ka vetëm një mundësi, që inspektori përkatës të jetë në librin e pagave të pronarit të farmacisë, asnjë mënyrë tjetër”.
Skllevërit dhe skllavopronarët
I ashpër Kryeministri ishte edhe punën në të zezë.
Rama: “Nuk ka asnjë mundësi që në mes të Tiranës, Vlorës, Shkodrës, skllavëria e punës në të zezë të vazhdojë të jetë kaq e pranishme. Duke e konsideruar skllavërinë e punës në të zezë si krim, paketa e re ligjore ka vetëm një përcaktim për çdo rast kur në një kompani apo aktivitet ekonomiko-tregtar zbulohet një skllav, një vajzë, një djalë, një burrë, një grua që mbahet i lidhur për fyti, që nuk ekziston por si një hije punon dhe jashtë orarit për të marrë një copë bukë, heqje lirie për skllavopronarin. Pronar skllevërish që bëjnë biznes në Shqipëri mund të ketë, por do të jenë vetëm ata që do të kenë një kurajo aq të madhe sa për të pasur skllevër të bëjnë hallall dhe heqjen e lirisë.Prandaj duhet të jemi të gjithë bashkë që të gjithë ushqyesit e këtij kanceri të identifikohen. Ne po pregatisim dhe një masë tjetër për të incentivuar denoncimin e çdo skllavi. Do të japim honorar me garancinë e ruajtjes së anonimitetit për çdo skllav që do denoncojë skllavopronarin e tij”.
Sigal