Rama-Xhafaj: PD po nxin Shqipërinë, lobim me krimin

592
Kryeministri akuzon kreun e opozitës për prishjen e imazhit të vendit. Ministri i Brendshëm: Ja bandat e Elbasanit
Kryeministri Rama dhe kreu i opozitës Basha kanë replikuar ashpër në seancën e djeshme në Kuvend. Kryeministri Edi Rama i ka cilësuar si deklarata që vijnë nga dëshpërimi akuzat e PD-së dhe kryetarit të saj për lidhje të qeverisë me krimin. “Po ia hiqni tullat partisë tuaj një e nga një dhe këtë nuk e them unë por rezultati që ju ka sjellë këtu. Dhe do të vazhdoni t’ia hiqni nëse nuk e kuptoni se cili është roli juaj në këtë skemë”, deklaroi Rama pas fjalës së kreut demokrat. Shefi i qeverisë e ka cilësuar si të papranueshëm përdorimin e termit “krimi etnik shqiptar”, një term sipas tij i promovuar nga nacionalistët në qarqet evropiane. “Ky term të çon tek një pyetje, po ju politikanët etnikë shqiptarë çfarë jeni, kur nuk dini të ndani politikën tuaj me racizmin evropian në Evropën e sotme, që synojnë kundërvënien ndaj projektit të Evropës së bashkuar për të cilën jemi të angazhuar të gjithë?”, ka thënë Rama. Për kryeministrin, krimi etnik shqiptar është një shprehje raciste që duhet ta neveritin të gjithë, “ndërsa ju takoheni me ata që e përdorin dhe kjo më nxori këtu”, u shpreh Rama. Ai shtoi se “të bësh politikë me krimin është të bësh lobim për krimin. Dhe ju këtë keni 4 vjet e kusur që bëni dhe për këtë arsye jeni në këtë gjendje. Mbyllni çadrat”.

Xhafaj: Elbasani, reagim për goditjet e policisë
Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ka reaguar ndaj akuzave të kryetarit të opozitës për lidhje të qeverisë me krimin. “Sapo ndoqëm një hartim politik që ka qëllim të vetëm të nxijë realitetin e vendit, gjë që ju e bëni përditë në kancelaritë perëndimore”, ka thënë Xhafaj duke iu drejtuar Bashës. Shefi i Ministrisë së Brendshme ka theksuar se, edhe gjatë qeverisjes së kaluar raporte të institucioneve ndërkombëtare tregonin se, “mbjellja e kanabisit ishte në mbrojtje të shtetit dhe shteti nuk kishte kurajë të ndërhynte”. “Në këto vite qeveria është përballur me këtë realitet. Por sot kemi numrin më të ulët të mbjelljes së bimëve të kanabisit. Nuk është në dinjitetin tuaj dhe as në nevojën që kemi për të adresuar këto probleme që të nxijmë gjithçka”, ka vijuar Xhafaj, i cili ka folur edhe për ngjarjen në Elbasan, ku u godit makina e nëndrejtorit të policisë. “Ngjarja në Elbasan është reagim ndaj rritjes së goditjes së krimit nga policia. Gjendja e policisë në Elbasan do të jetë pjesë e një analize të thellë dhe po ashtu edhe rrjedhja e videos që përbën sekret hetimor”, deklaroi ministri, duke shtuar se kishte kërkuar instalimin e drejtuesve të policisë në qytetin problematik. “Kam kërkuar të analizojnë jo thjesht dhe vetëm ngjarjen e ndodhur, sikurse është pasqyruar në media, e cila ka në vetvete problematikat e saj, por një analizë shumë më të plotë që të nxjerrë në pah shkaqet e vërteta të situatës kriminale lidhur me këto dy grupe kriminale, ‘Çelaj’ dhe ‘Çapja’, në mos gaboj. Po ashtu i kam kërkuar Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) dhe Drejtorisë së Standardeve në Drejtorinë e Policisë së Shtetit të analizojnë veprimet dhe mosveprimet e Policisë apo të individëve të veçantë, pavarësisht detyrës që kanë”, tha Xhafaj.
Prokuroria zgjeron hetimet
Prokuroria e Përgjithshme dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda kanë zhvilluar dje një takim me prokurorë dhe drejtues të policisë që merren me hetimin e ngjarjeve në Elbasan. Në analizën e takimit ka qenë gjendja kriminale në qytet, si dhe ngjarjet e ditëve të fundit. Gjithashtu, fokusi është vendosur edhe në veprimin apo mosveprimin e policisë, pas goditjes së automjetit të njërit prej drejtuesve të saj vendorë. Nuk ka mbetur jashtë vëmendjes edhe shqyrtimi i daljes në publik të materialeve sekrete nga burime të institucioneve shtetërore.
Sigal