Rama-Xhafaj, një marrëdhënie dhe dy pista

579
Marrëdhënia mes kryeministrit Rama dhe ministrit të tij të Brendshëm, Xhafaj, është komentuar shumë prej vitit të shkuar. Ardhja e Xhafajt në krye të Ministrisë së Brendshme pas “lëmshit” të Saimir Tahirit pati sponsorizim të fortë ndërkombëtar dhe veçanërisht amerikan. Këtë fakt, edhe vetë Xhafaj, publikisht modest, tashmë duket se e pranon më lirshëm kur ia shtrojnë, jo më si pyetje, por si konstatim në studio televizive. Përpara se të mbërrihej këtu, ndërkombëtarët kishin bërë disa përpjekje te kryeministri për ta larguar Tahirin nga Ministria e Brendshme. Lëvizja erdhi shumë vonë dhe dëmi është përpara syve të të gjithëve. Një dëm që e detyroi Xhafajn, por edhe vetë Ramën, t’i hipnin kalit të vetingut edhe në polici. Me spaletat e ndërkombëtarëve dhe njerëzve që telefonojnë dendur në Uashington, Fatmir Xhafaj rimori në shtator 2017 frenat e Ministrisë së Brendshme, duke bërë të qartë dëshirën për ndryshim. Një konflikt i parë i tij me shefin e qeverisë do të raportohej ai për drejtuesin e policisë. Pas disa përpjekjesh, Rama sërish u dorëzua, sërish me vonesë, si në rastin “Tahiri”, por prej fillimit të janarit 2018 u detyrua “të lajë duart” me Ministrinë e Brendshme. “Komandanti” i vetëm i uniformave blu mbeti Xhafaj dhe shumë linja komunikimi e komandimi, herë paralele e herë të kithëta, morën goditje. Lëvizjet në prokurori dhe agjenci të tjera i “erdhën për shtat” ministrit të Brendshëm, që nisi të zbatonte më në fund edhe operacionin e ndëshkimit të grupeve të krimit të organizuar. “Forca e Ligjit” kishte nevojë për forcë dhe Xhafaj po e merrte gradualisht fuqinë. Vetë Rama mungoi në ceremoninë e shpalljes së operacionit dhe protagonizmi i tij, edhe publik për çështjet e policisë, po vinte në rënie. Rasti i kapjes së një sasie gjigante kokaine në territorin shqiptar duket se i vuri vulën një marrëdhënieje të alternuar mes kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm për çështjet e sigurisë dhe luftën ndaj krimit të organizuar. Për këtë mjafton të renditen disa fakte, që ndihmojnë për të kuptuar se ndoshta Rama dhe Xhafaj ndodhen në një vagon, por shikimet nuk i kanë të drejtuar në një pikë.

Fatmir Xhafaj u shfaq jo në formë në seancën e së hënës në Kuvend. Një replikë normale e krye/opozitarit Basha e vuri në sikletin e dikujt, që di shumë dhe flet pak, “i bukosur” nga frika se mund të prishë punë. Po t’u referohesh të dhënave të policisë, “operacioni i bananeve” kishte nisur dhe ishte në zhvillim me mbikëqyrjen e ngarkesës. Kryeministri kishte fluturuar në Londër dhe planet e tij parashikonin të fluturonte sërish drejt Sofjes dhe më pas drejt Shteteve të Bashkuara për një takim me lobin hebre. Në Kuvend, Xhafaj pothuajse e paralajmëroi se diçka e madhe do të ndodhte. Mëngjesin e 28 shkurtit (dy ditë pas seancës në Kuvend dhe 8 ditë pas mbërritjes së anijes), ai do të përdorte rrjetet sociale, fans i të cilave nuk është, për të njoftuar se kishte ndodhur “një super-aksion i Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligj-zbatuese vendase dhe të huaja. Goditje e fortë trafikut ndërkombëtar të drogës”. Disa minuta më pas policia dhe prokuroria dhanë detajet dhe shifrën e frikshme të 180 milionë eurove kokainë. Ajo që trazoi situatën ishte deklarata përshëndetëse e kryeministrit Rama. Aty flitej për një operacion tërësisht shqiptar. Çfarë kishte ndodhur? A ishte kryeministri në dijeni të gjithçkaje? A e dinte ai fillimin dhe fundin e “operacionit të bananeve”? Apo dikush, brenda e jashtë Shqipërisë, kishte preferuar ta linte në gjysmë/errësirë? Mos vallë vetë Rama zgjodhi të distancohej me mjeshtëri për t’i drejtuar prozhektorët drejt Xhafajt? Lajmet nga Amerika Latine dhe konfirmimet zyrtare nga policia kolumbiane i mëshojnë versionit të Xhafajt për bashkëpunim ndërkombëtar. Për herë të parë Ambasada e Shteteve të Bashkuara do të bënte një deklaratë të përbashkët me Administratën Anti-Drogë të SHBA (DEA). Vetë ministri i Brendshëm, si një politikan i regjur, bëri një hap pas dhe publikisht nuk e kundërshtoi shefin e tij. Por të besosh se qentë e Durrësit nuhasin më mirë se ata të vendeve të tjera, me hundë e veshë ngritur për kokainën që lundron prej dekadash, mbetet e vështirë të besohet. Ajo që nuhatja e opinionit publik mund të kapë është e qartë: Kanali që furnizon Ramën dhe Xhafajn nuk është më i njëjtë. 
Sigal