Rama vazhdon fushatën, përplaset me qytetarët

508
Sigal

Megjithë dekretin e presidentit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, Kryeministri Rama ka vijuar me mitingjet elektorale. Dje ai vizitoi qarkun e Korçës, ku u shpreh i vendosur për t’i zhvilluar zgjedhjet vendore më 30 qershor.

Teksa prezantoi kandidatin socialist për Bashkinë Korçë Sotiraq Filo, Rama deklaroi se megjithëse opozita ka bojkotuar zgjedhjet, qytetarët po mbështesin më shumë se kurrë Partisë Socialiste:

“Megjithëse nuk kemi kundërshtarë, unë shoh përballë meje masën më të madhe të njerëzve që janë mbledhur për të mbështetur PS-në, për të mbështetur një kandidaturë të PS-së, dhe besoj kjo lidhet me faktin që ju jeni këtu jo thjesht për të mbështetur Sotiraq Filon, por familjen dhe qytetin tuaj.”

Vizita e Ramës në Korçë nuk kaloi pa incidente pasi deputetë dhe mbështëtës të Partisë Socialiste dhe Lëvizjës Socialiste për Integrim protestuan në dy anët kryesore të rrugës Korçë-Bilisht me pankarta në duar teksa eskorta e kryeministrit po kalonte.

Si përgjigje ndaj protestave, kryeministri Rama u shpreh:

“E vetmja viktima e atyre protestave është Shqipëria, është ekonomia e njerëzve të thjeshtë. Në 30 qershor do vendoset një kufi i qartë dhe përfundimtar për ata që i kanë dhënë të drejtën vetes gjithë jetën që të jenë mbi ligjin.”

Deklaratave të Ramës nga Korça, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha iu përgjigj duke thënë se “30 qershori do të jetë varreza politike e Edi Ramës, shokut të Avdylajve dhe bandave të krimit”.

Zoti Basha tha se “nuk ka zgjedhje pa opozitën”, dhe se vazhdimi i fushatës zgjedhorë “është krim veçanërisht në kushtet e dekretit të presidentit”.