Rama urdhëron: Asnjë drejtor në Këshillin e ri Bashkiak!

455
Kryesocialisti Rama në një urdhër të brendshëm dërguar të gjitha degëve të PS-së dhe bashkive në rrethe, ka kërkuar prerazi që “pas 21 qershorit 2015, asnjë drejtues institucioni nuk do të ketë shansin të jetë në Këshillin e ri Bashkiak, por listat do të kenë emra të rinj”. Kjo padyshim ka krijuar një situatë jo të mirë, dhe nuk është mirëpritur nga shumica e drejtorëve socialistë në Elbasan. Pavarësisht se fushata ende nuk ka nisur, pikërisht do të jenë drejtorët që do të mbajnë peshën kryesore të saj, duke angazhuar forca njerëzore dhe ato materiale në ndihmë të fitores së kandidatëve të tyre në bashkitë e komunat. Por urdhri i ardhur nga kryesocialisti, ka qenë i prerë, dhe natyrisht askush nuk ka shansin ta diskutojë atë.
Drejtorët e bashkisë, edhe anëtarë të Këshillit Bashkiak
Mësohet se në Këshillin Bashkiak aktual në Elbasan, mbi 70 për qind e tij janë drejtorë ndërmarrjesh dhe institucionesh. Kjo gjendje, padyshim, ka sjellë edhe ujdira për probleme dhe vendime të ndryshme, që merren dhe miratohen. Veç kësaj, drejtorët e ndërmarrjeve të bashkisë, marrin edhe një rrogë të dytë, duke qënë edhe anëtarë të Këshillit Bashkiak. Sipas një drejtori socialist, “ky urdhër ishte befasues për ne, nuk ka qenë ndonjëherë e kufizuar prania jonë në Këshillin Bashkiak, kjo natyrisht pasi kemi qenë pjesë e listës, por tashmë një urdhër i ardhur na e ndalon. Ne jemi dhe do të jemi pjesë aktive e fushatës së 21 qershorit, dhe nuk ka pse të mos jemi edhe në listën e partisë për anëtarë këshilli”. 
Revolta nën zë, kundër urdhërit të Ramës
Mësohet, gjithashtu, se shumica e drejtuesve, pavarësisht se nën zë, janë shprehur kundër këtij urdhri, i cili duhej më pare të diskutohej nga forumet e degëve në bazë. Të paktën për Elbasanin, dega e PS-së për qytetin dhe fshatrat, mbetet e distancuar nga raportet normale me emrat që përfliten për kandidaturat e bashkive dhe komunave për zgjedhjet e 21 qershorit. Dhe konkretisht ,kryetarët e PS-së, respektivisht Astrit Halili dhe Luljeta Arapi, prej afro 2 vitesh nuk kanë komunikim fare me kandidatin e kësaj partie për Bashkinë e qytetit, zotin Qazim Sejdini, i cili duhet thënë se edhe në zgjedhjet e kaluara pothuajse nuk ka patur asnjë mbështetje nga ata para dhe gjatë fushatës. Kjo situatë vazhdon të jetë akoma e tillë, por edhe më e ashpër se 4 vite më parë, pasi prej tyre kërkohet të merret mendimi për hartimin e listës së emrave që do të kandidojnë në shkallë qarku.
Klanizimi i PS-së
Klanizimi i PS-së në këtë qark, duket se do të vazhdojë të jetë i tillë, edhe gjatë ditëve të fushatës, ndërkohë që pas urdhrit të Ramës, për të mos lejuar asnjë drejtor të jetë në listën e anëtarëve të Këshillit Bashkiak, janë zgjuar inatet e vjetra. E ndërsa drejtuesit e PS-së në këtë qark kërkojnë ushtrimin e kompetencave dhe të autoritetit të tyre partiak, duket se hartimi i listës së re me emrat e atyre që do të zgjidhen si anëtarë të Këshillit Bashkiak, do të jetë edhe përplasja e re klanore e cila ka gjasa të përfundojë sërish me ndërhyrjen e Ramës, natyrisht në favor të kandidatit fitues të zgjedhur prej tij. 
Sigal