Rama ultimatum ministrave: Në burg, të gjithë ata që do të shkelin ligjin!

550
Sigal

Kryeministri i sapozgjedhur mbledh anëtarët e qeverisë jashtë pranisë së gazetarëve

Kryeministri i zgjedhur nga votat e 23 Qershorit ka paralajmëruar dje, në takimin e parë të zhvilluar në selinë rozë, se çdo shkelje ligjore, çdo aferë korruptive dhe çdo skandal i vërtetuar do të ballafaqohet direkt me Prokurorinë shqiptare. Në takimin e djeshëm që u zhvillua jashtë kamerave, Kryesocialisti u ka bërë apel ministrave të kabinetit të tij që të kenë kujdes nga aktet korruptive, se ndryshe askush nuk do të gjejë mbrojtje nga qeveria. ‘Të gjithë ata që do të rrëshqasin në këto pozita do të përballen me drejtësinë”, u shpreh ai. Midis të tjerave, Rama porositi ministrat e sapozgjedhur që të bëjnë gati bashkëpunëtorët dhe ekipet e tyre, për të filluar nga puna. Nga ana tjetër, kryesocialisti paralajmëroi 19 personat e caktuar për qeverisjen e re, që të harrojnë, pushimet turistike apo lejet e zakonshme. “Që nga ky moment, askush të mos më kërkojë leje, se pastaj përgjegjësinë do ta mbajë vetë”, është shprehur ai, Kryeministri i zgjedhur Edi Rama zhvilloi dje, në mesditë në selinë rozë një takim me ministrat e rinj të PS, ku i porositi ata për sfidën e madhe që do të marrin përsipër së shpejti. Një ditë pasi publikoi emrat e kabinetit qeverisës, Rama thirri sot në një takim me dyer të mbyllura ministrat e sapozgjedhur nga radhët e PS për kabinetin e ri qeverisës. Në takimin një orësh nuk morën pjesë 5 ministrat e zgjedhur nga radhët e LSI.  Kështu, Rama priti dje, zv/kryeministrin Niko Peleshi, ministrin e Financave Shkëlqim Cani, ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, ministren e Mbrojtjes Mimi Kodheli, ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati, ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj, ministrin e Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri, ministren e Zhvillimit Urban dhe Turizmit Eglantina Gjermeni, ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja, ministri i Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolli, ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Erjon Veliaj, ministrin për Inovacionin dhe Administratën Publike Milena Harito, ministrin për Çështjet Vendore Blend Cuci, ministrin për Marrëdhëniet me Parlamentin Ilirjan Celibashi. Mësohet se, në këtë takim është diskutuar edhe për punësimet në administratë si dhe për punën që e presin qeverinë e re. Sipas njoftimeve bëhet e ditur se porosia ka qenë për largimin e menjëhershëm nga puna të militantëve demokratë, për t’i zëvendësuar ata me anëtarë dhe profesionistë të PS Nuk ka pasur ndonjë njoftim zyrtar për qëllimin e këtij takimi me dyer të mbyllura dhe pritet që vetë selia rozë të bëjë të ditur detaje të tjera rreth kësaj tryeze, që pati mbledhur dje,vetëm ministrat e PS-së dhe jo ata të LSI-së.