Rama takon Metën në Kryesi dhe ministrat në selinë e PS-së, para nisjes së Kuvendit

447
Pak përpara nisjes së punimeve të Kuvendit, kryeministri Edi Rama po zhvillon një takim me kryeparlamentarin Ilir Meta në Kryesinë e Kuvendit. Më herët, kryeministri ka mbledhur në selinë e PS-së, disa ministra dhe deputetë të Partisë Socialiste. Mësohet se në takimin që ka zgjatur rreth 60 minuta ishin të pranishëm, ministri Brendshëm Saimir Tahiri, ministrja Lindita Nikolla, ministrat Klosi dhe Bushati, si dhe deputetët Gramoz Ruçi dhe Koço Kokëdhima. Momentalisht nuk ka të dhëna rreth asaj që është diskutuar në takim, ndërsa mësohet se Rama ka thënë vetëm se bëhej fjalë për “çështje partie”.
Në krye te axhendës së seancës së parë të Kuvendit është shqyrtimi i kërkesës së Prokurorit të Përgjithshëm për dhënie autorizimi për arrestimin e deputetit socialist Armando Prenga. Të dielën në mbrëmje Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve miratoi kërkesën e kryeprokurorit që kërkonte autorizimin e parlamentit për arrestimin e deputetit në fjalë, i cili akuzohet se në orët e para të datës 5 shtator u përfshi në një konflikt të dhunshëm në Kurbin, nga ku mbetën të plagosur 7 persona, dy prej tyre me armë zjarri. Deputeti Prenga u arrestua në kushtet e flagrancës, por për ta mbajtur në gjendje arresti, për shkak të imunitetit parlamentar, nevojitet autorizimi i Kuvendit.
Sigal