Rama shpërndan ministrat në rrethe, bashkëqeverisje apo taktikë e kryeministrit? Të gjithë skenarët

539
Rama shpërndan ministrat në terren, çfarë synon kryeministri
Anëtarët e kabinetit qeveritar kanë lënë zyrat për të nisur takimet me qytetarët. Bashkëqeverisje apo skemë politike e Ramës?
Në kulmin e debateve dhe diskutimeve për negociatat me BE-në dhe çështjen “Tahiri”, ministrat e qeverisë “Rama 2” prej disa ditësh janë shpërndarë në terren. Kryesisht në ditët e fundjavës, anëtarët e kabinetit kanë shtuar mbledhjet e takimet me qytetarët, duke vënë theksin në një komunikim më intensiv për shumë probleme. Vetë kryeministri është shfaqur në disa takime me qytetarët, duke këmbëngulur te bashkëqeverisja, ndërsa ende mbetet në pritje të një vendimi nga Bashkimi Evropian për hapjen ose jo të negociatave për anëtarësim. Vendimi duket jo i lehtë, ndaj lëvizjet politike të Ramës dhe shtimi i intensitetit të takimeve me qytetarët kanë rritur jo pak aludimet se shefi i qeverisë është duke përgatitur skenarët e tij politikë, në varësi të vendimit të fundqershorit. 
Ministrat në rrethe
Gjatë javës së shkuar, ministrat kryesorë të qeverisë kanë qenë të shpërndarë në rrethe. Zv/kryeministrja Mesi dhe ministri Bushati janë shfaqur në takime në Shkodër, ndërsa ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ka marrë pjesë në forumet e hapura për sigurinë publike në Durrës e Lezhë. Ministri i Mjedisit e Turizmit, Blendi Klosi, krahas qarkut që mbulon si drejtues politik, atij të Beratit, ka marrë pjesë në aktivitete në Shkodër. Në Berat ai është shoqëruar nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, së bashku me krerët e hipotekave e ALUIZNI-t. Nuk ka mbetur jashtë turit edhe ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, e cila ka marrë përsipër qarkun e Dibrës. Në qarkun e tij të preferuar, atë të Korçës, është kthyer edhe ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi, i cili ka zhvilluar takime në Maliq. Ndërsa ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, vazhdon të mbulojë zonën e Kavajës e Rrogozhinës, ku ka organizuar disa biseda me qytetarët. Në Kavajë, në takimet e turit “Puna për Shqipërinë që duam” ka qenë edhe ministrja e Arsimit, Rinisë e Sportit, Lindita Nikolla, ndërsa ajo është rikthyer me aktivitete edhe në qarkun e Lezhës, së bashku me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. Jashtë skemës së takimeve për llogaridhënie ka mbetur ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, i angazhuar në disa takime jashtë vendit. 
Skenarët
Zhurma e çështjes “Tahiri” dhe kërkesat e vendeve të ndryshme të Bashkimit Evropian ndaj Shqipërisë e bëjnë jo të lehtë për kryeministrin vendimin e fund-qershorit për hapjen ose jo të negociatave për anëtarësim. Ndaj, sipas burimeve politike, kryesocialisti po “gatuan” skenarët e tij. Një prej tyre është ai i ndryshimeve të thella në qeveri në verën e ardhshme. Vetë kryeministri ka premtuar edhe publikisht një analizë të thelluar të qeverisjes në 300 ditët e para të mandatit të dytë, që përkojnë pikërisht me nisjen e korrikut. Duke larguar disa nga ministrat aktualë, kjo do të shërbente për drejtuesin e qeverisë si alibi për mosrealizimet e konstatuara nga BE e qytetarët, ndërsa do t’i krijonte mundësinë kryeministrit, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, të avanconte drejt zgjedhjeve vendore të mes-vitit të ardhshëm. Zgjedhje që mund të shërbejnë edhe si një test real për qeverisjen, pavarësisht se ato do të jenë vetëm vendore. Ndërkohë, analistë të ndryshëm nuk kanë përjashtuar edhe skenarin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, që duket ende i vështirë të realizohet. Burime politike theksojnë gjithashtu se e gjithë lëvizja aktuale e qeverisë dhe seria e takimeve për bashkëqeverisje apo llogaridhënie mund të jetë thjesht një hap taktik i Ramës për të spostuar vëmendjen nga problemet që e shqetësojnë më shumë mazhorancën. Fokusimi te problemet administrative dhe shqetësimet e qytetarëve synon, sipas burimeve, të mbajë larg akuzat për krimin e drogën. 
Rama: Fushata sapo ka nisur
Kryeministri Edi Rama deklaroi dje se fushata e bashkëqeverisjes me njerëzit, e cila sapo ka nisur, do të shtrihet në të gjitha njësite administrative të 61 bashkive të vendit. “Çfarë kemi bërë në gjashtë muajt e parë të këtij mandati të koalicionit me qytetarët; çfarë do të bëjmë më tutje, po edhe çfarë duhet të korrigjojmë së bashku, pa humbur kohë në çdo zonë, sidomos në shërbimet publike. Ftojmë të marrin pjesë të gjithë qytetarët e interesuar, pa dallim partish, për të bashkëbiseduar drejtpërdrejtë për ekonominë, taksat, koncesionet, sigurinë, infrastrukturën, arsimin e shëndetësinë, si edhe për të identifikuar së bashku dhe larguar nga detyra, drejtuesit e përgjegjësit e zyrave të shërbimeve që nuk janë në lartësinë e pritshmërisë së komunitetit”, u shpreh Rama. Ai ftoi qytetarët të shkruajnë për ankesat e tyre. “Dhe mos harroni: shqiperiaqeduam.al është ura që na lidh për të zgjidhur hallet tuaja me zyrat e shtetit dhe pastruar zyrat nga grabitqarët e parazitët që nuk kanë bërë detyrën ndaj jush, për zgjidhjen në kohë të këtyre halleve”, tha Rama.
Takimet e ministrave
Senida Mesi Shkodër
Fatmir Xhafaj Lezhë, Durrës
Olta Xhaçka Dibër
Ditmir Bushati Shkodër
Blendi Klosi Berat, Shkodër
Etilda Gjonaj Berat
Damian Gjiknuri Durrës
Arben Ahmetaj Rrogozhinë, Kavajë
Niko Peleshi Korçë, Maliq
Lindita Nikolla Kavajë, Lezhë
Ogerta Manastirliu Lezhë
Sigal