Rama: Pasi takova Lulin, jam bërë demokrat

437
Kryeministri vijon fushatën në Peshkopi dhe kërkon mbështetje
Nga një takim elektoral me gratë dhe vajzat në Peshkopi, kryeministri Edi Rama foli për votën, që sipas tij duhet ta marrin ata njerëz që bëjnë punët më mirë. Duke ironizuar, Rama tha se që kur ka takuar Bashën edhe ai është bërë demokrat. “Në fund të ditës vota është për të marrë në punë grupin e njerëzve që do të kryejnë më mirë sipas teje punët që ti ke nevojë. Po e marr nga fëmijët, duke menduar për gjithë prindërit që janë demokratë, demokratë jemi të gjithë ne, sidomos pasi takova dhe Lulin edhe unë demokrat jam. Por po flasim për ata që janë me bindje të djathta, që unë nuk e di se çfarë domethënë kjo, por nejse dhe do shkojnë të votojnë”, tha Rama. Në takimet elektorale, Rama i ftoi votuesit t’i japin Partisë Socialiste mundësinë të qeverisë e vetme, pa e ndarë pushtetin me aleatë të tjerë. Në turin e tij në verilindje, kryeministri ka inspektuar disa nga investimet e qeverisë. Projekti i Rilindjes Urbane për Ulzën, me një financim prej 700 milion lekësh nga qeveria e ka transformuar tërësisht qytezën e lënë në harresë prej vitesh. Kryeministri Edi Rama inspektoi shëtitoren e re të qytetit. Në kuadër të këtij projekti janë rehabilituar tërësisht fasadat, si dhe është ndërtuar sheshi i qytetit, së bashku me rrugicat kryesore të tij. Kryeministri Rama u takua edhe me banorë të Ulzës, të cilëve iu bëri të ditur se veç këtyre ndryshimeve në saj të Rilindjes Urbane, një tjetër projekt që do ta zhvillojë me tepër Ulzën është ai për shëtitoren buzë liqenit, e cila do t’i japë një zhvillim akoma të madh zonës dhe do ta bëjë edhe më atraktive atë për turistët. “Jam shumë i impresionuar. Unë kam qenë këtu. Ka qënë një tmerr. Tani është bërë si një qytezë jashtë shtetit. Duhet bërë një lloj shëtitore poshtë te liqeni, se po qe se rregullohen këto poshtë dhe shtëpitë t’i ndihmojmë të rregullohen, këtu bëhet turizëm”, u shpreh Kryeministri. Kryetari i Bashkisë u shpreh se ky investim jo vetëm ka ndryshuar pamjen e qytetit, por nxit edhe ekonominë lokale. Ndërkohë, me një investim prej 120 milionë lekë ka nisur ndërtim i Unazës së Klosit, një domosdoshmëri për qytetin për shkak edhe të kalimit nëpër qytetet të makinave të rënda të kromit nga miniera e Bulqizës. Kryeministri Edi Rama inspektoi punimet për Unazën, për të cilën theksoi se nisur nga rëndësia që ka për qytetin, ndërtimi i saj ishte një premtim i bërë gjatë fushatës elektorale të vitit 2015 dhe tani ka nisur ndërtimi, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve lokale. “Ishte zotim që bëri Valbona në fushatë, që do bëjmë unazën, pavarësisht që Valbona nuk ia doli që të fitonte. Po pak rëndësi ka kjo. Njerëzit janë njësoj, janë si kudo. Nuk lidhet kjo me çfarë ngjyre ka fanella e kryetarit të Bashkisë. Por lidhet me çfarë nevojash kanë njerëzit. Kështu që do bëjmë më shumë akoma. Shpresojmë që të kemi më shumë bashkëpunim dhe projekte nga Bashkia”, tha Rama. Si pjesë e Rilindjes Urbane, në Klos fillon së shpejti edhe projekti i rehabilitimit të fasadave. Në mbrëmjen e djeshme, kryeministri Rama ka kaluar iftarin në Dibër, duke darkuar me besimtarët myslimanë. Gjatë fjalës së tij ai ka treguar se çfarë i ka thënë Ilir Beqaj para se të shkonte në iftar. “Para se të vija këtu Ilir Beqaj më kërkoi që të ndërrohesha. Janë dritëshkurtit ata që merren me veshjen time”, tha Rama, i veshur me tuta sportive. Kohët e fundit kryeministri Rama ka qenë shumë i komentuar për veshjen e tij.
Sigal