Rama në Shijak: Zgjedhjet jo për të mbajtur SHQUP-in me gajret, por për qytetarët

617
Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht Kryetar i Partisë Socialiste, prezantoi sot kandidatin e Aleancës për Shqipërinë Europiane në bashkinë e Shijakut, Ardian Kokomani. Kryeministri Rama i theksoi se edhe në Shijak, do të vazhdojnë ato transformime që sapo kanë nisur. “Faktikisht, për çështje ditësh do të fillojë rindërtimi i të gjithë këtij sheshi, i cili nga një udhëkryq me pluhur dhe me zhurmë, do të kthehet në një shesh të denjë për të gjithë qytetarët e Shijakut. Në një shesh për të rinjtë, për të moshuarit, në një shesh që do të jetë guri i themelit për të ngritur hap pas hapi, murin tonë të Rilindjes në të gjithë bashkinë e Shijakut”, tha Rama.
Kryeministri i shprehu mirënjohjen, respektin dhe falënderimin, kryetarit të bashkisë së Shijakut, Indrit Buka, i cili sipas kreut të qeverisë, “me nder dhe me dinjitet e drejtoi këtë bashki në 4 vitet e shkuara dhe që sot ia dorëzon stafetën kryetarit të ri të bashkisë re”. Rama tha se, “bashkia e re e Shijakut ka një territor shumë më të madh dhe ne besojmë që kandidati ynë, për të marrë stafetën, është njeriu i duhur për të çuar Shijakun në drejtimin e duhur”.
“Zgjedhjet e 21 Qershorit nuk janë zgjedhje për të mbajtur SHQUP-in me gajret, nuk janë as zgjedhje për ato muhabete që bën SHQUP-i, do ulim çmimin e dritave, do bëjmë taksat zero, do bëjmë këtë mrekulli dhe atë mrekulli. Por, ata ngaqë nuk kanë gjë në dorë, i bëjnë të gjitha. Këto zgjedhje janë zgjedhje për çdo familje, janë zgjedhje ku çdo prind, çdo gjyshe dhe gjysh, çdo vajzë dhe djalë që ka të drejtën e votës do të shkojë të votojë për atë që familja ka nevojë në këtë qytet. Për çerdhen, në qoftë se ka një çerdhe dhe duhet të bëhet më e mirë, po ashtu për kopshtin, për shkollën, qendrën shëndetësore, kanalet ujitëse dhe kulluese, po ashtu për sportin. Këto mund t’i bëjë vetëm një kryetar bashkie që ka të gjithë mbështetjen e qeverisë. Prandaj, votën për Ardian Kokomanin nuk ua kërkoj thjesht për të, por ua kërkoj për të pasur unë si Kryeministër dhe ne si qeveri, këtu në Shijak, një njeriun tonë, një partnerin tonë dhe një drejtuesin tonë, me të cilin të punojmë për Shijakun, natë-ditë. 
Zgjedhja është shumë e qartë, por mendja është gjë e madhe, siç i thotë populli. Prandaj unë do ju drejtohem grave që janë këtu, se me gratë e kam besimin më të madh. Nuk thotë kot populli, nëse do muhabet rri me burrat, nëse do të mbarosh punë, ja ku i ke gratë. Ndaj unë i them grave që kjo fushatë është shumë e rëndësishme, në radhë të parë për gratë dhe për vajzat. Jo më kot kemi vënë 50% gra dhe vajza në Këshill Bashkiak. Unë besoj shumë që gratë do të jenë në gjendje t’ia tregojnë burrave drejtimin e duhur. Unë besoj që jemi në drejtimin e duhur dhe besoj që të gjithë ata që e dinë se çfarë është puna, që e dinë që gjërat që bëhen me punë nuk bëhen asnjëherë lehtë, por bëhen me mund dhe kërkojnë kohë. Nuk diskutohet që janë të bindur që jemi në drejtimin e duhur”, u shpreh kryeministri Rama.
Sigal