Rama në Sauk: Votoni Partinë Socialiste, ajo di të bëjë shtet, PD e shkatërron atë

404
Fushata zgjedhore ende nuk ka nisur zyrtarisht, por forcat politike prej ditësh kanë nisur të zhvillojnë takime. Kryeministri Edi Rama, zhvilloi një takim me banorët e Saukut.
Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm gjatë ditës së djeshme në takimi që Partia e cila ai kryeson, zhvilloi me banorët e zonës së Saukut. Në fjalën e tij Rama foli ashpër kundër Partisë Demokratike, rivalit të tij në këto zgjedhje, edhe pse deri në 25 qershor kanë rënë dakord të qeverisin së bashku. “Nëse doni ata policët barkderra që hanë fara dhe nuk dinë të bëjnë punën votoni PD, nëse doni njerëzit të varen në kangjellat e spitalit me recetë në dorë, votoni PD. Nëse ju ka marrë malli për një shkollë që mund të merrni diplomë pa frekuentuar, votoni PD. Nëse doni të fillojë historia e maturës shtetërore që bëhet kopje shtetërore, shkoni votoni PD. Nëse doni që reformat të kthehen 3 vite pas, votoni PD. Por nuk besoj se do e bëni këtë pasi, PS është alternativa e zhvillimit. Brenda pak minutash i japim rrugë Vetingut në Parlament”. Ai foli për marrëveshjen, për të cilën tha se ishte e domosdoshme për të siguruar pjesëmarrjen e gjithë qytetarëve në zgjedhje. “Ne arritëm të imponojmë ndryshimet kushtetuese edhe pse nuk kishim shumicën e nevojshme, edhe Vetingun që zhbllokohet. Ja dolëm që PD të kthehet në zgjedhje, se ne kemi thënë gjithmonë, i duam në zgjedhje sepse duam të gjithë qytetarët në zgjedhje. I duam në zgjedhje sepse na shijon më shumë fitorja ballë për ballë se sa duke i lënë në çadër. Ajo që është e rëndësishme është se ne nuk shkelëm kushtetutën, nuk shkelëm as ligje kur shtymë me 1 javë datën e zgjedhjeve, ishte e vetmja shtyrje e mundshme ligjore. Ne besojmë që nëse u themi njerëzve që duam të bëjmë shtet, duhet të jemi të parët që respektojmë ligjin. Nëse u themi njerëzve që jemi të gjithë të barabartë para ligjit, jemi të parët që duhet të sillemi si të barabartë”. Por si gjithmonë Rama nuk harroi të falënderoj kreun e Bashkisë Tiranë, Erjon Veliaj. Sipas tij falë punës së Veliaj, kryeqyteti ka marrë tjetër pamje. “E falënderoj që ka ndryshuar Tiranën. Mu kujtua kur vija këtu të bëja fushatë si kryetar Bashkie. Tani ka ndryshuar çdo gjë prej lali Erit. Luli e mori Bashkisë edhe pse ju nuk ia dhatë. Dhe si gjithmonë gjumë. Nuk punoi krahasuar me lali Erin. Me Veliajn, Tirana ka marrë gjithë ritmin që humbi”, tha Rama. Por i gjithë ky transferim sipas Kryetarit të Bashkisë Erjon Veliaj nuk mund të bëhej, nëse nuk do të kishte mbështetjen e qeverisë dhe kryesisht të kryeministrit Edi Rama, të cilin e përshëndeti. “Sot e kemi shumë më kollaj të bëjmë urbanizim, e kemi shumë më kollaj të hedhim asfalt, e kemi shumë më kollaj të bëjmë lulishte, e dini pse? Qeveria e Edi Ramës thuajse ka legalizuar gjithçka, që ishte për të legalizuar në këtë njësi dhe në të gjithë Shqipërinë. Nëse në 4 vitet e Edit si kryeministër u legalizua 10-fish më shumë se ata të tjerët imagjinoni se ç’mund të bëjmë në 4 vitet e tjera për të përfunduar të gjithë procesin e legalizimeve. Nëse në 4 vite u arrit të zhbllokohet procesi i Vetingut dhe është çështje minutash përpara se Edi Rama të kthehet në Parlament për të votuar vetingun dhe për t’i dhënë të gjithë shqiptarëve drejtësi”, tha Veliaj, Kreu i Bashkisë kërkoi mbështetjen e qytetarëve për të votuar PS në mënyrë që të vijojë mbështetjen për investimet në Tiranë.
Sigal