Rama në Korçë: Do bëjmë transformim urban në 70 qytete të vendit

224

Kryeministri Edi Rama në një vizitë në qytetin e Korçës, prezantoi projektin e sheshit qendror të këtij qyteti. Ai tha se rikonstruksioni i sheshit qendror të Korçës është vetëm fillimi i një programi për transformim urban të 70 qyteteve të vendit, që ka nisur pikërisht nga Korça. Më tej shtoi se nga Korça nis një model i qëndrueshëm i një zhvillimi urban për vendin, njëherësh edhe fillimi i mbajtjes së zotimit për rilindjen urbane të Shqipërisë. Gjithashtu në këtë vizitë, Kryeministri i vendit në një tryezë diskutimi, prezantoi dhe projektin për restaurimin dhe kthimin në identitet të “Pazarit të Vjetër të Korçës”, një nga projektet më të medha të Bashkisë së Korçës. Të pranishëm ishin edhe Zëvendëskryeministri Niko Peleshi , kryebashkiaku Sotiraq Filo dhe përfaqësues të tjerë të jetës politike, shoqërisë civile e etj. Kryeministri Rama tha se: “ky Pazar shumë shpejt do të shndërrohet në një qendër graviteti të jetës shoqërore dhe ekonomike dhe një potencial më shumë për Korçën turistike. Ky projekt, që po prezantohet sot, ka një rëndësi të madhe për trashëgiminë kulturore edhe në nivel kombëtar, është një projekt i detajuar, i cili jo vetëm do të kthejë në identitet një pasuri të rrallë kombëtare por gjithashtu do të gjenerojë potencial ekonomik.”