Rama: Ndërhyjmë në Kodin Zgjedhor nëse PD reflekton

458
Kryeministri Edi Rama përjashtoi mundësinë për të tjera bisedime me Partinë Demokratike që ajo të futet në zgjedhje, por nuk përjashton mundësinë e një zgjidhjeje të minutave të fundit.
“Nëse Partia Demokratike reflekton dhe na kërkon që të hapim rrugën e regjistrimit, ne jemi të gatshëm që ta bëjmë këtë duke ndërhyrë në Kodin Zgjedhor për t’i dhënë mundësi PD që të regjistrohet, por pa koalicione”, deklaroi ai i pyetur në Top Story nga Sokol Balla.
Kryeministri u shpreh i bindur se koalicioni me LSI-në do të vazhdojë edhe pas 18 qershorit, pavarësisht rezultatit, që dy partitë më të mëdha të mazhorancës aktuale do të kenë në zgjedhje, ku do të garojnë më vete.
“Do të hyjmë në garë veç, por nuk ka asnjë dilemë që ne do të kërkojmë të vazhdojmë me LSI-në në koalicion, pastaj vendimi i takon LSI-së”, thotë ai.
18 qershori, sipas Kryeministrit, nuk përcakton vetëm mazhorancën e re.
“Vettingu bëhet më 18 qershor dhe për këtë arsye shqiptarët duhet të votojnë, sepse duhet të marrin hak për 25 vjet shkatërrime, abuzime, dërrmime, sakatime të të drejtës së pronës, së jetës, të së drejtës së dhënë nga ligji dhe të mohuar nga maliqi dhe duhet të marrin hak për të përcaktuar Shqipërinë që do të kemi”, u shpreh ai.
Sigal