Rama: Ministrat teknikë largohen në 26 qershor

445
Kryeministri Edi Rama i ftuar në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu foli për marrëveshjen mes mazhorancës dhe opozitës.
Rama tha se ndjehet mirë që Shqipëria dhe shqiptarët janë më të qetë se kurrë.
Sipas Ramës, kjo qeveri është për të trajtuar një problem që nuk i gjendet shoku dhe që është problemi tradicional i kontestimit të zgjedhjeve dhe kontestimet pas zgjedhjeve.
Kreu i qeverisë tha se opozita ka sytë dhe veshët brenda qeverisë dhe do jenë aty deri në 25 qershor.
“Në rast se 25 qershori do të nxjerrë fituese Partinë Socialiste, ata në datën 26 nuk do të jenë më ministra. Ata janë ministra për të garantuar se administrata do të bëjë administratën dhe partitë bëjnë fushatën. Kjo është detyra e këtyre ministrave, nuk ka asnjë procedurë tjetër që lidhet me politikat e qeverisë.”
Duke folur për marrëveshjen e 18 majit me kryeopozitarin Basha, e cila nxori opozitën nga çadra duke mundësuar pjesëmarrjen e saj në zgjedhjet e 15 qershorit, Rama tha se “kjo marrëveshje dhe këmbëngulja ime është një zgjidhje që nderon Shqipërinë, është një zgjidhje që ka befasuar pozitivisht të gjithë komunitetin ndërkombëtar, sepse të mësuar me konflikte pafund, as nuk e kanë pritur që më në fund vetë shqiptarët dhe partitë që kanë qenë bartëse të një konflikti tradicional të gjejnë zgjidhje racionale. Mund t’ju them se po të shikojmë shifrat e konsumit pas marrëveshjes ka një ndryshim të menjëhershëm në krahasim me shifrat e konsumit të para marrëveshjes. Çka do të thotë se njerëzit janë të interesuar për partitë e tyre, janë të interesuar për fushatën por mbi të gjitha janë të interesuara për qetësi, për të menduar qetësisht për të nesërmen e tyre.”
Sigal