Rama, Meta dhe Basha në tryezën e Nishanit për drejtësinë

449
Sigal

TIRANË – Prania e tre pushteteve në tryezën e parë për reformimin e sistemit të drejtësisë, për presidentin e Republikës, Bujar Nishani, përkthehet në përkushtim dhe mbështetje ndaj saj. Si ndërmarrës i kësaj iniciative, kreu i shtetit çeli axhendën e ngjeshur të kësaj dite e cila përmbyllet rreth orës 17:00.

Për herë të parë, kryeministri Edi Rama dhe kundërshtari i tij politik, lideri i opozitës Lulzim Basha janë ulur në një tryezë për të paraqitur pikëpamjet e tyre në lidhje me këtë reformë të rëndësishme, nga ku është thënë nga të gjitha palët se është një domosdoshmëri për të mbajtur sistemin e drejtësisë sa më larg nga ndërhyrjet politike.

“Kam marrë përgjegjësinë kushtetuese dhe qytetare të angazhohem me kontribut konkret në reformimin e sistemit të drejtësisë. Prania e tre pushteve, do të thotë se kjo reformë do të ketë të gjithë përkushtimin, vëmendjen dhe mbështetjen që ajo meriton, e koordinuar kjo dhe me vëmendjen e partnerëve, e bën të vetmen rrugë për kryerjen dhe suksesin e kësaj reforme. Nuk është një iniciativë simbolike, por një nismë serioze për të krijuar një reformë serioze, e cila duhet të jetë tërësore, gjithëpërfshirëse dhe e orientuar drejt parimeve evropiane për një gjyqësor të paanshëm”, tha Nishani në fjalën e tij. 

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Europian dhe Këshilli i Europës nëpërmjet Komisionit të Venecias, do të monitorojnë çdo hap të reformës në drejtësi për të cilën sot në këtë tryeze palët do të japin opinionet e tyre për të arritur ne konkluzione të përbashkëta që duhen ndjekur për kryerjen e kësaj reforme.
 
Meta: Reforma domosdoshmëri, forcojmë zbatimin e ligjit, që deri më tani nuk ka ndodhur
Ora 9:52 Në fjalën e tij, Kreu i Kuvendit Ilir Meta, duke e cilësuar reformën në drejtësi si një domosdoshmëri, theksoi se ajo vjen në kuadër të forcimit të zbatimit të ligjit, pasi siç u shpreh ai, në shumë raste kjo nuk ka ndodhur, çka ka sjellë edhe pakënaqësi nga ana e qytetarëve.

Duke përshendetur pjesëmarrjen e opozitës në këtë tryezë, Meta nënvizoi se ajo mund të luajë një rol të rëndësishëm në realizimin e kësaj reforme. Sipas Metës, reforma në sistemin gjyqësor, duhet të jetë e pavarur nga politika por jo nga zbatimi i ligjit, pasi në të kundërt ajo godet besimin e qytetarëve, zhvillimin dhe integrimin e vendit. Meta nënvizoi se qytetarët shqiptarë janë të pakënaqur me drejtësinë në vend dhe se presin një sistem gjqësor të paanshëm dhe efektiv.

Ilir meta

“Falenderoj Presidentin për iniciativën e tij për reformën në sistemin gjyqësor. Ky është një rast i mirë për reformën në sistemin në drejtësi, jo si një qëllim në vetevete, por si një domosdoshmëri për rritjen e zbatimit të ligjit. Përshëndes pjesëmarrjen e opozitës, dhe shpresoj të jetë hapi i parë drejt rikthimit në jetën parlamentare. Drejtësia e mohuar godet besimin e njerëzve, pengon integrimin e vendit dhe zhvillimin e tij. Sistemi i drejtësisë duhet të ndryshojë pasi shumëkush është i pakënaqëur. Që në fillim të këtij viti ne kemi parashtruar nevojën e reformimit të sistemit të drejtësisë. Unë besoj se opozita do të luajë një rol të rëndësishëm në këtë reformë, që do të na afrojë edhe më tepër me integrimin e vendit. Me reformë në gjyqësor priten të krijohen kushte për të qenë i pavarur nga poltika, por jo e pavarur nga zbatimi i ligjit siç ka qenë në shumë raste. Qytetarët presin një drejtësi efektive, të shpejtë dhe të paanshme.” theksoi Meta

Kreu i Kuvendit, u shpreh se për një sistem drejtësie të paanshëm, nevojitet transparencë dhe llogaridhënie, të cilat do të sjellin pasoja edhe në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.  Sipas kryeparlamentarit, problemi më i madh në vend mbetet zbatimi i ligjit në praktikë, çka sipas tij duhet konsoliduar.

Lidhur me këtë Meta vlerësoi mbështetjen e ndërkombëtarëve, ku theksoi se rekomandimet e tyre, do të jenë udhërrëfyesi për reformën në drejtësi.

“Nuk mund të ketë pavarësi reale nëse nuk ka transparencë, llogaridhënie. Ato do të sjellin madje pasoja në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Jemi të ndërgjegjshëm se problemi më i madh është zbatimi i ligjit në praktikë. Kjo praktikë, në rastin e reformës në drejtësi duhet të jetë më e konsoliduar. Rekomandimet nga KE do të jenë udhërrëfyes i kësaj reforme.” tha Kreu i Kuvendit
 

“Disa nga anetaret e KLD nuk i bindet llogaridhenies”
Më tej, Meta shtroi problemin e vendosjes së kritereve për anëtarët e sistemit të drejtësisë, mes të cilëve edhe të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Sipas Metës, disa nga anëtarë të sistemit të drejtësisë, mes të cilëve edhe të KLD nuk i binden llogaridhënies.

“Në çështjen e dytë besoj se duhen vendosur kritere më të qarta për anëtarët e sistemit të drejtsisë. Kjo është e vërtetë edhe për KLD që përçon vullnetin e Kuvendit për zbatimin e ligjit. Unë jam mëse i sgurt se disa anëtarë nuk i binden llogaridhënies. Reforma në drejtësi nuk është vetëm një domosdoshmëri e së tashmes por edhe e së ardhmes, pasi ajo do të rrisë besimin e qytetarëve tek drejtësia, zhvillimin e vendit, procesin e integrimit.” përfundoi Meta


Nishani: Prania e tre pushteteve, dëshmi për përkushtim ndaj reformës
Ora 09:37 Kreu i shtetit në fjalën e tij që celi tryezën disa orëshe të diskutimeve për reformën në drejtësi, ngriti disa nga problemet që has sistemi dhe ndryshimet e nevojshme që duhen. Sipas tij. Një pagë më e lartë do të motivonte integritetin e gjyqtarit, ndërsa shtoi se statusi i gjyqtarit ka nevojë për përmirësim.

“Një reformë reale dhe eficente duhet të mbajë parasysh faktin se drejtësia është në themel të funksionimit të shtetit, një shërbim thelbësor për qytetarët.
Infrastruktura e gjykatave duhet futur në axhendën e investimeve. Do të shmangej korrupsioni në çështjet e shortit. Regjistrimi audio dhe në një hap të mëvonshëm video, do të vinte përpara një përgjegjësie të madhe prestarët e drejtësisë.

“Të përcaktohet drejtë statusi i gjyqtarëve”
Statusi i gjyqtarëve ka nevojë për tu përcaktuar drejtë. Një status profesional, i caktuar në referim të viteve të shërbimit dhe performancës do të ndihmonte në identifikimin e kapaciteteve më të mira në radhët e gjyqtarëve”, tha Nishani.

bujar nishani

“Të reformohen burimet e furnizimit me gjyqtarë e prokurorë”
Sipas tij, ka nevoje për reformimin  vetë ligjit që përcakton burimet e furnizimit të gjyqtarëve, që sipas kreut të shtetit deri tani është i kufizuar. Presidenti Nishani tha se studentët që vijnë nga perëndimi janë një potencial rezervë deri tani i pashfrytëzueshëm, i cili në vijim duhet parë si burim nga i cili të dalin gjyqtarë dhe prokurorë.

“Të trajnohen gjyqtarët për cështjet ndaj minoreneve”
Nishani përmendi edhe mungesën e Gjykatës për trajtimin e minoreneve që përfshihen në vepra penale, duke ngritur nevojën e trajnimeve të veçanta të gjyqtarëve për të ndjekur këto çështje.
 
“Të hedhim shtyllat e reformës, të përvetësojmë kritikat e vlerësimet”
Në fund kreu i shtetit e mbylli me apelin: “Kjo tryezë synon të hedhë shtyllat mbi të cilat do të ngjizet kjo reformë. Do doja të ftoja të pranishmit të përvetësojmë kritikat, vlerësimet e agjencive ndërkombëtare, t’i bashkojmë me mendimin e faktorit vendas dhe t’i shfrytëzojmë si pikënisje për reformën”.