Rama më në fund pranon moshapjen e negociatave dhe të gjitha gënjeshtrat e tij

644
Sigal

Kryeministri Edi Rama pranoi sot për herë të parë se negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE nuk do të hapen as këtë qershor.

“Kam shumë besim që nuk do të na e mbyllin derën e asaj paradhome [të negociatave] këtë vit. Është folur për shtatorin nga pala gjermane, po kurrsesi për mosçelje negociatash për ndonjë arsye që lidhet me Shqipërinë.”

Pas vendimit të Këshillit Europian në qershor 2018 për të shtyrë hapjen e negociatave me Shqipërinë, Rama ka këmbëngulur në çdo dalje publike se në fakt Këshilli kishte vendosur se negociatat do të hapeshin në qershor 2019. Kjo nuk është e vërtetë. Në vendimin e Këshillit Europian shkruhej tekstualisht se Këshilli ra dakord “të përcaktojë rrugën drejt hapjes së negociatave të anëtarësimit me këtë vend [Shqipërinë] në Qershor 2019”. Pra, Këshilli vuri kushte të qarta për Shqipërinë, përmbushja e të cilave do të shqyrtohej në qershor 2019.

Me pohimin se negociatat nuk do të hapen në qershor 2019, Kryeministri pranoi sot se këmbëngulja e tij se kjo do të ndodhte ka qenë në fakt një mashtrim.

Gjithashtu, ai pranoi se për thuajse një vit i ka mashtruar shqiptarët duke u thënë se në qershor 2018 Këshilli Europian kishte vendosur të hapte negociatat me Shqipërinë një vit më pas, në qershor 2019.

Sot Kryeministri Rama pranoi për herë të parë edhe se Parlamenti gjerman ka fuqinë për të ndaluar hapjen e negociatave. Ai tha se ky parlament kishte nevojë për më tepër kohë për të shqyrtuar raportin e Komisionit Europian, që pritet të dalë në fund të muajit maj, pas zgjedhjeve për në Parlamentin Europian.

Për vite me radhë Kryeministri ka këmbëngulur se Parlamenti gjerman ishte i parëndësishëm në marrjen e këtj vendimi për Shqipërinë, pasi këtë e vendoste Kancelarja Merkel. Pavërtetësinë e këtij pohimi, që Rama e pranoi sot, Exit e ka trajtuar edhe më herët. Parlamenti gjerman është i vetmi parlament ndër vendet e BE-së që ka të drejtë vetoje ndaj qeverisë për çështje të integrimit europian.

Në vitin 2018, Kryeministri Rama dhe mediat pranë tij sulmuan kryetarin e Komisionit për Çështjet e BE-së në Bundestagun gjerman, Gunther Krichbaum, i cili tha se Shqipëria do të hapte negociatat vetëm kur të përmbushte kushtet. Ndër kushtet që Krichbaum theksoi ishte reforma zgjedhore, e cila ende nuk është kryer.

Edhe në nëntor të vitit 2016, Rama sulmoi ashpër, po njësoj, deputetët e parlamenteve të BE se po shfrytëzonin Shqipërinë për populizmin e tyre në politikën e vendeve të tyre. Ai tha se këta deputetë po shpiknin kushte, po shtrembëronin raportin e Komisionit Europian dhe po i gëzoheshin famës në mediat shqiptare. Edhe atëherë Krichbaum sapo i kishte përcjellë qeverisëshqiptare mendimin e Bundestagut kundër hapjes së negociatave. Rama e sulmoi po njësoj dhe përsëriti se vendimin e merrte Merkeli.

Kryeministri tha sot se për shkak të dinamikave të zgjedhjve për në Parlamentin Europian, “është folur për shtatorin nga pala gjermane, po kurrsesi për mosçelje negociatash për ndonjë arsye që lidhet me Shqipërinë”. Ai tha se arsyeja gjendet te zgjedhjet europiane.

Gënjeshtrat e Kryeministrit, së paku që nga qershori i kaluar, nuk mund të justifikohen as me ndryshimet që kanë sjellë zgjedhjet europiane të majit 2019 në politikat e vendeve të BE-së, sic ai pretendon. Këto janë zgjedhje të rregullta, jo të parakohshme, që mbahen një herë në pesë vjet, në fund të majit ose në fillim të qershorit. Mbajtja e tyre dihej prej pesë vitesh dhe Kryeministri është përgjegjës për ta ditur këtë informacion dhe për t’i përshtatur synimet e qeverisë, nëse këto zgjedhje qenkan kaq vendimtare për Shqipërinë.

Më tej, Rama nuk e bëri të qartë se për se ka folur pala gjermane në lidhje me muajin shtator. Sidoqoftë, është e sigurtë se nuk ka folur për hapjen e negociatave atëherë.

Më e mundshmja është që në shtator Parlamenti gjerman të marrë një vendim për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë. Ky vendim, bashkë me vendimet e secilës qeveri të vendeve të BE-së kalon nga Këshilli i Ministrave BE-së, të cilët gjithashtu marrin një vendim për hapjen ose jo të negociatave. Këshilli i Ministrave zakonisht mblidhet dy herë në vit – në qershor dhe në dhjetor. Axhenda e mbledhjes së dhjetorit zakonisht nuk përfshin çështje të zgjerimit të BE-së. Më pas vendimi i Këshillit të Ministrave i përcillet në formë rekomandimi Këshillit Europian, që përbëhet nga krerët e qeverive të secilit vend anëtar. Vendimi unanim i këtij këshilli është faza e fundit për hapjen e negociatave.

Pra, edhe nëse të gjitha këto vendime për hapjen e negociatave me Shqipërinë janë pozitive, në kushte normale hapja e negociatave ka pak gjasa të miratohet përpara dhjetorit. Në rast se ndonjëri prej këtyre vendimeve do të jetë negativ, atëherë vendimi i radhës do të jetë në qershor 2020. Qershori i vitit 2020 është periudha më e arsyeshme për të pritur një vendim për Shqipërinë.

Duke parë nevojën e Parlamentit gjerman për më tepër kohë për të shqyrtuar raportin, si dhe kritikat e tyre për përmbushjen e kritereve nga qeveria shqiptare, është e pritshme që ky parlament të mos votojë pro hapjes së negociatave.

Nga ana tjetër edhe Franca ka një qëndrim kundër zgjerimit të BE-së në afatshkurtër. Sipas Financial Times, Presidenti Makron ua bëri të qartë drejtuesve të Ballkanit Perëndimor se ata duhet të rregullojnë njëherë punët në vendet e tyre, pasi BE nuk do të zgjerohet së shpejti. Kjo mund të sjellë një votë kundër edhe nga qeveria franceze.

Gjermanisë dhe Francës i shtohet edhe Holanda, parlamenti i së cilës ka rol këshillimor ndaj qeverisë për hapjen e negociatave. Para pak javësh ky parlament kërkoi rikthimin e vizave për qytetarët shqiptarë për shkak të rrezikut të kriminelëve shqiptarë për sigurinë e Holandës.

Sot Kryeministri kundërshtoi gjithçka që ka thënë vetë ndër vite në lidhje me hapjen e negociatave. Ai duket se u përpoq, duke folur në mënyrë të paqartë, të linte të kuptohej se hapja e negociatave vetëm sa po shtyhet për në shtator, për shkak të rrethanave të brendshme të BE-së. Në fakt, kjo është e pavërtetë dhe gjasat janë të mëdha që një vendim për Shqipërinë të merret në qershor 2020.