Rama: “Më kërkove pushtet në tavolinë”. Basha: “Gënjen për të mbuluar panikun që të ka mbërthyer!”

474
Sigal

Edi Rama, me një goditje të stilit “poshtë brezit” sulmoi dje Lulzim Bashën, duke deklaruar se i ka kërkuar pushtetin në tavolinë. “Nuk kanë asnjë ide, asnjë shpresë. Me vota nuk na mundin dot. Ma ka kërkuar Luli. Ata duan pushtetin në tavolinë. Njëherë ne, njëherë ata. Por këtë s’ia jap dot. Mund t’ia jap edhe gjysmën e zemrës Lulit, por pushtetin nuk ia jap dot.”, tha kryeministri Rama. Por e menjëhershme ka qenë kundërpërgjigja e kreut të PD-së, i cili tha se, jo vetëm nuk ia ka kërkuar kurrë, por edhe se PD-ja dhe koalicioni i saj do të vijë në pushtet me votë. “Marrëzi dhe gënjeshtra për të mbuluar panikun që e ka mbërthyer nga ajo që di çdo shqiptar që Edi Rama mbahet në pushtet vetëm përmes bashkëqeverisjes së tij me krimin…Kurrë nuk kam kërkuar dhe kurrë nuk do të kërkoj pushtet në tavolinë, as pushtet me dhunë! PD dhe koalicioni ynë do të vijë në pushtet me votë të lirë!”, iu këndërpërgjigj Basha. Pas përgjigjes për gazetarët nga Basha, Rama ka shkruar edhe në “Twitter”: “Nuk të vjen zëri dhe s’ke faj! E di dhe unë sa thellë je futur miku im po s’të ndihmoj dot. Nuk ecet me teatër, se ja si vjen puna, del një aktor i papaguar e të nxjerr cullak! Po me kamerat e komisariatit si i bëhet (?)se aty as Taulanti as ai polici s’janë fare! Apo po fle ti tani?”