Rama me gratë në Gjirokastër: Mos i lini burrat të shkojnë në zgjedhje sikur do shkojnë në stadium

453
GJIROKASTËR- Kryeministri Edi Rama është takuar pasditen e sotme me gratë gjirokastrite, të cilave iu ka dhënë disa porosi për zgjedhjet e 25 qershorit. Rama foli për rolin e grave dhe iniciativat e PS-së për kuotimin e detyruar të tyre në forumet e partisë dhe në qeverisje.
“Ne i vumë kuotat për gratë që në statusin e PS kur imponuan përqindje të caktuara që nga niveli i organizatës së partisë deri në Asamblenë kombëtare. I imponuam kuotat dhe në këshillat bashkiakë, 50% burra e 50% gra e sot funksionojnë më mirë.
Gratë janë një garanci më e madhe se burrat kur marrin përsipër një punë. E kam nga eksperienca. Ky nuk është nënvlerësim as diskriminim i burrave, është fakt. Shpesh kam bërë dallimin mes një burri kur merr një detyrë dhe një gruaje kur merr një detyrë. Me një grua grindesh deri sa ta marrë përsipër por kur thotë ‘po’, e bën, ndërsa një burrë nuk e bën, thotë ‘po’ por nuk e bën.
Të gjitha gratë të bashkohen dhe të bëjnë një votë kuqezi, një votë për gratë dhe me gratë dhe të na japin mundësi të kemi një fitore të grave mbi burrat”, apeloi kryeministri.
Ai tha se dilema që shtrohet më 25 qershor është, nëse vendimi do jetë a do ndërtojmë mbi themelet që kemi hedhur shtëpinë tonë të përbashkët deri sa të shkojmë tek çatia dhe më në fund ta kemi shtetin shqiptar një shtëpi ku askush nuk ndihet i shkelur me këmbë apo do kthehemi më mbrapa dhe do përjetojmë një tjetër prishje themelesh.
“Shteti që ne duam nuk është një shtet që e duam për vete apo për një pjese. E duam për gjithë shqiptarët pa dallim.
Shteti që ne duam është një shtet që të garantojë që fëmijët e sotmë e këtij vendi nuk do jenë një gjeneratë e djegur nga marrëzia e pushtetit pa shtet. Siç është gjenerata e atyre që lindën kur ra regjimi i vjetër dhe kaluan një rrugë ku shteti mungoi.
Nëse ne do të interesoheshim më shumë për pushtetin se sa shteti ne nuk do ta nxirrnim Lulin nga çadra dhe do ishim sot në fushatë vetëm dhe do merrnim më shumë se 100 deputetë. Ne nuk duam më shumë pushtet për veten, unë nuk kërkoj më shumë pushtet për veten time. Ju kam kërkuar shqiptarëve të na ndihmojnë të kemi më shumë fuqi për ta”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë foli për dy kryereforma, ajo në drejtësi dhe ajo e administratës publike.
“Ne kemi bërë shumë reforma dhe këto nuk do ishin bërë nëse nuk do kishim koalicioin që kemi sot. Por të gjitha këto reforma kanë nevojë për dy kryereforma: reforma në drejtësi dhe reforma e ndarjes së shtetit nga pushteti. Na duhet që të kemi timonin dhe jo të mbajmë të tjerë në prehër që lëvizin timonin gjithë kohës me kërcënimin se mund të hedhin në kanal. Kjo është çështje sistemi. Ky është themeli që duhet vendosur për të pasur dhomën e administratës shtetërore ku të gjithë shqiptarët të hyjnë e të dalin pa u ndjerë, jo ca të nënës dhe ca të njerkës”, tha Rama.
Ai iu bëri thirrje grave që më 25 qershor të mos i lënë burrat të shkojnë në zgjedhje sikur do shkojnë në stadium dhe të mos votojnë me tifozllëk.
“Ndaj në 25 qershor nuk duhet ti lini burrat të shkojnë në zgjedhje sikur të shkojnë në stadium, sikur duhet të mbështesin Luftëtarin, sepse nuk është futboll. Mund të kesh bindje të djathta por si të votosh Lulin kryeministër? Të jesh i djathtë dhe të votosh Lulin sot do të thotë të jesh tifoz. Zgjedhjet janë mundësia që i jepet njeriut të zakonshëm që do vendosë bashkë me shumicën kë do marrim në punë për të bërë punët e shtetit. Thojini burrave që kur nisen nga Gjirokastra për të shkuar në Tiranë nuk pyesin se me kë parti është shoferi i taksisë”, tha Rama.
Sigal