Rama: Më 26 qershor shkarkohen ministrat teknikë të Bashën

437
Kryeministri Edi Rama, në kuadër të turit elektoral për zgjedhjet e qershorit, u takua me dje me mbështetësit socialistë në Pukë. Në këtë takim, shefi i socialistëve i ka dhënë një përgjigje edhe deklaratave të kreut të opozitës Lulzim Basha, i cili është shprehur se Rama ka varfëruar qytetarët, duke u marrë me palma dhe shëtitore. “Del Luli e thotë palma, bar, lulishte, ndriçim, pllaka, ç’i duhen këto popullit, do bukë, po si mund të vijë buka pa këto? Vetëm deleve nuk i duhen, nuk duan shëtitore delet, parqe e lulishte, delet duan bar dhe stallë, me hongër dhe me flejt, po ka ndryshim mes komunitetit dhe tufës së deleve, janë një tufë njerëzish të mbaruar që s’duan t’ia dinë se këtu lindin njerëz që kanë të drejtë të kenë një jetë përtej jetës së barkut”, u shpreh Rama. Ai shtoi se nuk mund të bënte magji në drejtim të qeverisë. “Do më kishin çuar në Amerikë të bëja magji për ngrohjen globale, por ne nuk jemi këtu për magji, jemi për të bërë shtet dhe kur flet Luli se tani dhe e njoh, nuk është çun i keq, dhe kur thotë unë do bëhem kryeministri juaj, mua më kujtohet sahati i Tiranës. Ai zgjohet vetëm kur ka kamera përpara, kur fiken kamerat duhet me e tund se ndryshe e zë gjumi. Na ngatërroi Saliu se të ishim takuar më para me Lulin nuk do kishte qenë problem”, tha Rama.

Ndërkohë në një intervistë televizive në mbrëmjen e djeshme, shefi i qeverisë ka shpjeguar arsyet e angazhimit të tij të vazhduar, siç e quan ai, për të përfshirë opozitën në zgjedhjet parlamentare. Në një intervistë për “Opinion”, kryeministri Rama tha se me marrëveshjen PS-PD janë vendosur interesat e vendit mbi ato të partive. “Nuk kemi bërë asgjë tjetër me këtë marrëveshje përveçse kemi vendosur interesin e vendit mbi interesin tonë. Po të ishte për interesin e PS, sot Luli do të ishte akoma në çadër, bashkë me grupin që mbante gjallë atë emisionin atje. E do kërkonin leje për të vijuar protestën me rroba banje. Por sot janë në zgjedhje”, u shpreh Rama. Ai shtoi se e ka pasur deri në sekondën e fundit vullnetin për të dhënë një zgjedhje për Shqipërinë. “Kam menduar jo për zgjedhjet e ardhshme, por për gjeneratën e ardhshme”, tha Rama. Kryeministri ka treguar për herë të parë hapur, se ai nuk e ka pranuar paketën “McAllister”. Ai ka shtuar se as nuk do ta pranonte atë në një moment të dytë, por theksoi se ishte për një zgjidhje të përbashkët, ashtu siç edhe ndodhi pas takimit me Bashën. Rama foli edhe për fatin e ministrave teknikë, të cilët u përfshinë në qeveri pas marrëveshjes politike Rama-Basha. i tha se do të shkarkohen pasi nuk janë pjesë e programit të qeverisë. “Në rast se 25 qershori do zgjedhë PS-në në krye të qeverisë, ata s’do jenë më ministra. Ata janë ministra teknikë dhe do largohen, nëse ne fitojmë zgjedhjet”, u shpreh Rama. Një zv/kryeministër, 6 ministra dhe 5 drejtorë të rëndësishëm, krahas edhe KQZ-së e Avokatit të Popullit, u propozuan nga opozita, e cila kërkoi për disa muaj largimin e kryeministrit Rama nga drejtimi i qeverisë.

Rama, inspektime në Rilindjen Urbane
Si pjesë e fushatës elektorale, kryeministri Rama u ndal në bashkinë e Rrëshenit për të inspektuar projektin e Rilindjes Urbane. Kryeministri ka inspektuar sheshin e qytetit verior, që po transformohet tërësisht falë investimit të qeverisë. Sheshi i ri ofron tashmë të gjithë parametrat moderne urbane, që nga shtrimi me gurë, trotuaret dhe i gjithë sistemi ndriçimit dhe gjelbërimit. Bashkia e Rrëshenit ka përfituar edhe nga investimet në kanalet kulluese dhe ato të vaditjes, tjetër prioritet i qeverisë shqiptare për të rilindur bujqësinë. Në sajë të investimeve të Bashkisë së Rrëshenit në sistemin arsimor, aktualisht po kryhet edhe rikonstruksioni i shkollës 9-vjeçare të qytetit.
Sigal