Rama mbyll provat gjenerale, për ndryshimet kushtetuese, sipas modelit të Putinit

406
Sigal

Opozita e Bashkuar, propozon në Këshillin Politik 100 % Lista të hapura, pa ndryshuar ligjin për koalicionet parazgjedhore dhe është e gatshme të diskutojë ccdo ndryshim tjetër të Kushtetutës. Gjiknuri e refuzon, duke kërkuar 28 firma të deputetëve dhe mungesë kohe. Kryeministri Rama këmbëgul: Do ndryshojmë Kushtetutën për koalicionet

 

Edhe pse kryeministri Rama pranoi marrëveshjen zgjedhore në Këshillin Politik në 5 qershor, marrëveshje e udhëhequr nga ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, dhe e inkurajuar edhe nga ambasadorët e vendeve të BE-së dhe ai britanik dhe OSBE, kryeministri Rama në prapaskenë politike përpiqet që të rrëzojë marrëveshjen dhe të bëjë ndryshime të këtilla kushtetuese, që të sanksionojë  në Reformën e re Zgjedhore, që të ndalojë koalicionet parazgjedhore, edhe pse ato janë dakordësuar në Marrëveshjen e 5 qershorit.  Këto qëllime të kryeministrit  Rama janë kundërshtuar  fort nga opozita e Bashkuar, por edhe nga SHBA, BE, madje DASH, Komisioni Europian, përshëndeti votimin e Marrëveshjes së 5 qershorit nga parlamenti. Në fakt, ndryshimet kushtetuese që kërkon të imponojë  kryeministri Rama, nuk kanë të bëjnë  thjesht me ndalimin e koalicioneve  parazgjedhore, por, kryeministri Rama kërkon të bëjë ndryshime kushtetuese, që t’i zgjasë jetëgjatësinë e tij në pushtet, sikurse bëri edhe Presidenti Putin me ndryshimet e fundit kushtetuese, që i jep të drejtën të rikandidojë  deri në 2036, apo edhe Presidenti Erdogan, që ndryshoi Kushtetutën,  për të jetëgjatësuar pushtetin e vet personal.

 PD: Ndryshimet kushtetuese të tërhiqen nga Kuvendi të vijnë në Këshillin Politik

PD-ja  është e hapur të diskutojë  ndryshimet  kushtetuese që lidhen me zgjedhjet,  por nuk pranon ultimatumet  kohore të PS-së. Përfaqësuesi i opozitës së bashkuar në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi i kërkon mazhorancës që të tërhiqet nga procedurat parlamentare dhe t’i japë kohë  Këshilli Politik. Oerd Bylykbashi:  “Këto çështje duhet të tërhiqen nga parlamenti dhe të vijnë në këshill. Sistemi zgjedhor është rregull themelor dhe për pasojë çdo veprim i njëanshëm shkatërron procesin e reformës zgjedhore. Asgjë nuk është tabu. Të ndryshosh Kushtetutën për 6 ditë,  kur vetëm për Kodin Zgjedhor janë dashur 6 muaj është tregues i asaj që po ndodh në këto momente.  Lista e hapur dhe koalicioni siç ekziston sot janë krejtësisht kompatibël.  Ndërkohë që listat e hapura pa demokratizim të partive,  mund të përfundojnë në të njëjtën situatë si më përpara.”

Dështon  sërish edhe mbrëmë mbledhja e Këshillit Politik

Edhe mbrëmë dështoi mbledhja e Këshillit Politik. Opozita pranoi që të bëhet 100 % hapja e listave, por të mos ndryshohet ligji për ndalimin e koalicioneve parazgjedhore. Mazhoranca nuk e pranoi këtë, duke i kërkuar opozitës që të gjejë 28 firma të deputetëve, për të bërë një kërkesë të tillë.

Bylykbashi: I dhamë modelet në Europë, Gjiknuri refuzoi kategorikisht

Kërkesa e Ramës për hapjen e listave është një farsë dhe justifikim, në funksion të këtij qëllimi që të ndryshojë rregullat e garës së kundërshtarëve të tij. Ne kërkuam pozicionimin politik të përfaqësuesit të mazhorancës nëse ishte për hapjen 100 për qind të listave dhe ai refuzoi në mënyrë kategorike që ta bënte këtë, edhe pse i dhamë modelet në Evropë,  ku funksionon.  Dhe këtu mund të përmend modelin që përdoret në Belgjikë, Holandë, Danimarkë, Letoni, Itali, por edhe në Greqi ku është aplikuar. Këto janë modelet nga ku i kemi marrë prej 17 vitesh. Nëse mazhorancës  nuk i duhen modele, është e qartë e gjitha kjo është një përpjekje e Edi Ramës për të vrarë partitë poltikë për të garuar në liri të plotë.

Gjiknuri: Hapja e listave ka sfida, nuk mund të ndalojmë kohën

Një gjë është për t’u përshëndetur, që risitë kushtetuese që po diskutohen në Kuvend, janë gjetur me vend dhe nga opozita jashtëpalamentare. Në dokumentin e tyre politik të sjellë sot (dje), ata mbështesin hapjen e listave të kandidatëve.  Amendimet kushtuese s’e pengojnë atë që kërkon opozita e bashkuar, e cila mundëson hapjen e listave dhe ia delegon kodit për ta rregulluar. Hapja e listave ka sfida të mëdha administrative.  Ndaj duhet kujdes në mënyrën se si formohen koalicionet. Iu thamë që të gjejnë modelet të vendeve me lista të hapura dhe që kanë koalicione të tilla zgjedhore. Por deri tani nuk kemi gjetur. Rëndësi e madhe është hapja e listave. Dhe unë kam pasur skeptizicmin tim, s’e mohoj.

Monika Kryemadhi: PO listave të hapura 100%.

PO listave të hapura 100%.  Askush, përfshirë dhe kryetarët të mos i fshihen gjykimit të popullit!  Koha për ndryshim cilësor që fuqizon zërin e qytetarëve dhe jep shpresë për ndërtimin e të ardhmes në Shqipëri, si një shtëpi e të gjithë shqiptarëve.

Basha tregon vendimin e Opozitës së Bashkuar: Të hapen listat 100%, koalicionet të mos preken

Kreu i PD-së, Lulzim Basha, ka treguar vendimin e marrë dje në mbledhjen e opozitës së bashkuar. Në një deklaratë për mediet, Basha u shpreh se opozita ka mandatuar Oerd Bylykbashin dhe Petrit Vasilin që të shprehin sot  (dje) qëndrimin për hapje të listave. Sipas numrit një të PD-së, opozita e bashkuar mbështet hapjen 100% të listave, por kërkon që të mos preket formula e koalicioneve dhe e shpërndarjes së mandatave. Basha:  “Marrëveshja e 5 qershorit më në fund  u votua  ditën e djeshme në Kuvend, është një bazë për zgjedhje normale, por nuk është ajo që donim ne. Është një marrëveshje e arrtiur në bashkëpunim me ndërkombëtarë. Dua të përshëndes qëndrimet e ndërkombëtarëve ditën e djeshme pas miratimit të marrëveshjes. Opozita e bashkuar është kundër çdo ndryshimi kushtetues unilateral. PS-ja ka ndryshuar disa herë qëndrim për listat e hapura  dhe  dua të njoftoj opozitën e bashkuar ka mandatuar sot (dje) Bylykbashki  dhe Vasili që sot (dje) në këshillin Politik të deklarojnë e se: Opozita do të mbështesë hapjen 100% të listave dhe të mos preken koalicionet. Ky propozim do të parashtrohet në tryezën e Këshillit Politik.  Po ashtu kërkojmë që të mos preket as formula e shpërndarjes  së mandateve.

 Rama përshëndet qëndrimin e Bashës:  Pozitiv gjysmë- hapi i LBPD-së, koalicionet s’do të ndryshojnë!

Kryeministri Edi Rama  ka përshëndetur  propozimin  e kryetarit të PD-së  Lulzim Basha, për të vijuar dialogun në Këshillin Politik, por me lista 100%  të hapura. Kryeministri Rama sërish këmbënguli, që do të bëjë ndryshime  kushtetuese që do ndalojnë koalicionet parazgjedhore: Mesazhi i Ramës:  “Pozitiv gjysmë- hapi i LBPD-së  për hapjen e listave, që është thelbi i risive kushtetuese!  Si e sa do hapen nga jo më pak se 75% , në 100%,  kjo i takon diskutimeve pas 30 korrikut! Deri në 30 korrik ka rëndësi hapja e sotme e LBPD-së  për listat, çka vetëm votimi 30 korriku e garanton. Sa për koalicionet parazgjedhore,  ato nuk do të ndalohen, thjesht do të standardizohen si kudo në Europë, po edhe kjo,  do të shkruhet e votohet pas 30 korrikut, kështu që për sot, i vetmi ndryshim është hapja e LBPD-së  ndaj risisë kushtetuese që do të sjellim në 30 korrik! Mjaft pozitive.

Petrit Vasili: Pas zellit të PS-së për hapjen e listave fshihej heqja e koalicioneve nga Kushtetuta

Çfarë bëri PS-ja  në Këshillin Politik? Qartësoi një herë e përgjithmonë që çështja e listave të hapura, zelli për të folur për to,  ishin thjesht një farsë, një alibi që bie erë të qelbur dhe kishte të bënte me heqjen e koalicioneve nga Kushtetuta e Shqipërisë.  Listat do jenë të hapura, pra propozimi ishte shumë i qartë. E ndryshojmë Kushtetutën për listat e hapura, PS-ja  pati një jo absolute.  Gjiknuri propozoi që në fillim të mbledhjes që ne të mblidhnim  28 firma për të depozitimin e nismës. Kjo ishte një farsë për të dëmtuar  “5 qershorin”. Opozita ka qenë e qartë, në funksion të asaj për të cilën u fol qartë. Të thuash që unë dua  28 firma domethënë, që unë nuk diskutoj. Gjithë diskutimi ishte për t’i bërë fresk Edi Ramës, që ka vetëm një ide, të shkatërrojë zgjedhjet që nuk i fiton dot.