Rama mbron reformën e arsimit të lartë: Dha rezultate që vitin e parë. Ra “miti” i parasë, mikut e ryshfetit

520
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar paraditen e sotme një leksion të hapur me studentët e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan. Nga salla e leksionit, kreu i Qeverisë ka mbrojtur reformën në Arsimin e Larë, duke u shprehur se rezultatet pozitive janë ndjerë që vitin e parë.

Kujtojmë se disa ditë më parë, gjatë një takimi me të rinjtë në çadrën e protestës, kreu i PD-së Lulzim Basha tha se në ditën e tij të parë si kryeministër do të anulojë ligjin për arsimin e lartë.

Rama tha se në auditorët e universiteteve ka ndjeshëm përmirësim të cilësisë së studentëve, pasi askush me notë më të ulët nuk mund të zinte vendin e dikujt me rezultat më të lartë.

“Reforma e arsimit të lartë është një reformë e thellë dhe do të kërkojë kohë për të dhëna rezultatet e veta të qëndrueshme në ekonominë e vendit. Dhe po kështu do krijojë mundësi për administrimin cilësor të kapitalit intelektual në vend. Që tani shihet qartë se ka një përmirësim të ndjeshëm të cilësisë, pasi rruga e konkurrencës nuk kushtëzohet nga paraja, partia, miku, apo kushëriri; dhe askush që ka më pak pikë nuk i del dot përpara dikujt që ka më shumë pikë, në kërkesën për të shkuar në një fakultet. Ky është rezultati i parë shumë domethënës i kësaj reforme, që do të pasohet nga rezultate të tjera pozitive”, tha Rama.

Duek u ndalur tek Matura Shtetërore, Rama tha se nga një formalitet korruptiv, nga një proces kopjesh, ky proces u kthye në një standard të unifikuar cilësie.

Pas kësaj, kreu i Qeverisë ka vënë theksin tek reforma në drejtësi, duke e cilësuar si “reforma e reformave”.

“Janë bërë reforma në vendin tonë, por vetëm emrin kanë patur të tillë. Pasi kanë qenë arnime të sistemit, dhe vendi ka vijuar në tranzicion, ku peshën e kanë mbajtur individët. Ndërsa reforma në drejtësi synon të përmbysë krejt sistemit”, tha Rama.
Sigal