Rama, mbles i marrëveshjes Thaçi-Vuçiç për ndarjen e Kosovës

607
Sigal

Prof. Dr. Kastriot Islami, ish-ministër i Jashtëm

Rama, mbles i marrëveshjes Thaçi – Vuçiç për ndarjen e Kosovës

Jakup B. GJOÇA

Prof. Dr. Kastriot Islami, ish-ministër i Jashtëm, në pjesën e dytë të intervistës për gazetën “Telegraf” analizon dhe skanon prapaskenat e bisedimeve të kryeministrave Rama dhe Thaçi me presidentin serb Vuçiç, për të arritur marrëveshjen shumë të përfolur për rishikimin e kujfijve, por, sipas ish-ministrit të Jashtëm, Prof. Islamit, kjo është marrëveshje për ndarjen e Kosovës. Prof. Islami pohon se Rama dhe Thaçi po bisedojnë në prapaskenë me Presidentin Vuçit, jo vetëm duke fshehur gjithçka popullit mbarëshqiptar, parlamenteve të Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe aleatëve tanë ndërkombëtarë, të cilët kontribuan në çlirimin e Kosovës, në 1999. Prof. Islami evidenton rreziqet kombëtare për Kosovën dhe Shqipërinë, nëse Thaçi, Rama dhe Vuçiç arrijnë të nënshkruajnë këtë marrëveshje, por shprehet se kjo nuk do të nënshkruhet kurrë, pasi të gjithë faktorët e brendshëm në Shqipëri dhe Kosovë, por edhe partnerët tanë ndërkombëtarë do ta kundërshtojnë.

– Prof. Islami, çfarë problemi ka arritja e një marrëveshjeje mes Thaçit e Vuçiç?

– Së pari, në asnjë nga programet politike të partive politike kryesore në Shqipëri (PD, PS, LSI e tjerë) e në Kosovë (PDK, LDK, VV, e tjerë), por as në programet e qeverisjeve të Shqipërisë dhe Kosovës gjatë 28 vjetëve të fundit, nuk gjendet qoftë edhe një fjali e vetme për çështjen prekjes së integritetit të Kosovës. Madje të gjithë faktorët e brendshëm në Shqipëri e Kosovë, por edhe të gjithë partnerët ndërkombëtarë që kanë dhënë kontributin kryesor për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, kanë pasur një qëndrim të qartë kundër ndarjes së Kosovës, më konkretisht që nga 1999 e deri në shpalljen e pavarësisë është deklaruar kuadri i pavarësisë: i) jo kthim mbrapa i Kosovës nën Serbi, ii) jo ndarje e Kosovës dhe iii) jo bashkim i Kosovës me ndonjë nga shtetet fqinje. Vetëm respektimi i këtij kuadri ka mundur të përcaktojë një “masë kritike” vendesh që e mbështetën pavarësinë e Kosovës; dhe nëse ndonjë nga këto parime do të cenohej, siç po ndodh me tentativat mes Thaçit e Vuçiç, ka shumë gjasa që shumë vende të heqin dorë nga mbështetja e pavarësisë së Kosovës. Së dyti, këta dy personazhe, Thaçi e Vuçiç, por edhe Rama, në asnjë nga takimet e fundit apo të mëparshme, me faktorët e rëndësishëm të integrimit europian, për shembull në Gjermani, Francë apo Holandë, nuk e kanë zënë në gojë një marrëveshje të tillë për cenimin e integritetit të Kosovës, duke i befasuar të gjitha ato me qëndrimin e tyre tinëzar e diabolik. Prandaj, edhe sikur të jetë gjeniale kjo ide e Ramës-Thaçit-Vuçiç, që për më tepër është një marrëveshje e fshehtë dhe e gatuar jashtë vëmendjes së shqiptareve, mundet lehtësisht të cilësohet antishqiptare, por edhe antieuropiane, sepse përmes saj i ngulet thika pas shpine vendeve-lokomotivë të BE-së, ku Shqipëria e Kosova kanë mbështetur shpresat se do të ndihmojnë Shqipërinë e Kosovën të bëhen anëtare të BE. Pra, së treti, Rama dhe Thaçi, duke vepruar kundër Gjermanisë dhe vendeve evropiane po punojnë realisht kundër integrimit të Shqipërisë e Kosovës në BE, duke dëmtuar rëndë edhe procesin e pavarësimit të plotë të Kosovës.

SRBIJA BEOGRAD BEZBEDNOST FORUM

– Cili është roli i Ramës në këtë rast?

– Nuk ka më asnjë dyshim se në dijeni të detajeve të kësaj marrëveshjeje të fshehtë, të procedurave përkatëse dhe të kalendarit kohor të implementimit të saj eventual janë vetëm Thaçi e Vuçiç, ndërkohë që Rama është guruja e saj. Kjo nuk është më një sajesë apo mashtrim me burim nga “kazani mediatik” i Shqipërisë. Sepse, së pari, ai që ka zbuluar rolin e Ramës ka qenë ish-kryeministri i Suedisë, Karl Bild, i cili ka thënë se “për këtë marrëveshje jam bërë me dije nga Edi Rama”, mesa duket pasi ai e kishte gatuar me Vuçiç. Po ashtu, po të rimerren e të analizohen deklaratat e para disa kohëve të Ramës për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën “…në BE apo jashtë BE…” që atëherë cilësoheshin provokative apo prej të marri, del shumë i qartë roli i Ramës. Janë të shumta rastet që ky rol i Ramës është artikuluar edhe nga shumë politikanë të Kosovës. Por, qytetarët e thjeshtë e kanë të vështirë të kuptojnë të vërtetën, sepse Thaçi ka zbuluar deri tani vetëm diçka, kurse Rama ka heshtur, duke mbuluar gjithçka, pavarësisht se ka lënë të kuptohet që e mbështet Thaçin në nismën që çon në marrjen e këtij vendimi. Politikanët dhe qytetarët e Shqipërisë e të Kosovës do t’ju duhet t’i kërkojnë urgjentisht e me forcë, Thaçit e Ramës, sa nuk është ende vonë, detajet për këtë marrëveshje të fshehtë që kanë gatuar tinëzisht të dy së bashku me Vuçiç. Dhe Thaçi-Rama duhet, ose të shprehen qartë e publikisht për këtë marrëveshje, ose të distancohen, duke u larguar nga ky proces anti-shqiptar dhe anti-evropian.

-Po cili është qëllimi i vërtetë i Thaçit e Ramës që duan të bëjnë këtë marrëveshje me Vuçiç?

– Rama e Thaçi mendojnë se do të shndërrohen në liderat historikë të shqiptarëve, duke bashkuar Kosovën e copëtuar me Shqipërinë; për më tepër që gjithë kjo mund të rezultojë një alibi e e mbushur me shumë rreziqe apo një projekt i parealizueshëm, përderisa kjo nuk do të ishte tërësisht në duart e vetëm dy individëve, ndaj të cilëve shumë partnerë ndërkombëtarë kanë mjaft dyshime. Për më tepër që kundërshtitë publike për çështjet në fjalë janë vetëm maja e ajsbergut, sepse në realitet kundërshtitë që kanë politikanët shqiptarë, por edhe shumë personazhe seriozë të komunitetit ndërkombëtarë, për këtë ide të Ramës e Thaçit janë edhe më të thella. Marrëveshje që sipas tyre, duke çuar në ndarjen e Kosovës, do të kishte pasoja të rënda për integritetin e Kosovës, duke rritur njëkohësisht pasigurinë për pavarësinë e ardhmërinë e saj, por edhe do të prekte rëndë stabilitetin e Shqipërisë dhe të ardhmen evropiane të të gjithë shqiptarëve. Duket, se pas më shumë se një shekulli, shqiptarët do të duhet të përballeshin me një marrëveshje diabolike, nisma për të cilin është ndërmarrë nga Rama dhe është pranuar të prezantohet naivisht nga Thaçi, i ndodhur vetëm përballë Vuçiç. Dhe e gjitha kjo bëhet nga Rama e Thaçi, fshehtas e tinëzisht, thjesht për forcuar pushtetin e tyre personal, madje me synimin diabolik për ta zgjeruar dhe përforcuar pushtetin e tyre sulltanor mbi “vilajetin” e përbashkët të qytetarëve shqiptarë të Shqipërisë e Kosovës të copëtuar.

– Si shpjegohet, që Haradinaj dhe Meta po ashtu, janë shprehur kundër kësaj marrëveshjeje?

– Duket fatale, që në këtë moment, ndoshta më i rëndësishmi në historinë e kombit shqiptar, pas më shumë se 100 vjetësh, politika mbarëshqiptare gjendet e përçarë në ekstrem, edhe së brendshmi në Kosovë, edhe së brendshmi në Shqipëri, por edhe mes Kosovës e Shqipërisë, por në bashkëpunim e koordinim perfekt me palën serbe apo edhe më tej. Nuk ka asnjë debat, të hapur jo e jo por as të mbyllur, mes partive politike në Shqipëri e Kosovë. Dhe as që bëhet fjalë për një komunikim transparent mes drejtuesve të lartë politikë të Shqipërisë e Kosovës. Kuvendet në Shqipëri e Kosovë, shumica e politikanëve, e të gjithë diplomatëve në Shqipëri e Kosovë, por edhe shumica e ministrave në Shqipëri e Kosovë janë në padijeni të plotë se çfarë marrëveshjeje është gatuar dhe po merret inkonjito vetëm nga dy persona. Për qytetarët as që bëhet fjalë, ata do të kapeshin me shumë gjasa në befasi të plotë dhe duket se kjo është bërë e qëllimshme që ata të gjendeshin përballë një vendimi të përfunduar, efektet e të cilit do të fillonin t’i ndjejnë vetëm pas disa vitesh. Media po, ashtu është në terr të plotë….

-Cilat janë pikat kryesore të marrëveshjes Thaçi-Vuçiç?

– Rama dhe Thaçi janë në rezonancë të plotë mes tyre, veprimet e tyre rezonojnë tërësisht edhe me qëndrimet e Vuçiç që ka qenë më transparente edhe me rusët, edhe me serbët e çuditërisht edhe me shqiptarët. Më konkretisht, qëndrimi i Thaçit, në kundërshti me qëndrimin e Kryeministrit Haradinaj dhe shumë politikanëve të tjerë në Kosovë, për të biseduar me Vuçiç për “integritetin e Kosovës” dhe propozimi i Ramës për emëruar në postin e Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Genti Cakajn, apo deleguar detyrën e tij kushtetuese te një person i “paaftë” për të kryer këtë detyrë, në kundërshti me qëndrimin e Presidentit Meta dhe të shumë politikanëve në Shqipëri, jo vetëm që janë në rezonancë mes tyre, por për më tepër kanë lidhje të drejtpërdrejtë me vendimin historik. Marrëveshje që Rama e Thaçi e kanë bashkërenduar duket vetëm me Vuçiç dhe me asnjë shqiptarë tjetër, veç dijenisë që mund të ketë ndonjë sekser shqiptaro-serb mes të treve, i cili është deklasifikuar nga paniku i këtyre ditëve.

– Zoti Islami, si mund të ndalohen Rama dhe Thaçi të mos e çojnë deri në fund këtë veprim që ju e konsideroni, me shumë rreziqe për copëtimin e Kosovës dhe të ardhmen e saj evropiane?

– Shqiptarët duhet të ngrihen në protesta masive e të pandalshme, dhe urgjentisht të kërkojnë transparencë për këtë vendim shumë të rëndësishëm dhe me impakt “historik” për integritetin e Kosovës, por që mund të shkaktojë pasiguri për të ardhmen e Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve në rajon. Sepse kjo marrëveshje e diskutueshme dhe me shumë pikëpyetje e kundërshti, do të ishte me shumë pasoja për integritetin e Kosovës, sigurinë e Shqipërisë e Kosovës, integrimin e tyre në BE dhe stabilitetin e rajonit. Sepse, për më tepër, jo të gjithë partnerët strategjikë të Shqipërisë dhe Kosovës janë në unison për këtë vendim, veçanërisht ato që kanë në dorë fatin e integrimit të Shqipërisë e Kosovës në BE. Po ashtu është urgjente të bëhet sa më shpejt publike “platforma e marrëveshjes” që eventualisht Thaçi do të mund të nënshkruajë me Vuçiç, dhe nëse kjo s’është e vërtetë të deklarohet publikisht e kundërta apo më saktë e vërteta. Veçanërisht të bëhet publike se çfarë parashikohet konkretisht për “Veriun e Kosovës”, këtë element që është edhe më kryesori dhe më delikati në këtë marrëveshje? Thaçi ka detyrimin të bashkohet me të vërtetën dhe të distancohet nga kjo marrëveshje për të mos sakrifikuar së paku kontributin e tij. Po ashtu është urgjente që Rama të pushojë së heshturi dhe të bëjë të ditur nëse e mbështet “platformën e marrëveshjes” mes Thaçit e Vuçiç për integritetin e Kosovës? A është Rama në dijeni të saj dhe çfarë konkretisht di Rama për këtë marrëveshje?

– A mendoni se ka shumë gjasa që kjo marrëveshje të realizohet?

– Mendoj se nuk ka shumë gjasa që kjo marrëveshje të realizohet, por pasojat e saj mund të jenë të mëdha për Shqipërinë dhe shumë të mëdha për Kosovën. Pra shqiptarët nuk duhet të mërziten shumë, sepse kjo nismë mes Ramës, Thaçit e Vuçiç, me shumë gjasa do të dështojë. Kjo nismë e tyre do të dështojë, sepse shumica e aktorëve të rëndësishëm shqiptarë janë kategorisht kundër, por edhe shumë nga aktorët globalë, ose janë kundër, ose do të shfaqen indiferentë, pasi të kuotojnë rreziqet që i kanosen rajonit nga kjo ide diabolike. Dhe e keqja më e madhe e kësaj nisme do të jetë ngadalësim e frenimi i pavarësimit të Kosovës, por edhe zvarritja e shtyrja në kohë e integrimit në BE të Shqipërisë e Kosovës. Por mund të ketë edhe një të mirë e gjithë kjo histori, të shërbejë për të hedhur përfundimisht në koshin e plehrave të historisë këta hajdut-nacionalistë që janë gati të shesin interesat kombëtare për karriken e tyre..

– Faleminderit!