Rama mbledh sot Asamblenë e PS, Klosi mban fjalën hapëse! Përgatitje për zgjedhjet e 2027 dhe votimet brenda partisë

Edi Rama mbledh të shtunën asamblenë e Partisë Socialiste 10 ditë pas mbledhjes së kryesisë ku paralajmëroi zgjedhje të brendshme. Socialistët do të nisin përgatitjet edhe për zgjedhjet vendore të 2027-ës, ndërsa Rama kërkon një analizë të punës së Organizatave Socialiste.

Pasi bëri ndryshimet në qeveri, Edi Rama ka kthyer sytë nga partia. Të shtunën e 21 marsit kryesocialisti ka njoftuar mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste duke kërkuar riorganizim edhe brenda partisë.Ky do të jetë një vit zgjedhor për socialistët, të cilët do të riformatojnë strukturat e brendshme që nga baza, kryetarët e organizatave socialiste dhe zgjedhjen e forumeve të reja, proces zgjedhor që pritet të përfundojë më 12 qershor, në 35 vjetorin e krijimit të Partisë socialiste. Asambleja do të nis punën të shtunën në orën 10:00 në një prej resorteve në bregdet.

Fjala hapëse do të jetë ajo e Sekretarit të përgjithshëm të PS-së Blendi Klosi, për tja lënë fjalën më pas kryeministrit Edi Rama.

Sigal

Axhenda parashikon një analizë për punën e Organizatave Socialiste në rang vendi, udhëzime për zgjedhjet e brendshme të partisë dhe po ashtu analizë të detajuar mbi performancën në zgjedhjet parlamentare në 2025-ën.

Socialistët duhet të përgatiten për zgjedhjet e ardhshme vendore, ato të 2027-ës, prandaj një pikë tjetër e diskutimeve në asamble do të jetë puna për zgjedhjet lokale.

Diaspora dhe përfshirja aktive e tyre është një nga pikat e tjera të diskutimit në asamblenë e socialistëve. PS vjen me një rekord pozitiv të përfshirjes së diasporës në zgjedhjet e 2025-ës dhe duke patur tashmë një strukturë të ngritur, punën për 2027-ën mund ta ketë edhe më të lehtë.

Më herët Klosi pati deklaruar se në Asamblenë e 21 marsit do të zhvillohen diskutime të gjera me anëtarët për procesin e ri të zgjedhjeve të brendshme dhe për anëtarësime të reja në parti. Ai shtoi se një tjetër fokus do të jetë edhe organizimi i strukturave të partisë në diasporë, duke e konsideruar këtë dimension të rëndësishëm për funksionimin e PS-së.

“Procesi do të përfshijë të gjitha forumet e PS-së, të zgjedhurit e saj dhe do të shtrihet në çdo qelizë të partisë në të gjithë vendin. Në mbledhjen e datës 21 do të kemi diskutime për përfshirjen e të gjithë anëtarëve të asamblesë, një proces që do t’i hapë rrugën zgjedhjeve të reja dhe anëtarësimeve të reja. Procesi do të kanalizohet në zgjedhjen e organizatave dhe drejtuesve lokalë të PS-së, por edhe në një dimension të ri, që është ‘Partia në diasporë’. Do të ketë vendimmarrje për shtrirjen e strukturave dhe organizimin e tyre në degët tona në diasporë dhe në vendet ku kemi pasur numrin më të madh të votave”, u shpreh ai.

Klosi nënvizoi gjithashtu se ky proces organizativ do të kulmojë në 12 qershor, datë në të cilën shënohet 35-vjetori i Partisë Socialiste.