Rama lë Shkodrën pa drejtori arsimore rajonale, e çon në Lezhë

627
Sigal

Denoncimi i Voltana Ademi: Kryeministri merr kompetencat e pushtetit vendor, për t’u hakmarrë ndaj qytetarëve

 

Rama e lë Shkodrën pa Drejtori Arsimore Rajonale, e transferon në …Lezhë

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi akuzon kryeministrin Rama, se pasi largoi dy drejtori të rëndësishme nga Shkodra, tashmë do të largojë një tjetër drejtori. Bëhet fjalë për Drejtorinë Arsimore Rajonale, të cilën sipas saj, do të kalohet në varësi të Lezhës. Kryebashkiakja e Shkodrës Ademi shkruan se nuk ka asnjë arsye për ta bërë një gjë të tillë, ndërsa e quan këtë vendim si çmenduri. Ajo shprehet se, hakmarrja, përmes të cilës po e trajton Shkodrën prej 6 vitesh ky kryeministër nuk ka për ta gjunjëzuar Shkodrën dhe i bën thirrje që së bashku me ministren e Arsimit, Besa Shahini të tërhiqen nga ky vendim sa nuk është vonë.

Kryebashkiakja Voltana Ademi: Nuk kam pritur asnjëherë lajme të mira për Shkodrën nga kjo qeveri. Edhe sot, erdhi një tjetër lajm i keq, i shëmtuar, në kufijtë e të pabesueshmes. Shkodra nuk do të ketë më Drejtori Arsimore Rajonale por do të jetë në varësi të Lezhës, ku do të ketë qendrën një nga katër Drejtoritë Rajonale të Arsimit Parauniversitar. Së pari, flas si ish- pedagoge, si qytetare e Shkodrës, por edhe si kryetare e Bashkisë. Kjo qeveri, ky kryeministër, merr përsipër të tejkalojë edhe diktatorin komunist për 45 vite. Edhe pse Shkodra e shkodranët përjetuan persekucionin më të egër në vend, Instituti i Lartë Pedagogjik ishte më cilësori në vend, duke i dhënë arsimit shqiptar mijëra mësimdhënës që u shquan me kontributin e tyre anë e kënd Shqipërisë. E sot, kur Shkodra ka një universitet, Edi Rama po i heq Drejtorinë Arsimore Rajonale, duke e kthyer në një zyrë, si ato që sot janë në Pukë e Malësi të Madhe, në varësi të DAR Shkodër. Unë nuk dua ta shikoj thjesht si çështje krenarie, por si cenim të mundësisë për zhvillim largimin e DAR nga Shkodra. Aq më shumë, kur kjo çmenduri e qeverisë aktuale (sepse nuk mund t’i gjej emër tjetër), vjen pasi u larguan edhe dy drejtori të tjera të rëndësishme si ajo e Arkivave dhe e Ujërave. Një logjikë normale njerëzore, nuk gjen një arsye, një motiv që të justifikojë këtë veprim të qeverisë. As edhe hakmarrja, përmes të cilës po e trajton Shkodrën prej 6 vitesh ky kryeministër, nuk mund të jetë motiv. Sa nuk është vonë, i bëj thirrje publike Ministrisë së Arsimit, ministres Shahini dhe vetë kryeministrit Rama: Tërhiquni sa jeni në kohë! Tërhiquni, sepse do të ndjeheni të turpëruar përjetë, jo vetëm përballë Shkodrës e shkodranëve, por edhe Shqipërisë e shqiptarëve kudo ku janë. E në fund, dua t’u kujtoj se nuk mund ta gjunjëzoni Shkodrën! Nuk ia doli komunizmi me diktatorin Enver Hoxha, e nuk do t’ia dalë as neokomunizmi i ditëve të sotme.