Në një lidhje me “Skype” në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokoll Balla, në News24, kryeministri Edi Rama tha se koronavirusi është një luftë, e cila do të zgjasë shumë.
Rama gjithashtu shtoi se po përgatiten dhe po marrin masa për variantin më të keq, duke shtuar kapacitetet spitalore, pasi sipas tij, mund të ndodhë që kapacitetet aktuale spitalore mund të ezaurohen.
“Askush nuk e di sa do të zgjasë, por të gjithë marrim masa. Ne jemi të detyruar të marrim masa për variantin më të keq.
Kur kapacitetet tona spitalore do të ezaurohen, ne duhet të kemi kapacitete të tjera dhe do t’i kemi me patjetër”, tha Rama.
A do shumëfishohen testet për COVID-19 në vijim? Meta tha që do vijnë dhjetëra mijëra teste…
Këtë nuk e vendosim unë apo presidenti. Ka pasur shumë qasje. Rasti i Koresë së Jugut nuk është rasti i shumicës. Irlanda ka ndryshuar sot strategji, duke thënë se testi do i bëhet vetëm atij që ka simptoma të rënda.
Ne i kemi besuar ekspertëve, që besoj se janë të kalibrit ndërkombëtar. Nuk po shoh çudira as në vendet e tjera. Edhe konsultat që kemi bërë me ekspertë ndërkombëtarë na kanë konfrimuar se strategjia jonë është e duhura për qasjen që ne kemi zgjedhur, duke pasur parasysh se ne jemi vendi që kemi marrë masa shtrënguese shumë shpejt.
Masat shtrënguese do vazhdojnë deri javën tjetër apo nuk ka datë të përcaktuar? Mund të fillojë të bjerë kurba në fillim të prillit?
Më vjen keq që kam qenë i pari që kam përdorur fjalën ‘luftë’. Kjo është një luftë e panjohur në historinë e njerëzimit. Është një luftë, të cilës njerëzimi nuk ja di ilacin dhe nuk di sit ë reagojë, ndaj e vetmja gjë është të mbrohet.
Ky armik nuk ndalet, thjesht të pengohet të përparojë me shpejtësi, pasi kjo është fatale, se fut në kolaps systemin shëndetësor të çdo vendi. Është një luftë për të cilën duhet të përgatitemi se mund të zgjasë dhe do të zgjasë shumë.