Rama kopjon Bashën dhe nuk e pranon/ Mustafaj: Plani 5 pikësh shumë i mirë, Meta po mbron Kushtetutën

219
Sigal

Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, i ftuar në një televizion deklaroi se përzgjedhja e emrave të kandidatëve për deputetë të PD-së do të finaliziohet për disa ditë.

“Janë rreth 400 kandidatë deri tani, ndërsa kryesisë së partisë mund t’i çojmë rreth 300 emra. Për pak ditë besoj se përfundojmë me këtë proces”, tha Mustafaj.

I pyetur për konfliktin mes presidentit dhe kryeministrit, Mustafaj u shpreh se Meta po përpiqet që të mbrojë Kushtetutën, ndërsa shtoi se kryeministri është politikan i konfliktit.

“Presidenti Meta në shumicën e gjërave ka të drejtë dhe ka mbetur i vetmi institucion që nuk është marrë nga maxhoranca. Meta, me ato pak kompetenca që ka, ai po përpiqet të mbrojë Kushtetutën. Shpesh herë presidenti flet me emocion të tepruar, por në thelb tregon një problem të madh në sistemin tonë.

Kryeministri tregohet i pasjellshëm me kryetarin e shtetit, shmanget nga argumentet, duke përdorur sharje. Sidoqoftë kjo gjuhë nuk është gjë e mirë, nga të dyja palët. Kryeministri ynë është politikan i konfliktit. Rama ka prirjen që të mos zgjidhë gjërat në mënyrë institucionale. Mes Metës dhe Bashës nuk ka rivalitet. Presidenti ka lartësinë e duhur për të parë defektet që ka reforma në drejtësi. Kjo sepse ai ka informacion më të zgjeruar për të bërë një analizë”, vlerësoi Mustafaj.

Besnik Mustafaj theksoi se kreu opozitar Lulzim Basha ka ofruar një plan shumë të mirë 5-pikësh përpara shqiptarëve.

“Basha ka dhënë një program për ndihmë ndaj personave që kanë probleme ekonomike. Kryetari i opozitës madje ka dhënë këshilla edhe për qeverinë, në këtë kuptim meriton të lavdërohet. Rama i merr propozimet dhe nuk e pranon se i merr. Edi Rama po rimerr premtimet që ka bërë në vitin 2013. Taksa progresive ka dështuar si aplikim, në shumë vende ka qenë dështim”, tha ai.

Ndërsa, në lidhje me zgjedhjet amerikane, Mustafaj nënvizoi se mund të kenë disi ndikim në rajon. Ai shtoi se SHBA ka qenë dhe është një kontribuuese e madhe e demokracisë kudo në glob.

“Zgjedhjet amerikane mund të ndikojnë disi në rajon. Demokratët nuk janë për dobësim të NATO-s. Edi Rama tha në CNN se nëse fiton Donald Trump, do të shikojë marrëdhëniet me SHBA. Kjo është qesharake.

Europa ka nevojë për bashkërendim me SHBA-të. SHBA ka dhënë shumë për demokracinë kudo në botë. Donald Trump ka tentuar të shpërfillë Gjermaninë, por Berlini nuk mund të nëpërkëmbet, përfshirë këtu edhe krenarinë e kombit gjerman”, përmbylli Mustafaj.