Rama kërkon paqe me lobin hebre, pas votës në OKB

708
Kryeministri Edi Rama do të flasë në një konferencë të rëndësishme të lobit hebre në Shtetet e Bashkuara, mesa duket në një përpjekje për të mbyllur plagën e hapur nga vota e Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara kundër njohjes së Jerusalemit si kryeqytet nga SHBA. “Një nder i posaçëm për Shqipërinë, qeverinë e mua personalisht, ftesa për t’iu drejtuar Konferencës Vjetore të Komitetit Izraelito-Amerikan të Çështjeve Publike, në Uashington DC; një mundësi e privilegj i veçantë, për të përcjellë përmes këtij forumi prestigjioz shkëlqimin e historisë shqiptare të shpëtimit të hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore, si edhe ndjenjat e miqësisë e të respektit tonë për popullin e për shtetin e Izraelit”, u shpreh vetë Rama në një postim në rrjetet sociale. Në fund të dhjetorit 2017, Shqipëria votoi pro një rezolute që dënonte njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit nga ana e Shteteve të Bashkuara. Pavarësisht këmbënguljes, edhe publike, të Presidentit Trump dhe administratës së tij, Tirana zyrtare u rreshtua mes vendeve që e dënuan vendimin amerikan për spostimin e ambasadës nga Tel-Avivi në Jerusalem. SHBA bëri të ditur se do të “ndëshkonte” vendet që e miratuan rezolutën, ndërsa Shqipëria u përjashtua fillimisht nga pritja e misionit amerikan në OKB. Nuk dihet nëse ka patur reagime të tjera në rrugë diplomatike, ndërsa udhëtimi i Edi Ramës në Uashington në një forum të izrealito-amerikanëve mund të shihet edhe një lëvizje për të shoshitur mërinë për votën e Shqipërisë në OKB. Ky votim u kundërshtua edhe nga Presidenti Meta dhe opozita, që sugjeruan se Shqipëria mund të zgjidhte, të paktën rrugën e abstenimit për të evituar problemet me Shtetet e Bashkuara.


Sigal