Rama kërkon fuqi të jashtëzakonshme sepse sipas tij “tërmetet vijojnë”

460
Sigal

Duke argumentuar se “tërmetet vijojnë” kryeministri Edi Rama ka kërkuar nga parlamenti i kontrolluar prej tij të zgjasë afatin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore me tre muaj. Sipas Ramës, ai ka nevojë për fuqitë e emergjencës, mes të cilave është edhe urdhri që media t’i referohet vetëm “informacionit zyrtar” për të mos përhapur panik.

Pasi ka alarmuar si kurrë më parë disa organizata të ndryshme për keqpërdorim të fuqive të emergjencës të siguruara pas tërmetit të 26 nëntorit në Durrës, kryeministri Edi Rama kërkoi në Kuvendin e Shqipërisë zgjatjen e afatit të këtyre fuqive deri më 31 mars duke pretenduar se “tërmetet po vijojnë”.

“Duke pasur, gjithashtu, parasysh se lëkundjet e tërmetit ndonëse me frekuencë dhe intensitet më të ulët vazhdojnë të ndihen në qarqet e përmendura, veprimtaria e strukturave operacionale dhe nevoja e marrjes së masave në kuadër të gjendjes së fatkeqësisë natyrore është emergjente, si në ditët e para të marrjes së masës,” shkruhet në dokumentin e publikuar në faqen e internetit të Kuvendit të Shqipërisë.

Argumenti që “tërmetet vijojnë” duket se i nevojitet Ramës për të justifikuar zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak se kushtetuta lejon një gjendje të tillë për aq kohë sa vazhdon një situatë krize, fjala vjen luftë apo katastrofë natyrore. Në kushtetutë shkruhet: “Masat e jashtëzakonshme mund të vendosen për shkak të gjendjes së luftës, gjendjes së jashtëzakonshme ose gjendjes së fatkeqësisë natyrore dhe zgjatin për aq kohë sa vazhdojnë këto gjendje.”

Sipas Ramës, një nga fuqitë që i jep gjendja e jashtëzakonshme është ajo që “mediat dhe organet e tjera të informimit publik janë të detyruara t’u referohen burimeve zyrtare për njoftime lidhur me numrin e viktimave, listën e emrave dhe të parashikimeve të mëtejshme për mundësinë e ndodhjes se ngjarjeve të tjera, duke shmangur transmetimin e informacioneve sensitive, si dhe duke mos krijuar panik te publiku, në asnjë rast.”

Gjendja e fatkeqësisë natyrore u shpall në qarqet Tiranë dhe Durrës më 28 Nëntor dhe duhet të skadojë më 28 dhjetor. Sipas Kushtetutës, qeveria mund të marrë fuqi emergjence në kushtet e fatkeqësisë natyrore “vetëm për aq kohë sa kjo fatkeqësi vijon”.

Që nga ditët e para, Rama, i përballur me akuza për paaftësi në menaxhimin e situatës dhe mungesë përgatitjeje të strukturave qeveritare, akuzoi median se po përhap panik dhe kërcënoi se do të mbyllë median përmes përdorimit të fuqive të jashtëzakonshme.

Dy javë më parë, katër organizata të ndryshme ngritën alarmin se qeveria po abuzonte me fuqitë e jashtëzakonshme për të minuar shtetin e së drejtës. Sipas organizatave, gjendja e jashtëzakonshme duket se nuk justifikon dot sjelljen e policisë, e cila arrestoi një përdoruese Facebooku dhe vuri dy shtetas të tjerë në ndjekje penale për “përhapje paniku”, ndërkohë që Komiteti Shqiptar i Helsinkit ngriti shqetësimin se qeveria po përpiqet të kalojë me procedurë të jashtëzakonshme një projektligj kontrovers që synon të dobësojë funksionimin e sistemit të drejtësisë dhe njëkohësisht të fuqizojë policinë.

Vendi aktualisht gjendet pa Gjykatë Kushtetuese dhe për rrjedhojë, vendimi i parlamentit për të shtyrë gjendjen e jashtëzakonshme përmes argumentit të paverifikueshëm që “tërmetet vazhdojnë” nuk mund të sfidohet në gjykatë.