Rama ka vrarë ëndrrat dhe shpresën e të rinjve

517
Sigal

Floida Kërpaçi, ish-deputete

Në situatën që ndodhemi, zhvillimet janë vetëm në dorën e qytetarëve shqiptarë dhe zgjidhja vjen përmes zgjedhjeve parlamentare të parakohshme, integriteti i të cilave do të garantohet nga qeveria tranzitore

Kryeministri Rama ka vrarë ëndrrat dhe shpresën e të rinjve

 

Floida Kërpaçi, ish-deputete në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon, se të rinjtë tanë janë zhgënjyer nga keqqeverisja dhe se kryeministri Rama me politikat e tij ka vrarë çdo ëndërr të të rinjve se në Shqipëri mund të jetohet, prandaj të gjithë largohen dhe duan të ikin nga Shqipëri. Zonjusha Kërpaçi thotë se opozita ka në programin e saj, programe që të rinjtë tanë të studiojnë, të punojnë në Shqipëri dhe lufta politike ka si opsion të vetëm, pikërisht largimin e së keqes së madhe të Shqipërisë, qeverinë e korruptuar dhe të inkriminuar të kryeministrit Rama.

-Zonjusha Kërpaçi pse të rinjtë duan të emigrojnë nga Shqipëria?

– Të rinjtë në Shqipëri nuk kanë mundësi të marrin arsim cilësor, nuk kanë mundësi punësimi. Rinia e di që këtu ligji dhe sistemi i drejtësisë nuk funksionon. Spitalet e kujdesi shëndetësor gjithashtu. Nuk dua të lë pa përmendur dhe modelin e antivlerave që promovohet sot, ku ai që studion dhe respekton ligjin mbetet pa punë, ndërsa ai që nuk studion, shkel ligjin duke u përfshirë në kriminalitet dhe ka shtetin në dorë. Kalbëzimi i demokracisë e ka çuar brezin e ri drejt një humbje shpresë për të jetuar të ardhmen në Shqipëri. Ndaj ata vendosin të provojnë fatin diku tjetër dhe larg Shqipërisë. Kryeministri Rama dhe modeli i papërgjegjshmërisë në qeverisje të cilin ai ka instaluar, ka ndikuar në rritjen eksponeciale të numrit të njerëzve që janë larguar nga vendi. Emigrimi i të rinjve jashtë Shqipërisë është një plagë e rëndë për të gjithë shoqërinë dhe frenimi i këtij eksodi të gjeneratës së re larg atdheut e familjes është mision kyç i LSI-së.

Derisa politikëbërja deri tani i zhgënjen të rinjtë tek shpresa për të parur motiv të jetojnë e punojnë në Shqipëri a nuk është absurd pretendimi se Shqipëria integrohet në Evropë?

– Nuk duhet ngatërruar në asnjë çast ëndrra e patjetërsueshme e popullit shqiptar për anëtarësim në Bashkim Evropian, me pamundësinë e kësaj qeverie për të realizuar reformat që të çojnë drejt BE. Kjo ëndërr sot pengohet nga kryeministri i vendit dhe mazhoranca e tij. Ndaj dhe kërkesa jonë e patjetërsueshme është largimi i kryeministrit, si një figurë, e cila jo vetëm i përfaqëson të gjitha këto antivlera, por është kthyer në simbolin dhe promotorin e kësaj politike të vjetër e të dëmshme për qytetarët, duke e lënë vendin pas në rrugëtimin evropian.

-A punësohen në Administratën Publike dhe në institucionet kushtetuese ekselentët tanë? 

– Shpeshherë “Zëri i Amerikës”, ka cituar lajme nga Tirana për gjyqe të humbura nga ana e administratës publike, për shkak të largimeve te paligjshme nga puna të profesionistëve të administratës, ku kjo qeveri ka krijuar ndaj buxhetit të shtetit një borxh publik në shumën 102 milionë dollarë. Pra, jo vetëm që nuk punësohen ekselentët apo profesionistet, por sot kemi një administratë publike më politike se para reformës së administratës publike që u financua me fondet e taksapaguesve evropianë. Shteti që i shërben qytetarëve nuk bëhet me mashtrime, propagandë dhe premtime të pa mbajtura. Kemi nevojë të vendosim një model te ri vlerash, ku shteti vendoset në shërbim të qytetarëve dhe punon për të garantuar familje me mirëqenie, punë të mirë paguar, arsim cilësor e shanse të barabarta.

Pse ndërkombëtarët ende mbështetin një Parlament shqiptar pa opozitën dhe Zgjedhje vendore pa Opozitën, ndërkohë që BE nuk e njeh Maduron, pikërisht pse dhunon çdo lloj opozitarizmi?

– Cilësimi i Shqipërisë nga DASH si një bazë operacionale e organizatave kriminale ndërkombëtare që operojnë në Amerikën e Veriut, Amerikën e Jugut, Evropë dhe Lindjen e Mesme, dëshmon qartë ndaj kujt drejtohet gishti nga ndërkombëtarët për të marrë përgjegjësi. Ky gisht sot është i drejtuar ndaj qeverisë për të gjitha ato çfarë ajo ka bërë keq dhe ato që ka refuzuar të bëjë. Ndërkombëtarët dhe opozita kanë të njëjtin synim me çdo qytetar të lirë e të ndershëm që do të jetojë në Shqipëri.

 

Kur Opozita deklaron se nuk do lejojë zgjedhje vendore farse, do bllokojnë qendrat e votimit apo do bojkotojnë pjesëmarrjen në votime?

– Një vend demokratik nuk mund të shkojë në zgjedhje qofshin ato vendore apo parlamentare, pa qytetarët. Në 2017, qeveria erdhi në pushtet për shkak të manipulimit të votës nga bandat dhe krimi. Me këtë qeveri, jetojnë më keq ekonomikisht, i është vrarë shpresa sepse shteti është në shërbim të një grushti bandash. Ndaj, jemi të vendosur për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme në vendin tonë.

– A quhet destabilizim i Shqipërisë protestat e vazhdueshme të Opozitës, nëse nuk bëhen zgjedhje të parakohshme dhe nëse Opozita nuk do lejojë të bëhen zgjedhjet vendore? 

– Protesta është e drejtë kushtetuese dhe demokratike që çdo qytetar mund të ushtrojë. Qytetarët kanë dal në protestë, për Shqipërinë dhe për te ardhmen e familjeve të tyre. Çdo familje sot është në protestë, sepse nuk ka mundësi ekonomike për të përballuar jetesën, për të shkolluar fëmijët, për të punuar e jetuar në vend. Qytetarët kanë ushtruar të drejtën e tyre në protestë duke kundërshtuar një qeverie arrogante,të lidhur me krimin dhe që nuk mbështet familjen dhe të rinjtë e vendit.

– A është në marrëveshjen PD – LSI që edhe PD-ja do kërkojë domosdoshmërish ndryshimin e Sistemit elektoral aktual, nëse do pranojnë reformë të re zgjedhore?

Opozita ka zyrtarizuar me një marrëveshje aksionin e saj për të shpëtuar vendin dhe qytetaret nga autokracia. Shqipëria nuk duhet te shoh me zgjedhje të manipuluara por zgjedhje që reflektojnë vetëm vullnetin e qytetarëve. Përmes marrëveshjes palët kanë deklaruar se synojnë realizimin e reformës zgjedhore dhe ndjekjen e zbatimit të saj, me fokus të veçantë shkëputjen e lidhjes mes politikes dhe krimit, luftën ndaj fenomenit masiv të blerjes së votave si dhe intimidimit kriminal mbi zgjedhësit.