Rama investitorëve: Sytë nga fshati lini llaç e tulla…nuk japim lëmoshë!

392
Sigal

TIRANE – Kryeministri Edi Rama ka lëshuar një thirrje të qartë ndaj investitorëve vendas, që të kthejnë sytë nga fshati dhe ta shohin investimin në bujqësi e blegtori si një mundësi e mirë për të rritur të ardhurat e tyre. Duke folur në hapjen e një prej punishteve të reja dhe moderne të mishit në Tiranë, kryeministri dhe ministri i Bujqësisë Edmond Panariti, thanë se qeveria do të financojë skemat fituese dhe nuk do të japë më lëmoshë si ka ndodhur në të shkuarën.

“Sot për ne zhvillimi i bujqësisë, blegtorisë, i fshatit në tërësi është prioritet kombëtar, dhe sot ka një politikë tërësisht të re të kalimit nga bujqësia e mbijetesës dhe lëmoshave të shpërndara lart e poshtë pa kriter e pa karar për mbijetesën dhe për qëllime banale elektorale, tek bujqësia e zhvillimit intensive përmes krijimit të shembujve dhe vendosjes së themeleve të një trasnformimi të bazuar tek cikli i mbllur. Është shumë e rëndësishme që të gjithë të vetëdijësohen se ne jemi në dispozicion të atyre që duan të marrin pjesë në betejën e madhe për të kaluar nga mesjeta në kapitalizmin në fshat. Kapitalizmi në kuptimin e marrëdhënieve totalisht të reja të prodhimit, dhe me shtetin. Financojmë shumë më fort skemat që sjellin sukses, fitim, punësim,eksport dhe nuk kemi më punë me shpërndarjen e parave lart e poshtë që treten në lupin e madh të mbijetesës. Nga ana tjetër rritja e eksporteve që vazhdon të konsolidohet si trend këtë vit është një shenjë e qartë që jemi në rrugën e duhur. Vitin e ardhshëm me buxhetin e vitit 2015 dyfishojmë skemat e financimit, dyfishojmë fuqinë financiare në dispozicion të këtyre sipërmarrësve. Dhe i bëjmë thirrje edhe sipërmarrësve që ende nuk i kanë kthyer sytë nga fshati, që e kanë kaluar këtë 20-vjeçar me tulla e me llaç që kursimet e tyre, depozitat e tyre që tani janë edhe të taksuara më shumë t’i nxjerrin nga bankat dhe t’i hedhin për zhvillimin bujqësor dhe blegtoral”, tha Rama.

“Ky investim është një sinjal i mirë në këtë drejtim pasi bën lidhjen e prodhimit blegtoral me tregun. Janë këto pika të mëdha të grumbullimit, paketimit, ambalazhimit që japin vlerë të shtuar. Por njëkohësisht garantojnë respektimin e standardeve më të larta të cilësisë dhe sigurisë ushqimore”, u shpreh Panariti.


Kjo kompani eksporton në Itali dhe në Kosovë. Skemat e subvencionimit nga Agjensia e Zhvillimt Bujqësor dhe rural, mbështesin çdo sipërmarrës në bujqësi apo blegtori më 50% të financimit për çdo investim të ri në këtë sektor.
 
Ndërkohë për vitin që vjen qeveria ka dyfishuar buxhetin për bujqësinë, duke e vlerësuar si një nga prioritetet kryesore për ekonominë.