Rama: I shqetësuar për tkurrjen e Kosovës në sy të aleatëve, Veriu në duart e të huajve do ishte tragjike! Serbia se prek dot

90
Sigal

I shqetësuar për tkurrjen dramatike të Kosovës në sy të aleatëve. Kryeministri Edi Rama bëri sot me dije se u ka dërguar dy ‘kumbarëve’ të dialogut Prishtinë-Beograd Macron dhe Scholz një draft për asociacionin e komunave serbe në Veri. Ky draft, do të shërbejë si një kontribut nga pala shqiptare në zgjidhjen e nyjës ‘gordiane’ në dialogun Kosovë-Serbi, që siç Rama e sheh, asnjëra nga palët nuk e do.

Sipas tij, dy palët janë duke bërë çmos për ta mbajtur asociacionin ‘në vend numëro’ duke mbajtur konfliktin hapur. Ndër të tjera, Rama shton se Drafti i propozuar nga Shqipëria nuk ka për t’u bërë kurrë publik, por është i hartuar nga ajka e mendimit juridik botëror, duke shpjeguar kështu se drafti është tërësisht neutral. E gjithsesi, për të nuk kishte një konsultim me Kurtin, por as me Vuçiçin.

Kryeministri Edi Rama ka shprehur shqetësimin e tij për tkurrjen e Kosovës në sy të aleatëve. Ai u shpreh se Kosova nuk është e kërcënuar nga Serbia që prej vitit 1999 dhe aktualisht ka këtë rrezik dhe jo më një risk territorial.

“Unë nuk kam qenë dhe nuk jam i shqetësuar për atë që shqetësohen të tjerët. Jam i shqetësuar për tkurrjen dramatike të Kosovës në sy të aleatëve. Gjë që mund të sjellë pasoja në shumë aspekte. Duke filluar nga rritja numrit të trupave në Kosovë, që do të thotë ulje e kapacitetit Sovran të Kosovës. Humbje e Kosovës në aspektin e humbjes së një shansi, mundësie për të integruar Veriun në jetën e vetë institucionale duke hapur rrugën që Veriu të kalojë në kontrollin e huaj. Gjë që do ishte e tmerrshme. S’ka kërcënim për Kosovën, është në mendjet e politikanëve në Kosovë dhe është një mënyrë për të bërë politike të brendshme. Serbia e ka humbur Kosovën në 1999 dhe s’ka fuqi që t’i prekë asnjë fije floku.”- thotë Rama.

Kryeministri Edi Rama thotë se i ka dërguar një draft Gjermanisë e Francës për Asociacionin e komunave serbe. Rama u shpreh i shqetësuar dhe tha se situata po bëhet edhe më alarmante.

“Palët nuk po merren dot vesh as se kush do e shkruajë këtë tekst jo më çfarë do të ketë teksti. Ky është dokument konfidencial, i cili nuk pretendon të jetë zgjidhja ideale, por është një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar, që merr në konsideratë arsyet për krijimin e asociacionit dhe se ai është pjesë e organizimit të jetës në republikën e Kosovës. Adreson të gjithë rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese të saj.

Shpresoj që ky material ta çojë dialogun në një nivel tjetër, e jo të flasin me vete e për vete. Situata po bëhet alarmante dhe unë nuk mund të qëndroj spektator duke parë si Kosova tkurret në sytë e atyre. Jam i shqetësuar për tonet ultimative të aleatëve, që mund të sjellin pasoja të mëdha,” – tha Rama