Rama i përgjigjet Tahirit: Kavaja, çështje e PS-së, nuk mbajmë peng koalicionin

442
Kryetari i grupit parlamentar të LSI sqaron pozicionin e kësaj force politike për zgjedhjet e pjesshme lokale dhe marrëdhëniet në koalicion
Kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, ka sqaruar edhe një herë pozicionin e kësaj force politike lidhur me zgjedhjet për kreun e bashkisë së Kavajës dhe marrëdhëniet brenda koalicionit të majtë. Deputeti i LSI-së u është përgjigjur edhe kritikave të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, lidhur me mungesën e regjistrimit të partisë së drejtuar nga Ilir Meta në zgjedhjet e pjesshme në Kavajë, pas largimit nga detyra të Elvis Roshit. 

Do të shkoni në fushatë në Kavajë për të mbështetur kandidaten e Partisë Socialiste?
“LSI nuk është riregjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet e pjesshme që zhvillohen për Bashkinë e Kavajës, sepse mënyra se si është proceduar deri tani, për zgjedhjen e kandidaturës atje, ka qenë një mënyrë e njëanshme. Nuk jemi trajtuar si partner në këtë proces nga njëra anë, dhe nga ana tjetër ne që në zgjedhjet e kaluara kemi qenë kundër kandidaturës që u bë kryetar bashkie atje për ato probleme që ju të gjithë i dini. Dhe nga këto pikëpamje e konsiderojmë këtë një çështje të PS dhe nuk bëhemi pjesë e këtij procesi”.

Ju nuk jeni regjistruar as në zgjedhjet e Dibrës, as në zgjedhjet Kolonjës?
“Nuk jeni të saktë. Ne nuk jemi pjesë e këtij procesi në Bashkinë e Kavajës”.

A jeni në koalicion me PS?
“Sigurisht që jemi në koalicion dhe jemi shumë të përgjegjshëm, serioz dhe korrekt në koalicion. Jemi shfaqur dhe vazhdojmë të shfaqemi me shumë përgjegjshmëri si partner dhe partner do të thotë të dëgjosh, të dëgjohesh, të pyesësh, të të pyesin dhe të vendosësh së bashku. Nuk kam asnjë interes se kush kandidon në Kavajë”.

Deputeti i LSI, Spartak Braho, në një nga refleksionet e tij në shtypin e shkruar thoshte që PS bëri një gabim që mori në koalicion PDIU?
“Është një reflektim i vonuar i z. Braho, tërësisht i tij, që nga ky qëndrim LSI distancohet. Sepse ne nuk e kushtëzojmë partneritetin, angazhimin, bashkëpunimin dhe përgjegjësinë tonë edhe në koalicion me PS nga fakti se sa faktorë apo aktorë të tjerë përfshihen nga njëra anë. Nga ana tjetër ne çmojmë rolin e çdo force politike në vend dhe ashtu siç konsiderojmë një kauzë të drejtë trajtimin me seriozitet me shumë përgjegjshmëri dhe me realizëm të çështjes së shqiptarëve të Çamërisë dhe gjithçkaje që fokusohet tek ky problem. Kështu që duke e konsideruar këtë gjë një çështje të z. Braho nuk mendoj se meriton më shumë hapësirë”.

Do të zgjatet marrëveshja e 1 prillit?
“Të vijë një prilli dhe pastaj do flasim”.

A e ndani të njëjtën mendim me znj. Kryemadhi se LSI-ja do të marrë 40 deputetë në këto zgjedhje?
“Nuk është ky problemi themelor i angazhimit politik të LSI. Pra nuk kanë rëndësi numrat. Ai është një qëndrim i znj. Kryemadhi. Mund ta pyesni znj. Kryemadhi. Për LSI prioritare, e rëndësishme dhe fondamentale është çështja e zgjedhjeve, çështja e standardit të tyre, çështja e garantimit të gjitha kushteve për të bërë zgjedhje korrekte, të ndershme, transparente. Dhe nga kjo pikëpamje, angazhimi dhe investimi ynë është maksimal për sa i përket çështjes së dialogut politik dhe gjetjes së zgjidhjes së instrumenteve politike”.

Përse nuk çon LSI kandidatin e saj në Kavajë përderisa nuk do të mbështesë atë që është propozuar nga PS?
“Ua thashë një herë qëndrimin për Kavajën dhe nuk mendoj se duhet të humbasim më shumë kohë për atë çështje. Ne nuk jemi pjesë e atij procesi. Edhe pse ka qëndrime të ndryshme, madje më lejoni të them, se pluralizmi është i bukur, sepse njeriu mund të mendojë si të dojë, të shprehet si të dojë. Fatmirësisht ne nuk mendojmë njësoj, as si PD dhe as si Sajmiri. Se po t’i referoheshim Sajmirit, ai edhe para 6 muajsh tha, që nuk është e nevojshme përfshirja e ushtrisë në luftën kundër kanabisit, ndërkohë që qeveria reflektoi dhe me shumë përgjegjshmëri dhe seriozitet ridimensionoi përgjegjësitë në funksion të kësaj siç është lufta kundër kanabisit”.

Do t’i kërkoni KQZ-së që të bëjë çregjistrimin e LSI-së nga koalicioni i majtë në Kavajë?
“Nuk jemi regjistruar. Për sa kohë nuk jemi regjistruar, do të thotë se nuk ka çfarë të çregjistrojë KQZ-ja. Ma do mendja kjo është një gjë shumë e thjeshtë për ta kuptuar”. 

Do të ndëshkohet z. Braho për këto deklarata për koalicionin?
“Nuk ndëshkojmë politikisht askënd. Por, edhe një herë e theksoj që qëndrimet individuale janë qëndrime individuale, ndërsa qëndrimet e forumeve të partisë janë ato për të cilat sapo fola”. 

Kur do të vendosni për koalicionin z. Rama, sepse po e mbani peng këtë formulë?
“Nuk mbajmë peng asnjë formulë. Ne jemi të hapur, e para dua të theksoj se jemi në angazhim të plotë dhe me përgjegjësi të plotë për të përmbushur të gjitha detyrimet që kemi si forcë e përgjegjshme në koalicion. Dhe, edhe si forcë përgjegjëse në koalicion, vazhdojmë të insistojmë që është në të mirë të vendit, pra edhe në të mirë të koalicionit, krijimi i të gjitha garancive dhe i besimit te qytetarët dhe te të gjitha forcat politike, përfshirë edhe opozitën, se zgjedhjet do të jenë korrekte, serioze, transparente, të barabarta për të krijuar mundësi që gjithsecili të garojë, të kandidojë dhe padyshim të fitojë më i miri. Shqiptarët në zgjedhjet e radhës duhet të ftohen, jo thjeshtë për të votuar, por duhet të ftohen që të zgjedhin. Të zgjedhim me shumë përgjegjësi dhe shumë qytetari.

Cilat janë propozimet e LSI për Kodin Zgjedhor?
“I kemi bërë të njohura të gjitha qëndrimet tona, të gjitha propozimet tona për reformën zgjedhore, por fatkeqësisht, edhe komisioni i reformës zgjedhore rezulton i dështuar dhe për këtë arsye nuk ka më vend të komentoj. Në një moment të dytë mund t’jua vë në dispozicion kopjen e plotë për ta lexuar”.
Sigal