Rama i përgjigjet Prokurorisë: Lëreni politikën, punë të mbarë me hetimin

516
Zyra e shtypit e Kryeministrit Rama ka reaguar pas deklaratës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, që i kujtonte atij se vende si Kroacia e Rumania kishin arrestuar edhe kryeministria.
Duke shprehur qëndrimin e Ramës, në deklaratë theksohet se Prokuroria duhet të lërë deklaratat politike duke u marrë me hetimin e plotë të çështjes “Tahiri”. Madje ai s’ka ngruruar t’ju urojë “punë të mbarë” në këtë drejtim.
Deklarata e plote
Kryeministri Edi Rama, shpreh keqardhjen që Prokuroria e Krimeve të Rënda, është shprehur në media menjëherë pas fjalës së tij përpara grupit socialist, lidhur me kërkesën për hetim të deputetit Saimir Tahiri.
Kryeministri i Shqipërisë, mbron pikëpamjen se detyra e organit të prokurorisë nuk është as të dëgjojë politikën, as të replikojë me politikanët, as të publikojë në media opinionet e saj, për çfarë thotë një politikan a një tjetër. Po ashtu organi i akuzës, sipas kryeministrit, as ka detyrën dhe as i’a lejon etika e funksionit të vet, të ushqejë debatet politike me komunikata që ngjajnë si të shkruara në selitë e partive politike.
Ai shpreh po ashtu keqardhjen, që organi i akuzës pretendon se ka konstatuar përpjekje për intimidim në fjalën e mbajtur sot prej tij. Në fakt, kreu i qeverisë dhe lideri i shumicës parlamentare, vetëm ka dhënë opinionin e grupit parlamentar, bazuar në raportin e Komisionit të Mandateve dhe Rregullores dhe, padyshim, në paraqitjen aspak serioze prokurorisë në seancat publike të atij komisioni.
Kryeministri i rikujton me këtë rast organit të prokurorisë, se ligjvënësit nuk janë noterë të kërkesave të këtij organi, po kanë detyrimin kushtetues t’i lexojnë ato, të dëgjojnë sqarimet e përfaqësuesve të organit në fjalë dhe, padiskutim, të gjykojnë mbi to. Prandaj ai, përsërit apelin që Prokuroria e Krimeve të Rënda të bëjë punën që i ngarkon kushtetuta e Shqipërisë dhe legjislacioni shqiptar, dhe gjykimet mbi politikën t’ia lerë publikut.
Duke nxitur një hetim sa më të shpejtës, serioz dhe shterrues për çështjen që lidhet me Saimir Tahirin, si edhe duke besuar sinqerisht se me pranimin e kërkesës së prokurorisë nga ana e saj, shumica parlamentare i ka dhënë organit të akuzës një mbështetje të fortë për t’i shkuar deri në fund hetimit, kryeministri i Shqiperisë i uron këtij organi punë të mbarë.
Sigal