Rama: Hetimet për zullumet e mëdha nuk i ndal dot askush. Marrëdhëniet me opozitën, rasti “Tahiri” dhe sondazhet

575
Rama: Hetimet për zullumet e mëdha nuk i ndalon dot askush
Kryeministri flet për marrëdhënien me opozitën, zgjedhjet, kryeprokuroren, hashashin, Tahirin dhe sondazhet. Pse, sipas tij, PS fiton sot 78 deputetë
Kryeministri Edi Rama deklaroi në “Top Story” se çështja e Saimir Tahirit e ka vendosur në një pozitë të vështirë mazhorancën, por tha se duhet pritur deri në fund e vërteta. “Duhet pritur nëse është fajtor apo jo, por është hera e parë që një shumicë nuk merr në mbrojtje një nga figurat e veta kryesore të akuzuar dhe nën hetim. Përkundrazi, i drejtohet opinionit dhe i thotë individit në fjalë, që deri kur të provojë para gjykatës me fakte në dorë se është ai që thotë, nuk është me ne. Kjo është diçka që njerëzit besoj e kuptojnë shumë mirë se këtu kanë qenë”, u shpreh Rama. Sa i takon situatës së kanabisit në vitin 2016, kryeministri tha se ishte edhe si pasojë e reformimit të nisur qysh në 2013 të Policisë së Shtetit, por edhe goditjes së kultivimit të tij në Lazarat. Rama iu përgjigj i prerë pyetjes, nëse shkarkimi i Saimir Tahirit kishte lidhje me kanabisin. “Zero! I kam shpjeguar arsyet e vërteta. E kam thënë qysh në janar, se ky është viti i fundit dhe i fitores përfundimtare të shtetit mbi këtë fenomen dhe fjala doli po ashtu me rezultatet në zgjedhje. Falë përfshirjes me kohë të plotë të atyre që largova nga kabineti për t’u marrë vetëm me zgjedhjet dhe do të kisha bërë ndryshime edhe më shumë, nëse do të kisha pasur arsye”, vijoi ai. Sa i takon kanabisit, kreu i Qeverisë thotë se nuk është mohuar asnjëherë problemi. “S’e kemi mohuar kurrë dhe nuk është se ka dalë e vërtetë ajo që tha opozita, sepse opozita nuk ka zbuluar ndonjë gjë që ne e kishim fshehur, thjesht ka komentuar gjërat që ne kemi zbuluar”, vijoi Rama.

Marrëdhënia me opozitën
Shefi i qeverisë deklaroi gjithashtu se sipas sondazheve të kryera nga PS, nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin tani, socialistët jo vetëm ruajnë shumicën, por marrin katër mandate më shumë nga sa kanë aktualisht. “Bazuar në anketimin e muajit tetor dhe nëntor dhe sot PS merr 78 deputetë. Këto i di Lulzimi, se edhe ai bën sondazhet e tij dhe këto i di edhe Ilir Meta”, deklaroi ai. Kryeministri Rama tha se Lulzim Basha po e quan marrëveshjen e 18 majit të vdekur për të justifikuar humbjen e zgjedhjeve të 25 qershorit. Kreu i qeverisë u shpreh gjithashtu se opozita nuk po kursen vendin. “Ne nuk kemi pasur asnjëherë një marrëveshje se kush do të humbasë apo kush do të marrë çfarë nga zgjedhjet, sepse atë do ta përcaktonte populli shqiptar. Mënyra më e dëshpëruar për të justifikuar një humbje që kishte të gjitha arsyet që të vinte, është kjo mënyrë për të mos pranuar humbjen dhe për t’ju përveshur edhe njëherë tjetër me baltë kundërshtarit pa kursyer Shqipërinë. Nuk është problemi tek çfarë thotë opozita për mua, apo qeverinë, por është se nuk po kursen Shqipërinë në këtë proces”, tha Rama. Lidhur me akuzat për lidhjen me krimin, kryeministri tha se akuzat kanë qenë politike dhe se PS ka qenë e para parti që ka kërkuar dëshmi penaliteti si një filtër para se të hynte në fuqi dekriminalizimi. “Akuzat e ngritura kanë qenë politike, sepse filtri ligjor që ekziston sot nuk ekziston sot. Filtri ligjor në atë kohë ishte dëshmia e penalitetit, që Ps ishte e para që e ka kërkuar në atë kohë, filtri që u vu është një filtër i ri, jo për problemet e sotme, por për problemet e djeshme me drejtësinë, është një filtër që s’e ka asnjë vend në Evropë siç e kemi ne dhe ne nuk e kemi kundërshtuar dhe madje unë e PS kemi kërkuar që në këtë filtër të hyjnë edhe ata që i shërbejnë administratës së shtetit, jo vetëm të zgjedhurit”, deklaroi ai. 

Prokuroria dhe Llalla
Kryeministri Edi Rama mbrojti zgjedhjen e kryeprokurores së përkohshme, Arta Marku, duke rikujtuar qëndrimin e ndërkombëtarëve për këtë. Rama iu përgjigj akuzave të opozitës se përmes kryeprokurores, Kryeministri kërkon të mbyllë dosjen e mëdha të politikës. “Atëherë si ka mundësi që këta i kundërvihen si SHBA, ashtu edhe BE nëse do të ishte vërtet kaq flagrante zgjedhje e kryeprokurores duke shkelur Kushtetutën?!”, tha Rama. Ai deklaroi gjithashtu se qeveria nuk ka ndërhyrë në asnjë moment tek Prokuroria kur ajo drejtohej nga Adriatik Llalla, megjithëse shton se Llalla ishte një zgjedhje 100 për qind e njërës palë dhe pa konsensusin e PS. “Reforma në drejtësi, hetimet për zullume të mëdha të pa hetuara apo të mbyllura në mënyra të paimagjinueshme do të ndodhin dhe nuk i ndalon dot askush dhe besoj që përtej se çfarë thonë llafet, flasin për një gjë, kjo reformë pa PS dhe pa mua në krye të PS nuk do kishte ndodhur. Këtë reformë e ka garantuar dhe do e garantojë deri në fund PS, pavarësisht faktit se në procesin e jetësimit, hetimeve e gjykimeve mund të ketë edhe njerëz nga pala jonë që do duhet të përgjigjen për gjëra të dyshuara apo të ndodhura, se ne jemi ndryshe dhe te reforma në drejtësi ne kemi vënë një bast shumë të madh, bastin për të rilindur Shqipërinë”, tha Rama.

Ndryshimet në qeveri
Kryeministri Edi Rama e bëri të qartë se në përfundim të 300-ditëshit të parë të qeverisjes, kur të bëhet një vlerësim i punës së qeverisë, do të ketë edhe ministra të shkarkuar, ndryshime në kabinet, nëse këta ministra nuk kanë arritur objektivat e vendosura. “Mendoj që ndryshime në kabinet duhet të ketë në çdo moment që konstatohet që një ministër apo një ministre nuk ka plotësuar objektivat. Ne kemi ndërtuar një sistem objektivash se qeverisim vetëm, objektivat janë shumë të qarta, sistemi ndiqet online dhe nuk ballafaqohet më ministri apo ministrja me mua, por me ekranin që tregon se kur është jeshile objektivi është arritur dhe kur është e kuqe…nëse e kuqja shkon deri aty ku nuk mban me atëherë do ketë ndryshime. Ky vlerësim do bëhet kur të përfundojë 300 ditëshi i parë, nëse do ketë pika të kuqe do kthehen në kartonë jeshil në parlament”, tha Rama në intervistë me Sokol Ballën.

Debati për FSHF
I pyetur lidhur me zgjedhjen e vëllait të tij, Olsi Rama si drejtor i përgjithshëm i Partizanit, kryeministri tha se kjo është e drejtë e tij. “Është e drejtë e tij. Unë nuk jam ndonjë tifoz i ndonjë skuadre të kampionatit shqiptar. Madje nuk e ndjek fare atë. Nuk është gjë e mirë kjo që po them, por kështu ndodh. Kaq, kjo është e gjitha”, tha Rama. Më pas, i pyetur për kandidimin e përfolur të Bashkimin Finos për kreun e FSHF-së, kryeministri u shpreh: “Gjithkush është i lirë të kandidojë për gjithçka. Nuk jam këtu për të ndaluar për çfarëdo qoftë”. “Gjithkush ka të drejtën e tij, unë nuk ndërhyj në zgjedhjet e FSHF. Di që Flamurtarit i kanë ngrënë disa pikë me pa të drejtë”, u shpreh Rama.
Sigal