Rama hap luftë me ndërkombëtarët: Ambasadorët të mos hyjnë në punët e mia

151
Sigal

Arroganca e kryeministrit Edi Rama ndaj ndërkombëtarëve ka arritur maksimumin. Rama komentoi sot gjatë një konference për mediat deklaratat e Koordinatorit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Europian, Michael Gahler, i cili i kërkoi kryeministrit të Shqipërisë të mos përgojojë BE-në, por të plotësojë kushtet për anëtarësim. Si dhe foli për deklaratat e ambasadorëve kryesorë në vend.

Për ambasadoren e SHBA, Yuri Kim dhe kërkesën e saj për të mos kandiduar persona me precedentë penalë, Edi Rama u shpreh: “nuk ka nevojë të ma thotë Ambasadorja e SHBA detyrën time. Mos ma nxirrni përpara ambasadoren amerikane, jo ka thënë kështu, ka thënë ashtu. Unë e respektoj ambasadoren, por unë e di detyrën time karshi ligjit dhe popullit shqiptar”.

Për qëndrimet e diplomatit britanik në Tiranë, Dunkan Norman, kryeministri tha: “nuk e kuptoj pse ambasadori Britanik është kaq shumë i përfshirë në zgjedhjet në Shqipëri. Nuk e kuptoj se përse është përfshirë në këto biseda për zgjedhjet”.

Rama iu shmang thelbit të kritikave të zyrtarëve të BE që kanë të bëjnë me integrimin në BE dhe plotësimin e kushteve nga qeveria e tij, duke thënë se ka shprehur pakënaqësi ndaj Brukselit vetëm për çështjen e vaksinave. Në nota tallëse, Rama u shpreh se nuk e kuptonte shqetësimin e BE për plotësimin e kushteve, marrëveshjen e pesë qershorit dhe legjitimitetin e zgjedhjeve vendore të vitit 2019.

“Unë nuk e njoh dhe nuk kam përse t’i përgjigjem (koodinatorit Michael Gahler). I marr me rezervë citimet. Këto të gjitha që rreshtove janë përrallë nga e kaluara. Nuk kanë lidhje me realitetin”, iu përgjigj Rama pyetjes së gazetares. Duke iu referuar Gahler-it, Rama tha se këta janë mësuar të flasin kështu sepse dezinformohen nga opozita në Tiranë.

Kryeministri përdori fjalorin e Enver Hoxhës kur tha se “edhe bar do hamë”. “Kush është ky? Si mund të përdoret njëherë termi përgojim?! Këto të gjitha janë përgojime krejtësisht të pabazuara në fakte të vendit tonë. Për këto nuk fajësoj Koordinatorët e BE. Unë e di kush është fajtori. Nuk kam përgojuar BE-në, kam thënë atë që thonë sot të gjithë. I dëgjoni çfarë thonë? E dëgjoni çfarë thotë presidentja e KiE? Kjo situatë u krijua nga një qasje dritëshkurtër e palogjikshme, urdhëro ku janë rezultatet. Nuk ka nevojë ta mbrojë asnjë koordinator i PE nga unë. Këta janë mësuar të flasin kështu sepse për fat të keq furnizohen nga Tirana, ushqehen nga Tirana. Mbështeten nga Tirana. Prandaj janë mësuar të flasin kështu. Edhe nuk kanë minimumin etik kur hapin gojën. Për kë flet ai për shokun e vet?! Do na tregojë se ne nuk meritojmë vaksinën pse nuk kemi dakordësi për zgjedhjet e 2019-ës?”,- tha kryeministri.

Duke përdorur tone patriotike, Edi Rama tha se do të mbrojë dinjitetin e shqiptarëve. “Për ca jemi ne këtu, të hamë bar dhe të mos hapim gojën kur shohim një fakt. Mos harroni që jemi shqiptarë në radhë të parë!”, tha Rama.

Kritikat e zyrtarëve të Bashkimit Europian janë shtuar gjatë muajve të fundit për shkak të mos plotësimit të kushteve të qeverisë “Rama” për negociatat. Gjithashtu, kritikat lidhen dhe me afrimin e qeverisë “Rama” me Turqinë dhe largimin nga standardet e BE.

Në qëndrimet e tij për BE, Edi Rama i është shmangur thelbit të problemit që lidhet me integrimin dhe flet me tone patriotike, sikur gjoja mbron interesat  e vendit. Tonet e kryeministrit ndaj zyrtarëve të Parlamentit Europian kanë ngjashmëri vetëm me fjalimet e Enver Hoxhës kur denonconte rrezikun e imperializmit.