Rama gati iu lutet studentëve: Hajdeni se do i bëjmë të gjitha, edhe tarifat do i ulim, vetëm hajdeni!

434
Sigal

Prej më shumë se një orë e gjysmë kryeministri i vendit Edi Rama është duke kryer një monolog, teksa bën përgjegjës këdo tjetër veç qeverisë për gjendjen në të cilën ndodhet arsimi në vend.

Rama kërkon me ngulm  që të ndajë në grupe përfaqësimi studentët, edhe pse thotë se është i vetëdijshëm që kërkesat e tyre janë të drejta, dhe ai mirëkupton secilin prej tyre.

Prej disa ditësh Rama ka në zyrën e ministres së tij kërkesat e studentëve, po sot ka vendosur që të fshihet pas autonomisë universitare, që po vetë ai e ka vendosur përmes Reformës në Arsim kryer dy vite më parë.

Rama premtoi se ai do të prekte taksat e shqiptarëve që të ulte tarifat e studentëve, ,mirëpo fillimisht duhet ti takojë këta të fundit në zyrën e tij.

Po ashtu Rama ka akuzuar dekanët dhe rektorët duke thënë se vendimi për të rritur taksën ka qenë i tyre.

“Ju e dini shumë mirë të nderuar dekanë që ne nuk jua kishim borxh këtë. Ju nuk keni burrërinë që të dilni dhe tiu thoni studentëve që tarifat i keni vendosur ju”, u shpreh Rama. Ndërsa më tej tha se do të shkarkonte të gjithë përfaqësuesit e qeverisë në bordet e administrimit të Universiteteve.

‘’Do të shkarkoj që të gjithë përfaqësuesit e qeverisë në bordet e administrimit, po hajdeni njëherë këtu dhe tregoni fytyrën tuaj”, tha më tej kreu i qeverisë.