Rama: Gatet e drejtësisë do i bashkohen Gates së Lazaratit

386
Sigal

Kryeministri Edi Rama premtoi se qeveria e tij do të përballet “pa asnjë lëkundje me kriminelët e drejtësisë”. Gjatë fjalës së tij para grupit parlamentar socialist, zoti Rama theksoi se “Gatja i Lazaratit nuk është askushi para Gateve të sistemit tonë të drejtësisë”. 

“Donim të kthenim policinë në krye të detyrës brenda 300 ditëve të para të qeverisjes dhe ia kemi arritur qëllimit. Zhdukja e Lazaratit nga harta e drogës ishte një prioritet. Saimir Tahiri meriton falenderimin tonë dhe meriton ndjesën e heshtur të kujtdo deputeti që nuk e ka mbështetur. Ky është vetëm fillimi. Nuk e shohim Lazaratin si pikëmbërritje, por si një kthesë pas së cilës duhet të ecim më shpejt drejt ambicies sonë. Dua që Policia e Shtetit të krahasohet me policitë e rajonit dhe në të ardhmen me ato europiane”, u shpreh kryeministri, i cili shtoi se pas Lazaratit, radhën e ka drejtësia.

“Lazarati ishte një shëmbëlltyrë arrogante e shkeljes së këtij shteti dhe e triumfit të padrejtësisë mbi drejtësinë. Lazarati tregoi që ne mundemi dhe asgjë nuk është e pamundur për këtë qeveri. Gatja i Lazaratit nuk është askushi para Gateve të sistemit tonë të drejtësisë. Do të përballemi pa asnjë lëkundje me kriminelët e drejtësisë. Aksioni ka rritur pritshmëritë e popullit ndaj nesh, populli kërkon drejtësi. Gjyqtarët që kryejnë krime duke liruar Gatet me një të rënë çekiçi, duhet ta dinë që ne do të përballemi me ta me çdo kosto. Ky nuk është vendi i Gateve, por i qytetarëve të zakonshëm. Prokurorët që i kanë marrë kohë këtij vendi duke i ardhur vërdallë dosjeve të krimeve, ta kenë të qartë që nuk do i fshihen më përgjegjësisë së tyre”, tha zoti Rama.

Kryeministri argumentoi se me një sistem drejtësie si i yni, është e pamundur anëtarësimi në BE: “Askush nuk na toleron dhe askush nuk tolerohet. Me këtë sistem drejtësie, anëtartësimin në BE nuk e shohim dot as me dylbi. Dy janë reformat që janë të domosdoshme: territoriale dhe e drejtësisë. Reforma në drejtësi do të koordinohet nga Parlamenti nën drejtimin e kryetarit Fatmir Xhafaj. Këtë reformë e duam me pjesëmarrjen e opozitës, por do e çojmë përpara duke udhëhequr e duke mos u ndalur para askujt.”