Rama emëron 23 zv/ministrat. Aleatët: Na preu në besë

487
Sigal

Kryeministri Rama në një mbledhje të qeverisë, mbrëmë, ka emëruar edhe 20 zëvendësministrat e kabinetit të tij qeveritar. Surpriza më e madhe është se Rama as në postet e zëvendësministrave nuk ka përfshirë asnjë nga aleatët eASHE-së, sikurse kishte bërë edhe për postet e ministrave, edhe pse, sipas marrëveshjes bilaterale paraelektorale, midis kryetarit të PS-së dhe kryeartëve të partive aleate, pjesëmarrja në qeverisje e aleatëve do të jetë në bazë të kontributit të votave.

Emrat e 23 zëvëndësministrave të emëruar

23 zëvëndësministrat, të cilët u emëruan mbrëmë në mbledhjen qeveritare, janë:  Elona Gjebrea, Nora Malaj, Arbjan Mazniku, Milva Ikonomi, Klodian Rrepaj, Dorjan Duçka, Bardhylka Kospiri, Ilir Bejtja, Gentiana Mara Sula, Jani Babi, Alban Zusi, Ylli Manjani, Sokol Dervishaj, Ilirjan Mustafaraj, Brunilda Paskali, Majlind Lazimi,  Dritan Hila, Gjon Radovani,  Diana Bejko Oljana Prifti, Zef Çuni, Gentian Elezi, Alqi Puli,

  Znj. Elona Gjebrea, zëvendësministër i Punëve të Brendshme

Z. Ilirjan Mustafaraj, zëvendësministër i Punëve të Brendshme

  Znj. Nora Malaj, zëvendësministër i Arsimit dhe Sportit

Z. Arbjan Mazniku, zëvendësministër i Arsimit dhe sportit

 Znj. Milva Ekonomi, zëvendësministër e Shëndetësisë

Z. Klodian Rjepaj, zëvendësministër i Shëndetësisë

 Z. Dorjan Duçka, zëvendësministër i Energjisë dhe Industrisë

Z.Ilir Bejtja, zëvendësministër i Energjisë dhe Industrisë

 Znj. Bardhylka Kospiri, zëvendësministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë

Znj. Gentiana Sula, zëvendësministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë

 Z. Jani Babi, zëvendësministër i Bujqësisë, Zhvillimit Rual dhe Administrimit të Ujërave

Z. Alban Rusi, zëvendësministër i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave

 Z. Ylli Manjani, zëvendësministër i Transporti dhe Infrastrukturës

 Z. Dritan Hila, zëvendësministër i Mbrojtjes

 Z. Sokol Dervishaj, zëvendësministër i Punëve të Jashtme

Z. Alqi Puli, zëvendësministër i Punëve të Jashtme

 Znj. Brunilda Paskali, zëvendësministër i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes

 Z. Majlind Lazimi, zëvendësministër i Integrimit Evropian

Z. Gentian Elezi, zëvendësministër i Integrimit Evropian

 Z. Zef Çuni, zëvendësministër i Kulturës

 Z. Gjon Radovani, zëvendësministër i Zhvillimit Urban dhe Turizmit

 Znj. Oljana Prifti, zëvendësministër i Mjedisit

Znj. Diana Bejko, zëvendësministër i Mjedisit

Vendime të tjera të mbledhjes së qeverisë

  1- Propozimi i Projektligjit për kryerjen e shërbimit të auditimit të borxhit të ministrive kundrejt biznesit vendas dhe të huaj.

 Ky projektligj adreson situatën emergjente për të shlyer detyrimin e qeverisë ndaj sipërmarrjes vendase dhe të huaj, duke dhënë në këtë mënyrë shembullin e qeverisë shqiptare në shlyerjen e borxheve ndaj palëve të tjera. Ndërkohë do të nisin procedurat për të filluar sa më parë një auditim të plotë financiar të shtetit, duke ftuar të gjitha kompanitë ndërkombëtare për të shprehur interesin ndaj këtij procesi.

 2- Shkurtimin e shpenzimeve për shërbimin e transporteve për zyrtarët publikë dhe nëpunësit civilë.

 3- Lirimin nga detyra të znj. Lealba Pelinku si kryetare e Komisionit të Prokurimit Publik, e cila vijon mandatin e anëtarit të këtij komisioni, dhe emërimin si kryetar të Komisionit të Prokurimit Publik të z. Denar Biba.

  4- Lirimin nga detyra të z. Avenir Peka si drejtor i përgjithshëm i Agjensisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.

 LSI-ja ka edhe 8 zëvendësministra, përveç drejtorive të përgjithshme

Ndarja e pushtetit, deri tani, është bërë midis PS-LSI, ose më shkoqur, midis Ramës dhe Metës. LIS-ja ka 5 ministra në kabinetin “Rama1”, të cilët janë:  Nasip Naço në ministrinë e Drejtësisë, Edmond Haxhinasto në ministrinë e Transportit dhe të Infrastrukturës, Edmond Panariti në Ministrinë e Bujqësisë, Klajda Gjosha në Ministrinë e Integrimit dhe  Lefter Koka në Ministrinë e Mjedisit. Ndërsa mbrëmë Kryeministri Rama emëroi edhe 8 zëvendësministra të LSI-së, përveç drejtorëve të drejtorive të Përgjithshme, që deri tani janë emëruar.

 Zv/Ministrat, një pjesë supermilionerë…

Po të kërkosh në deklarimin dhe mosdeklarimin e pasurive të tundshme dhe të patundshme të zëvendësministrave të rinj, të sapo emëruar, fakti i parë i njohjes është se shumica e tyre, janë supermilionerë. Ja një nga rastet ( e LSI-së ) që gjithkush mund të klikojë në Google dhe do të gjejë: “ OBJEKTI I K/PADISË: – Detyrim i palës paditëse ( sapo është emëruar zëvendësministre) të kundërpaditur për të kthyer 50% të të ardhurave të shumës 327.301 Euro, të kompensojë të paditurin kundërpaditës për 50% të shumave të qirave të sendeve të paluajtshme nga data 01.03.2009 deri kur vendimi të marrë formë të prerë.
– Detyrim i palës paditëse të kundërpaditur për të kthyer 50% të shumës 440.000 USD dhe 50.000 Euro të përfituara prej saj nga shoqëria “RIRA” sha.
– Detyrim i palës paditëse të kundërpaditur të më kthejë shumat 25.000 USD dhe 5.000 Euro të paditurin kundërpadites.”…. ka dhe shumë të tjera. Epo tani jo nga shiu në breshër. Se ky popull po vuan për bukën e gojës.

 Rama shpërfill 100.000 vota të aleatëve

PS-ja në zgjedhjet e 23 Qershorit të 2013-s, mori 65 mandate, një më pak se në zgjedhjet e 2009-s. Mirëpo, në fitimin edhe të 65 mandateve të PS-së, kanë kontribuar edhe votat që mblodhën partitë aleatë të ASHE-së, edhe pse ata fituan vetëm 2 mandate.  Kjo, pasi, në bazë të skemës së fitimit të çdo mandati, sipas Kodit Zgjedhor, votat e partive aleate, shkuan në fitimin e mandateve nga partia më e madhe e koalicionit, pra e PS-së. Kështu, që PS-ja, në bazë të 100.000 votave të aleatëve të vet, ka fituar mbi 10 mandate. Ndaj, ishte detyrimi moral i kryeministrit Edi Rama, që të shpërblente këtë kontribut të çmuar të aleatëve, që t’i përfshinte në qeverisje. Mirëpo, Rama nuk shpërbleu asnjë nga aleatët, qoftë edhe ata më besnikë të tij, sikurse Gjinushin, Milon e pse jo, edhe Koçin.

PBDNJ-shi dhe PKD-ja fituan në zgjedhjet e 23 Qershorit secila nga 1 mandat në Kuvend. Dhe sipas marrëveshjes paraelektorale, e nënshkruar midis Kryetarit të PS-së me secilin nga kryetarët e partive aleate, Kryeministri Rama duhej t’u kishte dhënë këtyre partive të paktën nga një mandat ministror. Mirëpo, Rama nuk u dha asnjë, dhe u aludua, që do t’u jepte poste zëvendësministrash dhe drejtorë drejtorie të Përgjithshëm. PDS-ja e Milos, PDS-ja e Gjinushit kanë fituar mbi 10.000 vota në shkallë vendi, dhe në bazë të marrëveshjes, kanë të drejtën, që të merrnin poste zëvendësministrash. Po kështu, edhe PSV’91 dhe AP-ja, që kanë marrë mbi 5.000 vota secila, duhet të ishin shpërblyer nga kryeministri me poste zëvendësministrash.

Aleatët të zhgënjyer dhe të tradhtuar nga Rama

Të gjithë shpresonin, deri në çastin e fundit, që Rama, më së fundi, të shpërblente kontributin e aleatëve. Mirëpo, nuk është lajm, që Rama, mbrëmë nuk u dha as post zëvendësministror asnjë nga aleatëve të vet. Sikurse pohuan për “Telegraf”, shumë kryetarë të partive aleate të ASHE-së, Rama ka muaj që nuk i takon, që nuk kontakton me ata. Sa për sy e faqe, ka emëruar një koordinator, Gjet Ndoj, i cili nuk ka lidhje fare me aleatët, që është një person anonim dhe kurrsesi nuk mund të bëhet koordinatori i marrëdhënieve të Ramës me Gjinushin, Milon, Idajet Beqirin, Koçin, etj., të cilët kanë një histori përpjekjesh të përbashkëta të luftës opozitare 8 vjeçare në krah me PS-në dhe Edi Ramën. Krerët më të rëndësishëm, të partive aleate  të ASHE-së, të kontaktuar nga “Telegraf”, vetëm pak çaste pasi u publikuan mbrëmë emrat e rinj të zëvendësministrave të kabinetit të Ramës, shprehën indinjatën dhe zemërimin e tyre ndaj pabesisë jo ndaj personalitetit të kryetarëve të partive aleate, të cilët u shpërfillën tërësisht nga Kryeministri Rama, i cili, as për kortezi, nuk kontakton me ata, por e cilësuan pabesi të Ramës, ndaj 100.000 votave të elektoratit të Majtë e të ASHE-së, të cilët kontribuuan në fitoren e ASHE-së në 23 Qershor.

Koordinatori Ndoj, nuk dinte fare që Rama emëroi zëvendësministrat

Absurditeti i shpërfilljes së Ramës ndaj aleatëve shkon deri aty, sa as koordinatori që ka emëruar Rama, që të mbajë kontaktet e tij me aleatët, nuk dinte fare që mbrëmë u emëruan në mbledhjen qeveritare zëvendësministrat e qeverisë. Në prononcimin për “Telegraf”. Koordinatori Gjet Ndoj, pohoi që nuk dinte asgjë, për emërimet e zëvendësministrave, ndërsa tha se, ata nuk kanë biseduar fare me kryeministrin se çfarë poste qeveritare do t’u japë aleatëve.

Emërohen edhe prefektët e rinj në 12 qarqe
Emërimi i prefektëve të rinj

Znj. Aljona Mansaku, Prefekt i Qarkut të Tiranës lirohet nga kjo detyrë dhe emërohet z.Sadi Vorpsi, Prefekt i Qarkut të Tiranës

 Z. Genc Juka, Prefekt i Qarkut Durrës lirohet nga kjo detyrë dhe emërohet z. Rolant Xhelilaj, Prefekt i Qarkut Durrës

 Z. Shkëlqim Murati, Prefekt i Qarkut Të Fierit, lirohet nga kjo detyrë dhe emërohet z.Xhevit Bushaj, Prefekt i Qarkut Fier

 Z. Elez Maçi, Prefekt i Qarkut Kukës, lirohet nga kjo detyrë dhe emërohet z. Ram Hoxhaj, Prefekt i Qarkut Kukës

 Z. Shefqet Deliallisi, Prefekt i Qarkut Elbasan, lirohet nga kjo detyrë dhe emërohet z. Arben Kamami, Prefekt i Qarkut Elbasan

 Z. Andrea Mano, Prefekt i Qarkut Korçë lirohet nga kjo detyrë dhe emërohet z. Ardit Konomi, Prefekt i Qarkut Korçë

 Z. Bujar Hoxhaj, Prefekt i Qarkut Berat lirohet nga kjo detyrë dhe emërohet z. Selfo Kapllani Prefekt i Qarkut Berat

 Z. Gëzim Sharku, Prefekt i Qarkut Dibër lirohet nga kjo detyrë dhe emërohet z. Melaim Damzi, Prefekt i Qarkut Dibër

 Znj. Mimoza Çomo, Prefekt i Qarkut Gjirokastër lirohet nga kjo detyrë dhe emërohet znj. Zamira Rami, Prefekt i Qarkut Gjirokastër

 Znj. Voltana Ademi, Prefekt i Qarkut Shkodër lirohet nga kjo detyrë dhe emërohet z. Paulin Radovani, Prefekt i Qarkut Shkodër

   

Ministria e Drejtësisë bën publike dy emërimet e reja

Zyra e ministrisë së Drejtësisë, njofton se, ka emëruar në dy institucione në varësi të saj, Artur Zoton në postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, duke zëvendësuar kështu, Gazmend Dibrën, si dhe Ilirjan Muho në postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (Hipoteka).

 Albana Shtylla  emërohet Sekretare e Përgjithshme e Kuvendit

Ish-anëtarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Albana Shtylla emërohet në postin e sekretares së përgjithshme e Kuvendit. Pas vendimit të Kuvendit për të pranuar dorëheqjen e saj nga KQZ-ja, zonja Shtylla ka marrë sot detyrën e sekretares së Parlamentit.

Emërimet e drejtorëve të Përgjithshëm

Në këtë mesjavë Kryeministri Rama emëroi Agron Heto  drejtor i KESH-it, Endri Puka, drejtor i Albpetrol,  Engjëll Zeqo, drejtori i OST, Luneda Sufali, Drejtore e  Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit.

 

Idajet Beqiri, Kryetar i PUK-ut

 Zoti Beqiri, derisa Kryeministri Rama nuk e mbajti fjalën që të vlerësonte kontributin e aleatëve me poste qeveritare, si po i vete halli Marrëveshjes parazgjedhore të PS me aleatët e saj?

 Marrëveshja politike është e nënshkruar dhe ka fuqinë e një “akti normativ” për të gjithë nënshkruesit e saj. Kemi patur një takim të vetëm me Ramën pas 23 qershorit. Konceptet dhe qëndrimet e tij lidhur me këtë Marrëveshje Politike kanë qenë tepër të qarta dhe të pranueshme për të gjithë ne aleatët e tij. Takim të dytë nuk kemi bërë. Strategjinë e veprimit dhe të implementimit të kësaj Marrëveshje Politike afatgjate më mirë se kushdo e dinë dyshja Rama-Meta. Besoj se ata dinë ç’bëjnë. Aleatët e Ramës duhet të tregohen të duruar, sepse nuk besoj që Ai dhe Qeveria e tij, duke e ditur që ka përballë një opozitë destruktive, alogjike dhe të dhunshme të Berishës, të nxiste me dëshirë edhe një opozitë të vërtetë tepër të fuqishme të aleatëve të vet, të deritanishëm.

 Spartak Ngjela: “Rama të ndërrojë trajektoren, ose të gjejmë Kryeministër tjetër”

Përkundrazi, unë do angazhohem brenda koalicionit që Rama, ose të rregullojë trajektoren, ose të gjejmë një kryeministër tjetër. Ka marrë fund ajo. Shenjat janë shumë të këqija. Ai ka prishur gjithë marrëveshjen. Jetën politike të partisë së vet e ka braktisur. Më duket se nuk po e kupton, ose është kapur nga një grup njerëzish që e drejtojnë nga fryn era. Gjendja është e rëndë. Ka konflikte të brendshme që ky duhet t’i zgjidhë, që të ketë jetëgjatësi. Rama duhet të ndërrojë trajektore. Krijimi i kompromisit me ata që është konfliktuar është zgjidhja. Janë persona që kanë krijuar vetë partinë. Pa një kompromis të gjerë brenda vetes, ti s’mund të bësh kompromisin e madh. Ka rënë në entuziazëm patologjik për ngritjen me katapultë që u bë kryeministër. Kjo nuk ka rëndësi, por duhet të kthehet gjuha e marrëveshjes.

   Petro Koçi: “PS-ja duhet të komunikojë me aleatët”

 Kreu i PSV ‘91 Petro Koçi deklaroi se, PS-ja  duhet të vendosë më shumë komunikim me partitë aleate, pasi sipas tij deri më tani ky komunikim ka munguar. “Aleatët e vegjël po heshtin sepse aktualisht nuk ka zhvillime. Nuk besoj se është çështje emërimesh. Mendoj se duhet të ketë më shumë komunikim. Ky komunikim ka munguar, ndoshta me aleatët dhe pjesën tjetër, sesa një përfaqësim angazhues në nivelin administrativ e politik të shtetit. Këtu duhet të ketë zhvillime”, – tha ai në një intervistë për rubrikën “Opinion” në “Nevvs 24”. Ndërkohë, i pyetur nëse aleatët e vegjël i kanë bërë ndonjë kërkesë zyrtare PS-së, Koçi tha se më e udhës do të ishte që vetë Kryeministri Rama t’i thërrasë ata për t’i bërë publike projektin e tij të bashkëqeverisjes. “Jo nuk ka asnjë zhvillim dhe ne nuk kemi bërë ndonjë kërkesë specifike sepse është e udhës që vetë Kryeministri të paraqesë ndonjë projekt apo skemë sesi përfshihen aleatët me vlerat e tyre në bashkëqeverisjen politike”.

Struktura e re, si ndahen drejtoritë sipas ministrive

 Këshilli i Ministrave i shton kompetencat Ministrisë së Mirëqenies Sociale, e drejtuar nga Erion Veliaj, duke i shtuar dy përgjegjësitë e dy institucioneve, siç është Instituti e Sigurimeve Shoqërore (ISSH) dhe Komitetin Shtetëror të Kulteve.

Ministria e Energjetikës

Ministrisë së Energjetikës dhe Industrisë, e drejtuar nga Damian Gjiknuri, në VKM-në e dytë të ndërmarrë nga qeveria i janë shtuar kompetencat për të drejtuar 6 institucione në varësi, që iu shkëputën ish- Ministrisë së Ekonomisë. Gjiknuri do të drejtojë Agjencinë e Burimeve Natyrore, Agjencinë Kombëtare Atomike, Shërbimin Gjeologjik, Repartin e Inspektim-Shpëtim Minierave, Inspektoratin Teknik dhe Sekretariatin për Industrinë e Nxjerrjes së Naftës. Po ashtu, këtij dikasteri i është lënë dhe drejtimi i 24 shoqërive shtetërore, ndër më të rëndësishmet, Albpetrol, OSSH, KESH dhe PetroAlba.

Ministria e Arsimit dhe Sporteve

Kurse Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, që drejtohet nga Lindita Nikolla, i është shtuar veç të tjerave edhe Agjencia e Shërbimeve të Sportit.

Ministria e Drejtësisë

Ministria e Drejtësisë ka ruajtur disa nga institucionet e rëndësishme, siç janë Zyrat e Regjistrimit të Pronave dhe Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.