‘Rama donte të provokonte opozitën që të mos hynte në zgjedhje’, Kryemadhi: Opozita do hyjë dhe do fitojë në shumicë dërrmuese

285
Sigal

Me votimin e sotëm në Parlament, Edi Rama kërkoi të provokonte opozitën që ajo të deklaronte se nuk do të hynte në zgjedhje. Kështu u shpreh kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi në një lidhje direkt në emisionin e gazetarit Cim Peka në Syri Tv. Kryetarja e LSI tha se opozita do të hyjë në zgjedhje dhe do t’i fitojë ato në shumicë dërrmuese.

‘Edi Rama me lojën e sotme, po të shikojmë edhe deklaratat e tij politike, po të shikojmë edhe sjelljen e tij, foli në Parlament nuk i përballonte dot, pastaj foli edhe një orë përjashta te oborri aty ku i thërrisnin njerëzit “Rama ik”, mashtrues, hajdut e të tjera e të tjera, pastaj nxori Taulantin, çfarë tregoi? Sot Rama donte të provokonte opozitën, për të thënë opozita që nuk do hyjmë në zgjedhje. Unë po jua bëj të qartë zoti Peka, juve, të gjithë teleshikuesve dhe ndjekësve të televizionit tuaj, por ndërkohë edhe Edi Ramës dhe të gjithë shpurës së tij, opozita do hyjë në zgjedhje dhe do i fitojë ato në shumicë dërrmuese. Jo se do fitojë opozita, por do fitojnë shqiptarët kundër listës së stërzgjatur të mashtrimeve dhe dështimeve të Edi Ramës. Lista e dështimeve të Edi Ramës është më e gjatë se lista e zgjedhësve, është më e gjatë se lista e zgjedhjeve të shqiptarëve që janë 3 milionë e gjysmë’.