Rama: Do të reformojmë sërish sistemin e arsimit, kemi probleme të mëdha

597
“Sektori i arsimit pavarësisht punës së bërë në katër vite, vazhdon të ndeshet me probleme. Kemi boshllëqe në trajnimin e mësuesve. Ja cila do jetë platforma”
Arsimi në vend ka pasur dhe ka probleme nga më të shumtat. Në kuadër të kësaj problematike, kryeministri i është rikthyer sërish këtij sistemi, por këtë radhë duke hedhur teza të reja. Kryeministri Edi Rama nga shkolla “E Kuqe” në një takim me mësuesit e Tiranës ka prezantuar platformën për rritjen profesionale të mësuesve. “Mësuesit në Shqipëri në kushte dramatike kanë bërë maksimumin, por nëse nuk ndihmohen nuk përfshihen në sistemin e qëndrueshëm e kanë të pamundur që vetëm me përpjekjet e tyre të ndjekin ritmin e kohës. Nga të gjitha të dhënat kemi një fushë të tërë për të përshkuar dhe për të përmbushur boshllëqet e së shkuarës në trajnimin e mësuesve. Portali “Mësues për Shqipërinë” ka dhënë rezultate. Po përgatitemi për reformimin e DAR, nuk do të kemi më këtë numër, do jenë vetëm 4, në rajone. Sipas një harte që e kemi ndërtuar mbi rajonet, jo sipas ndarjes administrative, por zhvillimit. Roli i drejtorive do të ndryshojë, DAR nuk do të jenë më zyra emërimesh dhe shkarkimesh, do të jenë garant të cilësisë për të gjithë aktorët në fushën edukimit”, u shpreh Rama. Më tej kryeministri theksoi se, portali do e bëjë të panevojshme ndërhyrjen njerëzore dhe, sipas tij, do të jetë bazë të dhënash me pikët e testeve, kreditet dhe çdo spostim do të bëhet në mënyrë kompjuterike. “Përfundimisht çdo mësues të garantohet që askush nuk e lëviz dot për sa kohë bën detyrën, zëvendësimet sipas meritës. Drejtuesit janë aty, aksident politik, si një monument i së shkuarës. Nga një sistem i thjeshtë 300 drejtorë kanë rezultuar që të jenë nën nivelin mesatar, mes tyre. Nëse drejtuesit e shkollave futen në një proces normal trajnimi, sigurisht që mund t’i rrisim shpejt aftësitë e tyre”, tha Rama. Më tej ai shtoi se edhe procesin e zgjedhjes së tyre do ta largojmë përfundimisht nga duart e partive. “Ne shpëtuam në 90% sistemin nga interferencat politike për mësuesit, se u bë e vështirë për shkak të portalit për të bërë ndërhyrje dhe qoka, por u hapën qokat për drejtorë. U bë më e lehtë të bëhesh drejtor se mësues. Dhe kemi dëgjuar që ‘Me që mësues nuk më bën dot më bëj drejtor’. Nëse për mësuesit janë bërë disa përpjekje për trajnim, për drejtorët do të themelojmë shkollën e drejtorëve, si ajo e administratës, do të trajnohen dhe testohen. Zëvendësimi i 300 drejtorëve do të bëhen nga mësuesit që kanë dalë më mirë në test” deklaroi ai. Ndërsa ministrja Nikolla ka deklaruar se “Do fillojmë reformë totale në Universitete. Do rrisim notën mesatare për ata që duan të bëhen mësues. Brenda 100 ditëve do trajnojmë 20 mijë mësuesit e parë”, tha Rama.
Sigal