Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan do të zhvillojë një vizitë në Tiranë, ku do të takohet me zyrtarë të lartë të vendit, si dhe do të marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të Xhamisë së Madhe të Tiranës ose siç njihet e Namazgjasë.
Burime për mediet, bëjnë të ditur se bashkë me Kryeministrin Edi Rama, Presidenti Erdogan do të jetë i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të Xhamisë së Madhe në Tiranë.
Sipas axhendës së publikuar në medie, vizita e Presidentit Erdogan do të nisë me një takim kokë më kokë me presidentin Begaj, për të vijuar me mbledhjen e Këshillit të Bashkërendimit të nivelit të lartë dhe ceremoninë e firmosjes së marrëveshjeve.
Po ashtu pritet një deklaratë për mediet e Presidentit Erdogan dhe Kryeministrit Edi Rama.
Xhamia në qendër të kryeqytetit, e konsideruar si më e madhja në Ballkan është veshur me flamujt e Turqisë dhe Shqipërisë, e pas inaugurimit do të jetë e hapur për të gjithë besimtarët myslimanë.
Njoftohet se drejtuesit e automjeteve duhet të shfrytëzojnë autostradën e re Kashar – Rinas, për të qarkulluar në drejtim të aeroportit të Rinasit, pasi aksi i vjetër Kashar – Rinas nga ora 10:00 deri në 11:30, si dhe nga ora 17:00, deri në orën 18:00, të datës, 10.10.2024, do të jetë i bllokuar.
Rrugë të tjera që do të bllokohen janë:
Nga Rinasi – Qafa e Kasharit – Mbikalimi tek Casa Italia – nënkalimi te ish-sheshi “Shqiponja”, Unazë (Astir) – Rrethrrotullimi i Saukut, Rruga e Elbasanit.
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga Ura te ish-Hotel Dajtit deri te sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, rruga “Papa Gjon Pali II”, rruga “Ibrahim Rugova” rruga “Ukraina e Lirë”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe rruga “Xhorxh Bush”.





















