Rama deputetëve: Të gjithë në aksion, të nxjerrim problematikat dhe pastrojmë administratën

447
74 deputetët e Partisë Socialiste, dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit u thirrën në një takim nga shefi i tyre Edi Rama në selinë e Kryeministrisë, ku morën këshillat e para
Ashtu sikundër pati deklaruar gjatë fushatës dhe menjëherë pas daljes së rezultateve të votimit, kryeministri Edi Rama, nisi punën për të ndërtuar qeverinë e tij dhe pastruar institucionet nga punonjësit e administratës, të cilët ai i konsideron pjesë e tepsisë. Paraditen e djeshme Edi Rama zhvilloi një mbledhje me 74 deputetët e rinj socialistë të dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit. Në fjalën e tij, Rama ka theksuar se marrja e mandatit përbën një përgjegjësi për Partinë Socialiste, e cila do të mund të qeverisë e vetme. “Kemi marrë më shumë vota se 4 vite më parë, shumë e rrallë për një parti që udhëheq vendin. Kanë votuar 73 për qind e shqiptarëve të pranishëm në atdhe. Ta mbajmë të gjithë vath në vesh se një mbështetje e këtyre përmasave nuk është më shumë vlerësim për atë që bëmë, sesa besim për atë që mund të bëjmë. Mos justifikimi i këtij besimi do të ishte fatal për Partinë Socialiste”, ka thënë Rama. Pasi ka falënderuar eksponentët kryesorë të partisë së tij, Rama i ka dërguar një mesazh edhe ish-aleatit të tij Ilir Meta, si dhe Partisë Demokratike. “Falënderoj Ilir Metën, jo për gjërat që i çoi për dreq, por për çdo kontribut pozitiv e të pamohueshëm që dha në punën e përbashkët. I lutem Metës të reflektojë si presidenti që i mori votat tona për të qenë konsensual e jo konfliktual e të përqendrohet tek ndreqja e gabimeve që i bëri figurës së presidentit në 40 ditët e fundit. Falënderoj edhe ministrat e LSI-së për kontributin pozitiv që dhanë në arritjet e qeverisë”, ka thënë Rama. Sa i takon PD-së, kreu i qeverisë ka rikonfirmuar se marrëveshja e 18 majit do të mbetet një “busull orientuese” në marrëdhëniet pozitë-opozitë. Ai ka shtuar më tej se prioriteti i PS për këtë fazë tranzicioni deri në formimin e qeverisë së re do të jetë reflektimi mbi gabimet e mandatit të kaluar. “Struktura e qeverisë së re do të shpallet pas reflektimit, deri në gusht. Nëse dështojmë në përgatitjen e këtij koalicioni me qytetarët duhet të përgatitemi për një dështim më të madh”, ka shtuar Rama. Gjatë fjalës së tij, Rama ka theksuar se ekipi i ri qeverisës do të jetë gati në muajin shtator, ndërkohë që deri atëherë do të bëhet në punë e madhe në bazë, mes njerëzve për të gjitha shqetësimet dhe ankesat e tyre. Ai ka theksuar edhe njëherë se edhe pse kanë shumicën nuk do të qeverisin të vetëm.“Nuk do të qeverisim të vetëm, por në një koalicion të madh me njerëzit. Kërkuam mandat kuqezi e do të qeverisin kuqezi jo si përça e sundo në çdo zonë, e shpërndarës favoresh me shkopin e partisë”, tha ai.

PS ka paralajmëruar se gjatë muajit korrik dhe gusht do të bëjë një punë intensive për një sërë analizash të brendshme dhe komunikimi me qytetarët, përpara se të strukturojë qeverinë e re. Kryeministri Edi Rama njoftoi nga mbledhja me skuadrën zgjedhore ngritjen e 5 grupeve të punës, të cilët do të hartojnë raporte specifike për mbledhjen e Asamblesë Kombëtare Socialiste në fund të gushtit. Grupi i parë, drejtohet nga Gramoz Ruçi dhe ka përgjegjësi të bëjnë një raport të aktivitetit të deputetëve në parlament dhe në zonën e përfaqësimit. Grupi i dytë do të drejtohet nga Milva Ekonomi do të bëjnë një raport kombëtar mbi nevojat sociale, ekonomike e politikë në çdo bashki të vendit, si dhe të gjendjes së burimeve njerëzore të Partisë Socialiste. Grupi i tretë do të drejtohet nga Niko Peleshi dhe do të hartojë një raport me rekomandime të ndryshme se si mund të ristrukturohet administrata e re shtetërore. Grupi i katërt i punës do të drejtohet nga Arben Ahmetaj do të analizojnë në një raport mbi dokumentet që ju kërkohen nga zyrat shtetërore qytetarëve, duke pasur në fokus dixhitalizimin e tyre me qëllim reduktimin e burokracive. Grupi i pestë do të drejtohet nga Fatmir Xhafaj dhe do të përgatisë për Asamblenë Kombëtare një analizë elektorale mbi rezultatin e PS-së në 25 qershor.

Mbi bazën e këtyre raporteve asambleja do të marrë në fund të gushtit vendime të rëndësishme që do të finalizohen me strukturimin e qeverisë së re, ministrive dhe fushave të tyre të përgjegjësisë.
Sigal