Rama/ Çështja CEZ me standardeve ndërkombëtare, koalicioni funksionon më së miri

412
SHBA- Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë sot për Zërin e Amerikës ku ka deklaruar se akuzat dhe aludimet për çështjen e CEZ janë dokrra të prodhuara nga Partia Demokratike. Në një bisedë në studion e VOA-s që nuk ka shkuar pa tensione, për shkak se Rama nuk ka preferuar të flasë për këtë çështje, ai theksoi se koalicioni funksionon më së miri dhe se shumica nuk ka kohë për të humbur me fantazi të shfrenuara. “Ju e thatë vetë është një përfolje shumë e madhe dhe s’me mbetet tjetër veçse të them “Fali Zot se s’dinë se ç’bëjnë”! Çështja e ashtuquajtur e CEZ-it është e trajtuar sipas standardeve ndërkombëtare dhe marrëveshja e qeverisë shqiptare domosdoshmëri për të çliruar kompaninë nga kthetrat ku ishte kapur. 

Për të gjitha të tjerat i ftoj të gjithë ata që kanë akuza, pretendime, aludime, ti referohen legjislacionit shqiptar ti referohen institucioneve përkatëse për të gjetur çfarë duan të gjejnë. Për mua, për qeverinë kjo është një çështje e mbyllur. Kjo është pjesë e një gjullurdie që ka përfshirë edhe median. Edhe ju ushqeni këtë lloj mjegulle të pakuptimtë, sepse studioja ligjore e tërhequr në këtë debat absurd nga media të caktuara ka dhënë një prononcim shumë të qartë dhe ka thënë se nuk ka asnjë referencë”, deklaroi kryeministri.

Sipas tij, qeveria shqiptare nuk ka të bëjë fare me këtë çështje, dhe se kjo është një mjegull e ngritur dhe e dendësuar nga personazhe që shtrihen nga selia e PD deri tek burimet e informacionit. “Kjo është puna e studios ligjore në funksion të zgjidhjes së procesit. Nuk ka të bëjë me qeverinë shqiptare. E gjitha kjo është një mjegull e ngritur dhe e dendësuar dita-ditës nga një zogori burimesh e personazhesh që shtrihen nga Selia e PD deri në burime të informacionit që nuk informojnë qytetarin po deformojnë informacionin. Unë nuk këmbëngul në asgjë që lidhet me këtë çështje. Prokuroria ka një hetim dhe është prokuroria që duhet të flasë. Qeveria shqiptare dhe unë vetë nuk kemi asnjë lidhje me këtë diskutim absurd që është kthyer në një spekulim. 

Çka prokuroria shqiptare heton i takon asaj të thotë të vërtetën. Këto janë të gjitha dokrra të prodhuara nga një parti, Partia Demokratik që nuk ka kokë, nuk ka alternativë, nuk ka drejtim që nuk di ku është dhe se çfarë kërkon”, theksoi Rama. Kryeministri gjithashtu deklaroi se “nuk ka asnjë pengesë për asnjë lloj hetimi në marrëveshjen e bërë për ta zgjidhur me marrëveshje problemin e trashëguar nga qeveria e kaluar”. “Shqipëria nuk ka asnjë shpikje alla shqiptarçe për të bërë. Ne jemi në një koalicion qeverisës dhe koalicioni qeverisës funksionon për mrekulli. Me keqardhje them se erdha në këtë studio për të përfituar dhe për ti përcjellë opinionit publik gjëra shumë herë më të mëdha se këto që po më pyesni. Ju keni të drejtë por mendoj se shqiptarët kanë të drejtë të dinë më shumë për arsyet përse jam këtu”, vijoi më tej kryeministri, duke e quajtur gjithë këtë çështje një problem të stisur.

“Problem i stisur. Gjithkush ka të drejtë të kërkojë transparencë të plotë për marrëveshjen e qeverisë shqiptare me CEZ por qeveria shqiptare dhe shumica qeverisëse nuk kanë kohë për të humbur dhe për tu marrë me fantazitë e shfrenuara të PD-së dhe segmenteve të tjera që nuk kanë lidhje me interesat e publiku por kërkojnë të devijojnë rrugën tonë”, nënvizoi kryeministri Rama. Duke u ndalur tek përfshirja në politikë e personave të inkriminuar, Rama tha se kush nuk respekton ligjin përgjigjet individualisht për shkeljen e tij dhe se sot nuk ka më të mbrojtur. “Kush nuk respekton ligjin përgjigjet individualisht për shkeljen e ligjit. Jam krenar që qeveria jonë po vendos këtë standard në Shqipëri që nuk ka tanët dhe tuajt. 

Sot jemi në kushte të tjera jo në kushtet kur deputeti gjuante me pistoletë në mes të stadiumit dhe kur kryeministri thoshte e kishte lodër”, tha ai. Rama foli edhe për vizitën e tij në SHBA, ku theksoi se Shqipëria këtë herë ka patur një vend të veçantë dhe imazhi i Shqipërisë është në përmirësim të vazhdueshëm. “Në New York Shqipëria këtë herë ka patur një vend të veçantë, jo vetëm në samitin e organizuar nga Obama por një sërë aktivitetesh. Është shumë e rëndësishme që Shqipëria sot ka një pozicion të konsoliduar dhe shumë të respektuar dhe imazhi është në përmirësim të vazhdueshëm. Nuk është thjesht çështje imazhi por përmbajtje e politikës së jashtme. Që do ndikojë në rritjen e besueshmërisë dhe investimeve”, tha kryeministri.
Sigal