Rama-Basha, misteri i kontakteve dhe takimeve

439
Si zgjidhen ngërçet e marrëveshjes politike të 18 majit dhe bisedat e pazbardhura mes kryeministrit e kreut të opozitës 
Prej fundit të majit, kryeministri Rama dhe kryeopozitari Basha kanë nisur zbatimin e një marrëveshjeje politike, që parashikon përfshirjen e ministrave teknikë në qeveri dhe reformë kushtetuese e zgjedhore pas 25 qershorit. Burime politike flasin për një kontakt të vazhdueshëm mes dy politikanëve, duke lehtësuar zbatimin e marrëveshjes politike. Pas emërimit të ministrave dhe miratimit në Kuvend të paketës ligjore, përfshirë edhe Vetingun, marrëveshja PS-PD u duk se ngeci te caktimi i drejtorëve të 5 drejtorive e korporatave të rëndësishme. Megjithatë, duket se një kontakt direkt apo indirekt mes Ramës dhe Bashës e kaloi edhe këtë situatë. Në drejtim të Burgjeve, ALUIZNI-t, OSHEE-së dhe Hipotekave u caktuan të propozuarit nga opozita. Gjithashtu, zbatimi i Vetingut, nëpërmjet punës së komisioneve parlamentare nisi me tension, ndërsa nuk munguan kërcënimet edhe për ndryshime ligjore. Por gjithçka u mbyll “paqësisht” në fazën e parë dhe pritet që emrat e përzgjedhur të “udhëtojnë” drejt seancës plenare. Përtej disa replikave me kandidatët e komisioneve të Vetingut dhe replikave të shpejta, çdo gjë u shua dhe palët pritet të votojnë kandidatët. Në anën tjetër, burime politike flasin edhe për një takim mes të dy politikanëve mbrëmjen e së shtunës. Takimi nuk u konfirmua gjatë ditës së djeshme dhe mbetet ende një mister, ndërsa marrëveshja politike e 18 majit po vijon të respektohet nga palët. Këtu spikat edhe mungesa e posterave, banderolave e flamujve, si dhe mospërdorimi i siglave partiake. Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme, burime politike bëjnë të ditur, se po planifikohet një vizitë në Tiranë e atij që mund të cilësohet si “kumbari” i marrëveshjes Rama-Basha. Hoyt Brian Yee duket se po planifikon një tjetër udhëtim drejt rajonit të Ballkanit, ku tashmë situata në disa vende është e ndryshme nga ajo e mesmajit, kur ndihmëszëvendëssekretari amerikan i Shtetit ishte për herë të fundit në rajon. Shqetësimi i tij kryesor, i deklaruar edhe përpara një Komisioni të Senatit, ka qenë ndikimi rus në vendet e Ballkanit, ndërsa tashmë kriza politike në Shqipëri është zgjidhur, në Maqedoni ka nisur punën qeveria e re, në Kosovë po zhvillohet normalisht fushata zgjedhore dhe në Serbi startoi mandatin e presidentit, Aleksandër Vuçiç. Megjithatë koha dhe qëllimi i një vizite të tillë nga Uashingtoni mbeten ende për t’u konfirmuar. Marrëveshja politike mes qeverisë dhe opozitës i dha fund një krize të zgjatur politike, që nisi me kërkesën e Partisë Demokratike për largimin e kryeministrit Rama. Për disa muaj opozita protestoi përpara selisë së qeverisë, duke ngritur një çadër dhe gjithçka përfundoi më 18 maj. Pas presionit amerikan dhe negociatave në distancë, palët arritën një marrëveshje, e cila parashikoi përfshirjen në kabinetin qeveritar të 7 ministrave të propozuar nga opozita, krahas drejtuesit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Avokatit të Popullit. Megjithatë, kjo marrëveshje u arrit pas dy takimeve të zgjatura kokë më kokë mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, që ende mbeten të mbushur me mister dhe paqartësi.
Sigal