Rama-Basha, dështon takimi i dytë, ja ku ndahen palët

448
Kryeministri dhe kryeopozitari bisedojnë për dy orë në zyrën e Presidentit. Shefi i qeverisë: Nuk ka më oferta, votojmë më 18 qershor 
Dështon edhe përpjekja e dytë e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, për të gjetur një kompromis politik mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës, Lulzim Basha. Pas një dite intensive takimesh të ambasadorëve, Rama dhe Basha, këtë herë të pashoqëruar nga Gramoz Ruçi e Edi Paloka, janë takuar në zyrën e Kreut të Shtetit. Në përfundim, gjithçka ka rezultuar pa rezultat dhe Rama e Basha kanë dalë nga biseda dyorëshe, duke mbajtur qëndrimet me të cilat i nisën bisedimet. 

Oferta e Ramës
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se ka ofruar skemën e tij të zgjidhjes së krizës, duke bërë të ditur se është tërhequr nga oferta e bërë prej eurodeputetëve disa ditë më parë. Në skemën e Ramës për opozitën bëhet fjalë për caktimin e një zëvendëskryeministri dhe disa zv/ministrave për të mbikëqyrur funksionimin e administratës dhe mospërfshirjen e saj në fushatën zgjedhore. Shefi i qeverisë nënvizoi se aktiviteti i zv/kryeministrit dhe zv/ministrave në dikasteret e Drejtësisë e Arsimit do të ndihmohet nga përfaqësues ndërkombëtarë për të mundësuar konstatimin e shkeljeve gjatë fushatës elektorale. Në të njëjtën kohë, Rama tha se nuk do të ketë ndryshim të datës së zgjedhjeve dhe më 18 qershor shqiptarët do t’u drejtohen kutive të votimit. “Ne kemi pasur zgjedhje në 2009, kur ishim në çadër, po policia nuk ka qenë pjesë e ankesave tona. Saliu dhe Lulzimi, Saliu në radhë të parë se është shahist i vjetër, duhet të kuptojë që ajo që ishte në tavolinë një javë më parë, nuk është më. Kur kishe gur për të ngrënë dhe s’e hëngre, s’ka kohë më ta hash se doje të haje mbretëreshën. Unë i kam bërë një propozim realist, kur isha kryetar opozite, nuk do doja ta shihja si të mundshëm për të na garantuar ne”, tha Rama dje në një konferencë për shtyp, duke sqaruar ofertën e tij. Shefi i qeverisë detajoi se i ka propozuar opozitës të vëzhgojë në kohë reale administratën, trupën mësimore, policinë dhe burgjet. “Një zv/kryeministër i propozuar nga PD-ja, por jo anëtar i PD-së, të vihet në krye të një ‘task force’ për të garantuar mospërfshirjen në proces në favor të shumicës në të gjithë këto struktura të shtetit. Ky zv/kryeministër, bashkë me një përfaqësues nga BE, SHBA dhe OSBE, do të ketë detyrën e monitorimit të plotë të sjelljes së shtetit në fushatë mbi bazën e një rregulloreje të dakordësuar, ku do të përcaktohen të gjitha pikat detyruese për qeverinë dhe për agjencitë shtetërore që nuk duhen shkelur, që nga nafta e përdorur në fushatë, që kanë përdorur paratë e shtetit për të bërë xhiro në Shqipëri”, tha Rama. Gjithashtu, një prej ofertave ishte edhe një ministër shteti për teknologjinë në zgjedhje. Ky ministër i zgjedhur nga PD do të kishte ekipin e tij, buxhetin e vet. Për sa i përket votimit dhe numërimit elektronik, Rama tha se ka pranuar të financojë projektin, por për zgjedhjet vendore të 2019-ës. Pas bisedimeve të mbrëmjes së djeshme në Presidencë, Rama tha se nuk do të ketë një ofertë tjetër.

Kërkesat e Bashës
Propozimet e Ramës në tryezën e Kreut të Shtetit janë rrëzuar nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Ai ka këmbëngulur se qeveria teknike dhe bllokimi i parave të drogës e kriminelëve për të mos ndikuar në zgjedhjet e ardhshme. Basha u shpreh se Rama është tërhequr nga oferta e negociuar së bashku me eurodeputetët McAllister dhe Flankenshtajn, ku flitej për shtyrjen e datës së zgjedhjeve dhe ndryshimin e disa ministrave, krahas përmirësimeve të shumta ligjore e ndryshimit të drejtimit të disa institucioneve, si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Avokati i Popullit. Basha tha se oferta e PD-së bazohet në dy shtylla kryesore. E para, sipas tij, ka të bëjë me krijimin e një qeverie teknike, e cila do të mund të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme. Dhe kërkesa e dytë e Bashës, konsiston në votimin dhe numërimin elektronik. Kjo pikë, nëse do të pranohej nga kryeministri Rama, kërkon që zgjedhjet parlamentare të shtyhen me 6 muaj, afat që nevojitet sipas Bashës për të instaluar teknologjinë e nevojshme. “Ne kemi qenë në një proces negociatash. Ajo që u ofrua ishte një proces monitorimi dhe jo një zgjedhje politike, siç kërkohet dhe synohet nga shqiptar. Një qeveri teknike me mandat për të zgjidhur për të ndalur përdorimin e parave të drogës për blerjen e zgjedhjeve, dhe garancinë për t’i dhënë shqiptarëve zgjedhje të lira e të ndershme.

Takimi i djeshëm Rama-Basha ishte i dyti brenda dy ditësh në zyrën e Presidentit të Republikës. Megjithatë, palët duket se janë ende larg arritjes së një marrëveshjeje, ndërsa opozita prej 18 shkurtit ka bojkotuar Parlamentin dhe po proteston pranë selisë së qeverisë, duke mos u regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. 
Sigal