Qeverisja e re lokale: 61 bashkitë do të drejtohen dhe shërbejnë sipas “modelit 1958”

3899
Shqipëria, që prej vitit 1913 kur u bë organizimi i parë territorial, ka kaluar në për disa modele ndarjesh administrative në numër zonash, popullsie e territoresh. Në 102 vite shtet që kanë kaluar, qysh prej vitit 1912 kur u shpall pavarësia, Shqipëria është organizuar 21 herë si administrim territori, duke u ndarë e bashkuar në krahina, lokalitete, fshatra, qytete, prefektura, nënprefektura, lagje, bashki, komuna, qarqe e së fundi në vetëm 12 qarqe dhe 61 bashki. Ndarjet kanë qenë të tilla, që zonat e një krahine, janë bërë pjesë administrative e një krahine tjetër, fshatrat janë grupuar në “fshat i bashkuar”. Tashmë, Shqipëria është ndarë vetëm në 61 bashki, brenda të cilave janë shkrirë 65 bashki dhe 308 komuna, ose gjithsej 373 njësi vendore, që konsumonin miliarda lekë në vit, afro 80% e të cilave bënin shpenzime fiktive sa për paga, makina, dieta, kancelari etj, pa bërë asnjë punë në shërbim të komunitetit. Madje ka pasur edhe bashki me 200 banorë e komuna me 500 banorë! Bashkë me fushatën elektorale është finalizuar edhe ligji për strukturën drejtuese të 61 bashkive të reja, të këshillave të tyre e këshillave të qarqeve. Sipas modelit të ri qeverisës lokal, qeverisja vendore është konceptuar si funksionim efiçent i pushtetit vendor, paçka se është shtrirje e madhe territoriale, me larmi e gjerësi problematike zhvillimi dhe sociale-ekonomike, si psh., Tirana, Durrësi, Korça, Elbasani, Berati, Vlora, Peshkopia, Fieri, Lezha, Shkodra etj, të cilat kanë në “hartat” e tyre edhe territoret, popullsinë dhe problemet e 7-8 njësive administrative, bashkive e komunave të tjera. Po si do të qeverisen? Anën strukturore e përcakton taksativisht Ligji Nr. 30/2015, datë 5. 04. 2015, miratuar me Dekret Nr. 9042, datë 06. 04.2015, duke ndryshuar Ligjin Nr. 8652, datë 31. 07. 2000 “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”. Sipas këtij ligji, 61 bashkitë dhe krejt pushteti vendor do të funksionojnë me përbërje të re strukturore, tepër të kufizuar në numër drejtuesish e të zgjedhurish këshilltarë në bashki e qarqe. 
Sigal

Modeli që po zbatohet: Qeverisje lokale në zona, me këshilltarë nga… listat e partive pa përfaqësues në zona!

Kur nisi projekti për qeverisje lokale me 61 bashki, u tha se ky riorganizim i territorit, nuk do të cënonte asnjë shërbim ndaj komunitetit, përkundrazi do të ishte më funksional dhe efiçent se deri në qeverisjen lokale me 65 bashki dhe 308 komuna, që e copëzonin territorin e vendit, duke krijuar “principata private” dhe kaos në qeverisjen vendore. Vazhdon të thuhet, se me modelin e ri të pushtetit lokal me 61 bashki, shërbimet ndaj komunitetit përqendrohen duke pasur nën kontroll e menaxhim efiçent resurset, popullatën, zgjidhjet sociale-ekonomike, investimet zonale, të drejtat për administrim taksash, të ardhurash e fondesh. Sipas skemës zonale të qeverisjes vendore me 61 bashki e cila nuk është shpallur ende se si do të jetë e detajuar, thuhet dhe garantohet se në ish-komunat dhe bashkitë e shkrira, do të ketë administrata zonale specifike qeverisëse, në të cilat do të menaxhohen shërbimet e përditshme ndaj komunitetit. Këto shërbime, thuhet se do të kryhen nga “zyra administrative” të gjendjes civile, ndihmës ekonomike, taksave, tregjeve lokale, transportit, rrugëve, pensioneve, fermerëve, arsimit, shëndetësisë, rendit publik, mjedisit, pyjeve, tokave bujqësore dhe krejt problemeve të tjera që kanë zonat. Këtë e kemi dëgjuar dhe e konsiderojmë normale e efiçente, nëse funksionon. Pyetja është kjo: Po pushteti lokal, si pushtet i zgjedhur nga komunitetit, a do jetë përfaqësues nëpër zonat ish-komuna e bashki që janë shkrirë? Pra, ata që do zgjidhen në këshillat e bashkiakë, a do të jenë banorë (përfaqësues) të çdo zone të bashkive, apo do të jenë të gjithë psh, këshilltarë banorë nga qyteti i Tiranës e asnjë nga zona e Dajtit, Kasharit, Shëngjegjit, Kërrabës e Farkës?! Sepse psh., nuk mund të quhet qeverisje bashkiake gjithë-përfshirëse zonale, nëse këshilltarët e bashkisë së Tepelenës e Memaliajt, do të jenë vetëm banorë nga qyteti i Tepelenës e Memaliajt dhe asnjë nga Beçishti, Bylyshi, Buzi, Krahësi, Vasjari, Veliqoti, Progonati, Lopësi, Zhapokika, Qesarati, Dukaj, Hormova, Kalivaçi, Levani, Xhaxhaj, Maricaj, Selcka, Turani, Veliqoti, Gllava, Izvori etj? Është konstatuar se këshilltarët e 61 bashkive, kanë nisur e po caktohen me lista nga partitë politike e jo me përfaqësim nga zonat që përbëjnë bashkitë. Nëse ndodh kështu, atëherë nuk do të ketë qeverisje vendore me përfaqësim në zona, por në çdo bashki do të ketë nga 2-3 “çeta” politike formale, të cilat do të votojnë ose nuk do votojnë politikisht vendimet e mazhorancave nëpër bashki, problem të cilin do ta trajtojmë në vijim, duke sjellë edhe investigimin që po kryen gazeta ‘Teegraf”, në lidhje me përfaqësimin e zonave bashkiake, me të zgjedhur në këshillat bashkiakë! 
Kryesia e Këshillit të Qarkut ka këtë përbërje:
– Kryetari
– Zv/kryetari
– Dhe 3 -5 anëtarë
——————————————– 

Përfaqësues të bashkive në Këshillin e Qarkut

– Bashkitë me deri në 20.000 banorë: 2 përfaqësues
– Bashkitë me 20.001 deri 50.000 banorë: 4 përfaqësues. 
– Bashkitë me 50.001 deri 100.000 banorë: 5 përfaqësues. 
– Bashkitë mbi 100.000 banorë: 5+1 përfaqësues shtesë për çdo 1 deri në 50.000 banorë, vetëm për bashkitë me mbi 100.000 banorë.
– Përfaqësues në Këshillin e Qarkut është kryetari i bashkisë dhe të zgjedhurit nga Këshilli i Bashkisë”.
————————————————

Numri i anëtarëve të këshillave bashkiakë

– Bashkitë deri në 20.000 banorë: 15 anëtarë 
– Bashkitë nga 20.001 deri 50.000 banorë: 21 anëtarë
– Bashkitë nga 50.00 deri 100.000 banorë: 31 anëtarë
– Bashkitë nga 100.001 deri 200.000 banorë: 41 anëtarë
– Bashkitë nga 200.001 deri 400.000 banorë: 51 anëtarë
– Bashkitë mbi 400.000 banorë: 61 anëtarë
————————————- 
Fakte nga ndarja dhe funksionimi administrativ lokal i Shqipërisë, në vitet 1913-2015

Data 22 nëntor 1913, organizimi i parë i territorit në Shqipëri

1. Në datën 22 nëntor 1913 doli Ligji “Kanuni i Përshtatshëm i Administratës Civile të Shqipërisë”, sipas të cilit territori i Shqipërisë u nda në 8 prefektura: Berat, Dibër, Durrës, Elbasan, Gjirokastër, Korçë, Shkodër, Vlorë, brenda të cilave u bë ndarja në “Nënprefektura” (rrethe) dhe “Krahina” (bashki e komuna).

Vitet 1925-1945

2. Sipas “Ligjit organik të bashkisë”, të miratuar më 11 mars 1921 dhe “Kodin Civil” të datës 24 shkurt të vitit 1928, si njësi e vogël territoriale, u caktua fshati që kishte drejtues kryeplakun i cili zgjidhej nga mbledhja e popullit.
3. Njësi tjetër territoriale u caktua Bashkia e cila ngrihej në qytete ose qendra rurale banimi me mbi 200 familje, pavarësisht numrit të anëtarëve të familjeve. Kjo bashki drejtohej nga kryetari dhe nga këshilli bashkiak që zgjidheshin direkt nga populli në çdo 3 vjet.
4. Në vitin 1928 u shtua edhe Komuna, si njësi e administrimit vendor. Ajo përfshinte disa fshatra dhe drejtohej nga kryetari, i cili kishte në varësi Këshillin e Komunës, të përbërë vetëm nga kryepleqtë e fshatrave që përbëhej komuna.
5. Në vitin 1927 Shqipëria u nda në 10 prefektura, 39 nënprefektura (bashki) dhe 69 krahina me 2351 fshatra.
6. Në vitin 1934 Shqipëria kishte 10 prefektura, 30 nënprefektura (bashki) dhe 160 komuna me 2351 fshatra.
7. Në vitin 1945 Shqipëria kishte 10 prefektura, 30 nënprefektura, 23 bashki, 136 komuna dhe 2551 fshatra.

Vitet 1945-1992

1. Në vitin 1945 Shqipëria kishte 10 prefektura dhe 61 nënprefektura (bashki), të cilat u krijuan pas shkrirjes së komunave.
2. Në vitin 1946 Shqipëria kishte 10 prefektura, 39 nënprefektura dhe 22 lokalitete (bashkim fshatrash).
3. Në vitin 1947 Shqipëria bëri organizimin territorial me prefektura, rrethe, lokalitete.
4. Në datën 13 shtator të vitit 1953, prefekturat u zëvendësuan nga qarqet.
5. Në datën 18 qershor 1955, u bë kjo ndarje administrativo-territoriale në 4 qarqe: Elbasan, Gjirokastër, Korçë dhe Shkodër, krijuar me nga 3-4 rrethe në secilin qark.
6. Në datën 27 qershor të vitit 1955, sipas ndarjes administrative, qytetet Tiranë, Berat, Skrapar Durrës, Fier, Kukës, Krujë, Lushnje, Mat, Peshkopi, Tiranë, Tropojë dhe Vlorë u shpallen rrethe të veçanta.
7. Në datën 12 korrik të vitit 1958, u shkrin qarqet dhe u krijuan 26 rrethe, me 203 lokalitete, 2655 fshatra, 39 qytete dhe 27 “mëhalla” (lagje).
8. Në vitin 1990 Shqipëria kishte 26 rrethe, 539 fshatra të bashkuar, 2848 fshatra të veçantë, 67 qytete, 306 lagje qytetesh (si psh., lagja “Kombinat” në Tiranë).

Vitet 1992 – 2015

1. Në datën 10 qershor të vitit 1992, në bazë të Nenit nr. 1 të Ligjit Nr. 7572, datë 10.06.1992 “Për organizimin dhe funksionimin e pushtetit lokal”, në Shqipëri u bën ndryshime të tjera në ndarjen administrativo-territoriale, duke u krijuar 36 rrethe, 44 bashki dhe 313 komuna.
2. Në datën 22 shtator të vitit 1992, në bazë të Ligjit Nr. 7608, datë. 22.09.1992 “Për prefekturat”, Shqipëria u nda si territor në 12 prefektura, me përbërje 2-4 rrethe.
3. Në vitin 2000, Shqipëria kishte 36 rrethe, 65 bashki dhe 309 komuna.
4. Në datën 31 korrik të vitit 2000, me Ligjin Nr. 8653, datë 31.07.2000 u shkrinë 36 rrethet si njësi administrative dhe u krijuan 12 qarqe.
5. Viti 2015: Shqipëria ka 12 qarqe, 308 komuna dhe 65 bashki.
6. Në datën 21 qershor 2015, Shqipëria do të ketë vetëm 12 prefektura dhe 61 bashki. 
——————————————–

Numri i qendrave të banimit dhe numri i votuesve në 61 bashki

1. Tiranë: 25 qendra banimi, me 619 mijë e 551 votues
2. Shkodër: 11 qendra banimi, me 158 mijë e 710 votues 
3. Durrës: 6 qendra banimi, me 231 mijë e 523 votues 
4. Memaliaj: 6 qendra banimi, me 16 mijë e 770 votues
5. Tepelenë: 4 qendra banimi, me 12 mijë e 816 votues
6. Tropojë: 8 qendra banimi, me 21 mijë e 532 votues
7. Vau-Dejë: 6 qendra banimi me 36 mijë 276 votues
8. Pukë: 5 qendra banimi, me 12 mijë e 717 votues
9. M. Madhe: 6 qendra banimi, me 42 mijë e 556 votues
10. Has: 4 qendra banimi, me 15 mijë e 275 votues
11. Kukës: 15 qendra banimi, me 43 mijë e 326 votues 
12. Lezhë: 10 qendra banimi, me 81 mijë e 267 votues
13. Mirditë: 7 qendra banimi, me 28 mijë e 444 votues
14. Kurbin: 4 qendra banimi, me 54 mijë e 782 votues
15. Mat: 8 qendra banimi, me 29 mijë e 441 votues
16. Dibër: 15 qendra banimi, me 57 mijë e 022 votues
17. Shijak: 4 qendra banimi, me 33 mijë e 882 votues
18. Krujë: 6 qendra banimi, me 59 mijë e 320 votues
19. Bulqizë: 8 qendra banimi, me 29 mijë e 100 votues
20. Kamzë: 2 qendra banimi, me 89 mijë e 683 votues
21. Kavajë: 5 qendra banimi, me 60 mijë e 004 votues
22. Peqin: 6 qendra banimi, me 28 mijë e 469 votues
23. Elbasan: 13 qendra banimi, 159 mijë 074. votues
24. Librazhd: 7 qendra banimi, 32 mijë e 590 votues
25. Pogradec: 8 qendra banimi, me 69 mijë e 858 votues
26. Pustec: 1 qendër banimi, me 4 mijë e 301 votues
27. Gramsh: 10 qendra banimi, me 27 mijë e 258 votues
28. Cërrik: 5 qendra banimi, me 35 mijë e 117 votues
29. Divjakë: 5 qendra banimi, me 40 mijë e 729 votues
30. Lushnjë: 11 qendra banimi 100 277 votues
31. Berat: 5 qendra banimi, me 43 mijë e 628 votues
32. Kuçovë: 4 qendra banimi, me 43 mijë e 628 votues
33. Skrapar: 9 qendra banimi, me 15 mijë e 924 votues
34. Fier: 10 qendra banimi, me 154 mijë e 982 votues
35. Patos: 3 qendra banimi, me 33 mijë e 571 votues
36. Ballsh: 9 qendra banimi, me 32 mijë e 798 votues
37. Maliq: 7 qendra banimi, me 48 mijë e 685 votues
38. Korçë: 8 qendra banimi, me 106 mijë e 909 votues 
39. Devoll: 5 qendra banimi, me 33 mijë e 431 votues
40. Vlorë: 5 qendra banimi, me 153 mijë e 867 votues
41. Përmet: 5 qendra banimi, me 16 mijë e 483 votues
42. Ersekë: 8 qendra banimi, me 16 mijë e 123 votues
43. Himarë: 3 qendra banimi, me 22 mijë e 336 votues
44. Gjirokastër: 7 qendra banimi, me 42 mijë e 633 votues
45. Delvinë: 2 qendra banimi, me 15 mijë e 174 votues
46. Dropull: 3 qendra banimi, me 20 mijë e 074 votues
47. Livadhja: 5 qendra banimi, me 29 mijë e 585 votues
48. Sarandë: 2 qendra banimi, me 43 mijë e 166 votues
49. F.Arrëz: 5 qendra banimi, me 8 mijë e 951 votues
50. Klos: 4 qendra banimi, me 15 mijë e 449 votues
51. Vorë: 3 qendra banimi, me 27 mijë e 442 votues
52. Rrogozhinë: 5 qendra banimi, me 30 mijë e 167 votues
53. Belsh: 5 qendra banimi, me 24 mijë e 240 votues
54. Përrenjas: 4 qendra banimi, me 24 mijë e 331 votues
55. Roskovec: 4 qendra banimi, me 23 mijë e 958 votues
56. U.Vajgurore: 4 qendra banimi, me 29 mijë e 631 votues
57. Poliçan: 3 qendra banimi, me 14 mijë e 008 votues
58. Selenicë: 6 qendra banimi, me 27 mijë e 179 votues
59. Konispol: 3 qendra banimi, me 10 mijë e 976 votues
60. Këlcyrë: 4 qendra banimi, me 9 mijë e 809 votues
61. Libohovë: 3 qendra banimi, me 7 mijë e 098 votues
———————————————–

Statistikë nga lëvizjet e popullsisë brenda Shqipërisë, në vitet 1990-2015

1. Popullsia në zonat urbane është 53.5% 
2. Popullsia në zonat rurale është 46.5%
3. Në vitin 2001, popullsia në zonat urbane ishte 42.2% 
4. Në vitin 2001, popullsia në zonat rurale ishte 57.8% 
5. Në vitin 1990, popullsia në zonat urbane ishte 35.7% 
6. Në vitin 1990, popullsia në zonat rurale ishte 64.3% 
7. Në vitin 1990, kanë qenë 67 qytete 
8. Në vitin 2009, kanë qenë 74 qytete
9. Në vitin 1990, kanë 2848 fshatra në vitin 1990, 
10. Në vitin 2000 kanë qenë 2962 fshatra
11. Në vitin 2014 kanë qenë 2895 fshatra! 
12. Në Shqipëri, 70 komuna kanë 1,498-1500 banorë 
13. Në Shqipëri, 34 komuna kanë nga 8000-850 banorë 
14. Në Shqipëri, 11 komuna kanë nga 380-410 banorë
15. Në vitin 2014, rezultojnë 932 fshatra të braktisur 100%
16. Në vitin 2014, rezultojnë 1165 fshatra të boshatisur 50-70%
17. Në vitin 2014, rezultojnë 871 fshatra me 10-20% të banorëve