“Qeveria tjetërsoi votën”, Xhelal Mziu: Shumë qytetarë u imponuan nga PS dhe u kërcënuan

217
Sigal

Xhelal Mziu, drejtuesi i qarkut Dibër i PD, tashmë deputet i Parlamentit të ri, në një prononcimin të tijin në një nga televizionet kombëtare të vendit tonë, tha se gjatë fushatës elektorale u përdor çdo instrument i mundshëm nga qeveria për tjetërsimin e votës.

Mziu u shpreh se struktura të veçanta të policisë ndihmuan në shpërndarje e lekëve, sidomos gjatë orës policore kur demokratët nuk lejoheshin të patrullonin.

Gjithashtu gjatë ditëve të fundit të fushatës elektorale u dhanë pafund legalizime dhe u punësuan njerëz në administratë, sipas Mziut.

Prononcimi i plotë i Xhelal Mziut:

Bëra më shumë se sa tre muaj fushatë në  çdo njësi administrative të qarkut të Dibrës. Është dhe ngelet qarku më i varfër i Shqipërisë, me papunësi ekstreme dhe me një bujqësi të rrënuar. Kjo pakënaqësi u konvertua në bashkim si asnjëherë tjetër në këtë fushatë elektorale, por ndërkohë kam shpalosur platformën më të mirë në këto 31 vite demokraci, platformën ‘Basha’ e cila intrigoi jo vetëm demokratët por dhe mjaft socialistë të zhgënjyer nga qeverisja Rama për t’u bashkuar.

Në këtë kontekst isha plotësisht i bindur që do të merrja 4 nga 5 mandate.

Në 10 ditët e fundit të fushatës filloi arsenali qeveritar i tjetërsimit të votave, ata kanë një eksperiencë të jashtëzakonshme në këtë drejtim, e kanë përdorur që në 2013 në çdo fushatë dhe përdorën çdolloj instrumenti për ta vjedhur votën.

Së pari filluan me shpërndarjen e parave, ditën dhe natën. Madje natën e parafundit, të premten në darkë më 23 prill ne kemi kapur dhe kryetarin e Partisë Socialiste të qarkut Dibër, i cili bashkë me një person tjetër po shpërndante para bashkë me një person tjetër. Në momentin që u kap i kishte mbetur vetëm lista e familjeve demokrate dhe 300 euro.

Struktura të caktuara të policisë kanë qenë bashkëpunuese, madje në 3-4 ditët e fundit kanë shërbyer si korrierë. Kanë shfrytëzuar orën policore, ku nuk lejoheshin demokratët as të patrullonin për të mbrojtur zonën e tyre.

Nuk ishte vetëm shpërndarja e parave, në 3 muaj fushatë që unë kam qenë atje ndihma ekonomike u dha në muajin e fundit dhe ndihma ekonomike u shpërnda nëpër shtëpi.

U dhanë pafundësisht leje legalizimi, të cilët i dhanë dy ditët e fundit të fushatës.

Gjithashtu në shkelje të Kodit Zgjedhor u futën në punë me mijëra qytetarë shkonin dhe merrnin thjesht rrogën, sepse vetëm 10% e administratës punonte. Ata merreshin vetëm me listën e votuesve duke luajtur rolin e koordinatorit të këtyre votave. Çdo pjesë e strukturës lokale dhe qendrore ka qenë e angazhuar si asnjëherë tjetër duke i bindur dhe duke i vendosur në presion për të sjellë edhe familje të tjera. Kjo ka qenë një metodë e jashtëzakonshme e cila i ka ndrydhur votat e qytetarëve.

Aktorët kryesorë ne Dibër, ishin të njëjtët aktorë që kanë qenë dhe tek dosja 184 si kryetari i bashkisë apo drejtuesi i qarkut të Dibrës ose i treti i listës Denis Imeri i cili është aktori kryesor i dosjes 184.

Shteti është kthyer në një shtet elektoral për tjetërsimin e votës dhe nuk ka dhënë asnjë lloj impakti në këto 8 vite.