Qeveria të reflektojë për 15 kushtet, dhe jo të thellohet në autokraci

61

Sekretari për Marrëdhëniet Ndërkombëtare pranë Lëvizjes Socialiste për Integrim, Eriol Braimllari vëren se ndërsa Kuvendi miraton rezoluta për integrimin, Shqipërisë po i shtohen kushtet për çeljen e negociatave.

Duke marrë shkas nga votimi i së enjtes në Kuvend i rezolutës për Integrimin, Braimllari shprehet pas çdo rezolute të këtij parlamenti monopartiak janë thelluar veprimet antidemokratike të qeverisë, duke na larguar edhe më shumë prej Evropës.

“Ndërsa Kuvendi miraton rezoluta për integrimin, Shqipërisë po i shtohen kushtet për çejen e negociatave. Rezoluta e djeshme është e disata që miratohet në parlament. Mirëpo pas çdo rezolute të këtij parlamenti monopartiak janë thelluar veprimet antidemokratike të qeverisë, duke na larguar edhe më shumë prej Evropës. Sepse ata vetë i miratojnë rezolutat dhe po vetë i shkatërrojnë me kënaqësinë më të madhe.
Mjaft me copa letrash që as vetë ata që ngrejnë kartonin nuk e dinë se për çfarë po votojnë! E vetmja rezolutë që duhet marrë seriozisht është ajo e Parlamentit Evropian të miratuar më 19 qershor 2020, e cila i vendos një barrierë prej 15 kushtesh vendit tonë përpara çeljes së negociatave.
Qeverisë shqiptare jo vetëm i ka munguar reflektimi për 15 kushtet, por ajo është thelluar edhe më tej në autokraci dhe antikushtetuetshmëri.
Reforma zgjedhore gjithëpërfshirëse, në respektim të rekomandimeve të ODIHR, të mëshiruara në marrëveshjen e 5 qershorit, e cila u auditua nga BE-SHBA dhe Britania e Madhe, kërkon një implementim rigoroz të saj në zgjedhjet e radhës të 25 Prillit. Zgjedhjet e lira, të qeta dhe të gjithëpranuara, janë e vetmja shpresë për të vazhduar aspiratën mbarëkombëtare të integrimit të Shqipërisë në BE.”